Integrimi Europian dhe opozita, i ftuar Fatmir Mediu

3 Prill 2019, 07:19

Opozita e re me 20 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë hodhi hapin e parë për formalizimin e grupeve parlamentare, ndërsa kanë nisur të përfliten edhe krerët që do të drejtojnë grupet. Deputetët e PD-së dhe LSI-së në Kuvend, në një mbledhje mes tyre të enjten që kaloi në parlament, kanë rënë dakord që t'i drejtohen me shkresë zyrtare Kuvendit për formalizimin e grupeve këtë javë.

Nga Partia Demokratike, Rudina Hajdari, deputetja që nuk hoqi dorë nga mandati, është diskutuar si emri më i mundshëm për kryesinë e grupit parlamentar. Por, kryetari i partisë Republikane, Fatmir Mediu i ftuar në studion e emisionit "45 Minuta" të drejtuar nga Denis Minga në Report Tv, sqaroi sipas tij, se përse këta deputetë nuk mund të krijojnë grupe parlamentare.

"Këta deputetë nuk mund të krijojnë grup me emrin e LSI-së dhe PD-së, pasi nuk mund ta përfaqësojnë nga ana juridike. Duhet të bëjmë sakrificat më ekstreme për të ruajtur demokracinë. Mendoj se gjithsecili duhet të shikojë ku janë pikat që mund të ndërtohet një marrëdhënie duke filluar nga Presidenti dhe deri te partnerët tanë ndërkombëtarë. Këtu ka rol edhe Presidenti, edhe ndërkombëtarët, të gjithë" tha ai.

Duke u ndaluar te procesi i negociatave, Mediu tha se opozita nuk është kundër, por shtoi se Rama është i papërgjegjshëm. "Fatos Nano ka qenë i përgjegjshëm, vinte në Komisionin e Integrimit për të raportuar, kurse ky është i marrë. Ku ka perëndi që e mbledh më atë, ju thoni Gramozi, po ku ka perëndi" deklaroi Fatmir Mediu.