Kampion Ballkani në Xhudo dhe ambicia për 'Tokio 2021'

19 Janar 2021, 11:55 | Përditesimi: 19 Janar 2021, 11:55

TIRANË- Indrit Çullhaj është kampion Ballkani në sportin e Xhudos dhe renditet në 27 sportistët më të mirë në botë në fushën e këtij sporti. Në një intervistë në ‘’ Rreze dielli’’ ai tregoi për ambiciet e rradhës në kompeticionin e Tokio 2021 dhe sakrificat për të qënë kampion dhe për të mos humbur asnjë ndeshje.

Mirëpo rruga drejt suksesit nuk ka qenë aspak e thjeshtë për 24-vjeçarin, i cili shprehet se vetëm kohët e fundit ka pasur mbështetjen e duhur nga shteti, edhe pse ka 12 vite që merret me këtë sport, pas 10 vitesh nuk kishte marr asnjë herë rrogë nga shteti i tij:

”Unë kam 78 medalje të para pa numëruar të dyta, të treta, 12 vjet kampion i vendit, 3 herë kampion ballkani, dhe shumë e shumë rezultate të tjera dhe kam 10 vite që s’kisha marr mbështetje. Sot kam një mbështetje nga ministria e mbrojtjes si sportist elitar” u shpreh ai.

Atë e presin edhe disa gara të tjera, ku më e fundit do të jetë pas 10 ditësh në Izrael ndërsa ambicia më e madhe mbetet ‘ Tokio 2021’:

‘’ Është një lajm shumë i madh sepse asnjeri deri më sot në Shqipëri nuk e ka arrit me pikë. Nuk e di për të gjithë sportet, por mund ta them me të gjithë gojën që asnjë nga sportet nuk ka shkuar me pikë, kanë shkuar me ftesë, ti kesh mbërritur garat për 4 vjet rresht me pikë, e të mbërrish këtu ku jam. Shpresoj te realizohet dhe do të jetë diçka e madhe që do shënohet në historinë e sportit shqiptar. Kam katër vjet që e pres këtë ditë’’ tha Indrit  Çullhaj.

D.M./Shqiptarja.com