Kryemadhi-Ramës: Na dërgonin fotot e Dvoranit në Monaco, kur ai thoshte jam sëmurë

9 Maj 2022, 19:19

Pak ditë pasi kryeministri Rama kërkoi hetimin e Ilir Metës nga SPAK dhe mori në mbrojtje rastin e Ardian Dvoranit, ka ardhur edhe reagimi nga bashkëshortja e Presidentit. E ftuar në ‘Kontrast’ në Report TV, Monika Kryemadhi tha se Meta është i vetmi politikan që është përballur me drejtësinë në çdo qeverisje dhe i ka fituar të gjitha betejat.

“Deklarata e Ramës më bën të qesh sepse nëse ka një njeri që është përballur gjithmonë me drejtësinë, ai ka qenë Ilir Meta. Madje Ilir Metës iu hoq imuniteti që në vitin 1992 vetëm pse doli në mbrojtje të fabrikës së Poliçanit. Pastaj është përballja me Dritan Priftin. Meta është i vetmi deputet që është gjykuar në Themel dhe nuk i është shmangur procesit as me raporte mjekësore e as me imunitete.

Mos harroni që doli i pafajshëm 5 me 0 dhe relator ishte Ardian Dvorani. Ky thoshte jam sëmurë, dhe na sillnin fotografi ku ishte në Monaco. Shkuan deri atje sa kërkonin dëftesat e shokëve të Ilir Metës në gjimnazin në Lushnje.

Dy herë e çuan në Venecia, pastaj me Gjykatën Kushtetuese me falsifikimin që bëri Etilda Gjonaj…

Ilir Meta kishte të drejtë për djegien e mandateve dhe kur thoshte se me një kec si Lulzim Basha nuk e mundni dot hienën Edi Rama” – tha Kryemadhi për ‘Kontrast’.

Ky reagim vjen pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama gjatë Asamblesë së PS, ku kritikat ndaj SPAK i përqendroi të Sali Berisha dhe Ilir Meta. Për Berishën, i kërkoi që të niste hetimet për shpalljen e tij 'Non Grata' nga SHBA-ja, teksa për Ardian Dvoranin tha se u hetua pasi kështu ka dashur presidenti. 

    No videos found.