Lakër në furrë me perime dhe pançetë të tymosur nga zonja Albana

19 Janar 2023, 11:32

Lakër në furrë me perime dhe pançetë të tymosur

Përbërësit:

  • 1 lakër e vogël
  • 200 gr produkte sallamerie FIX
  • 1 qepë e thatë
  • 2 qepë të njoma
  • 1 spec i kuq
  • 1 spec jeshil
  • 2 karrota
  • 3 vezë
  • 1 gotë kos
  • 1 gotë qumësht
  • 3 lgj miell
  • ½ fç vaj
  • 1 tufë majdanoz
  • 1 tufë kopër
  • Djathë i grirë
  • Koncentrat perimesh
  • Piper i kuq i ëmbël
  • Kripë, piper i zi

Salca shoqëruese:

  • 3 lgj kos natyral
  • 3 lgj majonezë
  • Koncentrat perimesh
  • Majdanoz ose koper

Përgatitja:

Në një tenxhere me vaj shtojmë qepën e thatë të grirë imët, e spërkasim me kripë dhe e lemë të zbutet. Specat jeshil dhe të kuq i presim në kubikë dhe i kaurdisim së bashku me qepën. Më pas shtojmë karrotën e grirë në rende, lakrën e prerë hollë sikurse dhe qepët e njoma. Vazhdojmë kaurdisjen derisa të ulet vëllimi i lakrës, më pas rregullojmë shijen me kripë dhe piper dhe shtojmë pançetën e tymosur, salçiçe, suxhuk (një miks proshimesh sallamerie) të prera në kubikë. E lëmë gatimin në zjarr për 5 minuta dhe e spërkasim me majdanoz.

Miellin e trazojmë më qumështin, kosin, vezët dhe vajin. Masën e përgatitur të lakrës e vendosim në një tavë dhe sipër shtojmë masën e kremit me qumësht, kos, miell dhe vezë. Në fund bëjmë një spërkatje të sipërfaqes së tavës me djathë të grirë dhe e vendosim në furrë të parangrohur në temperaturën 180 gradë Celsius. Pasi tava është pjekur e servirim shoqëruar me pak salcë të përgatitur me kos, majonezë, erëza, koper dhe majdanoz.