'Mbreti' i përgjigjet Ramës, i ftuar deputeti Kujtim Gjuzi

4 Tetor 2019, 09:04

I ftuar në emisionin "45 minuta" në Report TV, ditën e sotme ka qenë deputeti Kujtim Gjuzi.

Ai ka komentuar situatën politike në vend. Sipas Gjuzit, Presidenti Ilir Meta, duhet të japi dorëheqjen dhe kjo është mënyra më e mirë për ta larguar atë. Më pas Gjuzi ka thënë se tek socialistët ekziston një ide për të vendosur kryeministrin Rama si President.

Megjithëse ka thënë se ai nuk do ta jepte votën e tij për të vendosur Ramën si President, Gjuzi ka thënë se këtë ide për Ramën President e ka konfirmuar nga një eksponent i lartë i Partisë Socialiste.

"Pata një takim me një eksponent të lartë nga PS. I thash për Metën. Meta tha ka mbaruar punë. Por po dha dorëheqjen shpëtojmë të gjithë." ka thënë Gjuzi.

"Socialistët kanë thënë duam ta qetësojmë dhe ta çojmë President; Por unë nuk ja jap votën time." ka shtuar më pas ai.

Ndër të tjera Gjuzi ka folur edhe për zëvendësin e Ramës si kryeministër ku sipas tij, kreu i opozitës që pretendon këtë post, Lulzim Basha nuk mund ta marrë kurrë kët detyrë, pasi ai është përgjegjës për vrasjen e 4  protestuesve më 21 janar 2011, kohë kur ai ishte ministër i Brendshëm.

Sipas Gjuzit, një emër që mund të zëvendësojë Ramën është, ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali. Po kështu si një emër tjetër Gjuzi ka përmendur edhe doktoreshën Klodiana Spahiu.

"Kur i kam thënë Bashës se ti je përgjegjës për vrasjen e 4 protestuesve më 21 janar. Nuk ka shansin të bëhet kryeministër. Mund të bëhet Spiropali por jo ai. Ai ka përgjegjësi. Ose Klodiana e Durrësit, mjeke." ka thënë Gjuzi.

Ndër të tjera Gjuzi ka komentuar edhe debatin që ka me kryeministrin Rama, ku ky i fundit nga foltorja e Kuvendit e quajti me ironi Gjuzin si 'Mbret'.