Një 74-vjeçare ka marrë rrugën pasditen e sotme nga Vlora për të denoncuar një person i cili e ka mashtruar dhe i ka marrë 30 miljonë lekë të vjetra.
Ishte korriku i 2021 kur Violeta Myftari, vendosi të restauronte shtëpinë dhe këtë gjë ajo ia besoi Naim Vatës nga Kukësi, i cili merret me punime dekorative guri. Ky i fundit i pohoi se I gjithë restaurimi shkonte 30 miljonë lekë të vjetra. Lekë të cilat Violeta ia ka dhënë me 3 këste, një herë 25 miljon lekë, një herë 3 miljonë dhe herën e fundit 2 miljon lekë. Punimet filluan dhe pas 3 muajsh, gjëndja shëndetësore e Violetës u përkeqësua ndërsa iu desh të udhëtonte drejt Amerikës ku jetojnë dy vajzat e saj. Por menjëherë me largimin e saj, Naim Vata ndërpreu punimet duke e lënë kështu shtëpinë përgjysëm në gjendje të keqe, pa dyer e pa dritare. Njëlloj siç duket në këto video që 74-vjeçarja na ka vënë në dispozicion.
Vazhdimisht prej 4 vitesh Naimi gjen justifikime të ndryshme ndërsa ende shtëpia ndodhet po në atë gjendje. 74-vjeçarja është kthyer në Vlorë nga Amerika vetëm për këtë problem ndërsa kërkon që Naimi të përfundojë shtëpinë ose t’i kthejë lekët.





















