Ishte ky mesazhi prekës i një vajze 8-vjeçare i cili bëri që pak ditë më parë në studion e “Pa Gjurmë” të trajtohej historia e trishtë e familjes Panajoti. Kjo familje nga Vora janë përballur me një problem tepër madhor që pas humbjes nga kjo jetë të kryefamiljarit, Vasil Panajoti në mars të 2021 pasi ish-gratë e të ndjerit kërkojnë të marrin shtëpinë. Nënë e bijë sot rrezikojnë të mbeten në qiell të hapur. Gjatë transmetimit live në një lidhje telefonike foli edhe avokatja e Bujare Panajotit, Genta Qendro e cila u shpreh se ish-gruaja e dytë e të ndjerit, Margarita Panajoti pretendon se ajo banesë është ndërtuar në kohën kur ato kanë qenë të martuar.Bujarja ishte një 20-vjeçare kur u njoh me Vasil Panajotin një 50-vjeçar asokohe. Ky i fundit vinte nga dy martesa të dështuara nga të cilat ishte bërë baba i 6 fëmijëve. Edhe pse në diferencë moshe, ata nisën një lidhje dashurie së bashku, nga e cila erdhi në jetë një vajzë, 8 vjeçe sot. Ishte qershori i vitit 2019 kur Vasili pësoi hemoragji celebrale ndërsa dergjej në shtrat. Bujarja e bëri natën ditë duke u kujdesur për bashkëshortin e sëmurë dhe për vajzën e vogël 2 vjeçe asokohe. 2 vite më pas, fatkeqësisht Vasil Panajoti ndërroi jetë duke mbyllur kështu gjithmonë sytë pa mundur të shihte të bijën teksa rritej…ndërsa i la në mëshirë të fatit.