‘Nëna birësuse më vdiq,unë gabova në jetë’/35-vjecari jetim fle në një parking

11 Nëntor 2021, 17:36 | Përditesimi i fundit: 2021-11-11 17:36:36

Ditën kur u lind më 27 prill 1986, u braktis nga prindërit biologjikë në shtëpinë e fëmijës në Shkodër, e fatmirësisht u birësua kur ishte 1 vjeç nga një çift i mrekullueshëm, të cilët do t’i dhuronin atij dashurinë e madhe prindërore, pasi ata vetë nuk mund të kishin fëmijë. Në adoleshencë Aleksandri mësoi të vërtetën se Xhem e Fatime Coka nga Kukësi, nuk ishin prindërit biologjikë, por ata birësues. Sot në moshën 35-vjeçare kërkon të dijë rrënjët e tij, gjakun e tij, pasi prindërit që e kanë rritur nuk jetojnë më. Kur mësoi të vërtetën e shokuese ai e përjetoi shumë keq, nuk e besonte diçka të tillë dhe për shumë kohë e mbajti përbrenda, deri kur gjeti guximin të komunikonte me zonjën Fatime. Ajo deri ditën që ndërroi jetë nuk ia tha të vërtetën, nga frika se mos e humbiste djalin e saj të vetëm, por i la një amanet. Aleksandri pas vdekjes së nënës së tij biologjike kaloi një periudhë të vështirë në jetën e tij. Edhe pse kishte njerëz të afërt në qytetin e Kukësit, mendoi të largohej jashtë-shtetit. Shiti shtëpinë që i kishin lënë prindërit dhe tentoi të shkonte ilegalisht në Angli, por u mashtrua nga disa persona dhe humbi shumë para. Nga trishtimi i madh tentoi edhe vetëvrasjen. Tani ai punon natën në një kompani. Atje edhe fle deri ditën tjetër, ndërsa mbështetje të madhe ka familjen e dajës. Kohën e vret duke menduar papushim për prindërit biologjikë. Aleksandri i ndihmuar edhe nga daja tij ka bërë përpjekje, por ka mësuar vetëm emrat e prindërve biologjikë dhe origjinën e tyre. E vetmja dëshirë e madhe e Aleksandrit është të njohë se kush është nëna dhe babai që e kanë sjellë në jetë, me shpresën e madhe që janë gjallë dhe se mund të bashkohen pas kaq shumë vitesh.