Ngrihet KLP, i ftuar kreu Gent Ibrahimi

24 Dhjetor 2018, 10:33

Në të parën intervistë për "45 minuta"  të gazetarit Denis Minga në Report Tv, pas zgjedhjes në krye të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahmi u shpreh se brenda dy muajve KLP duhet të zgjedhë kryeprokurorin e ri me mandat të plotë si dhe të miratojë ngritjen e SPAK-ut. Ai tha KLP do i zhvillojë mbledhjet në dy godina, atë të Prokurorisë së Përgjithshme në një sallë të përshtatur aty si dhe në sallën e ish-KLD, ku aktualisht mblidhet KLGJ-ja. KLP, tha Ibrahimi, do caktojë me pikëzim çdo kandidaturë për kryeprokuror që përmbush kriteret ligjore. 

Afati ka filluar dje (19 dhjetor), dhe brenda dy muajve duhet ngritur SPAK. Mbledhjet dhe puna do vijojnë. Mbledhjet do vijojnë në Prokurorinë e Përgjithshme, por edhe te salla e ish-KLD, ku sot është KLGJ dhe do t'i ndajmë mbledhjet me KLGJ. Edhe për Prokurorin e Përgjithshëm afati është njësoj si për SPAK, pra për dy muaj.  Kriteret janë ato që përcakton ligji. Koha e shërbimit nëse është kriter, ne do t'i vendosim pikë. 5 vjet, kaq pikë, 10 vjet kaq, e me radhë. Nëse ka qenë drejtues prokurorie, drejtues sektori, ne do themi sa pikë do kenë. Pikëzimi është i yni dhe do jetë i arsyeshëm. Gjithçka do jetë në një tabelë kaq pikë për këtë e atë, dhe në fund do kemi përllogaritjen matematikore.