Opozita e re dhe SHBA, i ftuar Ralf Gjoni

7 Shtator 2019, 11:03

Ditën e sotme në emisionin '45 minuta' nën drejtimin e gazetarit Denis Miniga ka qenë i ftuar deputeti i opozitës Ralf Gjoni ku u diskutua në lidhje me situatën politike. Tema e ditës ishte 'Opozita e re dhe SHBA', ndërsa për takimet e drejtorit të ri për Europën Qendrore e Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, David Kostelancik, Gjoni ka thënë se ka ardhur për të rikonfirmuar prezencën që ka vendosur të ketë SHBA në vendin tonë dhe në rajon.

Më pas Gjoni ka deklaruar se ai beson se Reforma në Drejtësi do të funksionojë më së miri, pasi sipas tij BKH (Byroja Kombëtare e Hetimit) dhe SPAK (Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) do të bëjnë punën e tyre me 'presionet' e ardhura nga BE dhe SHBA. Për sa i përket Reformës Zgjedhore, Gjoni ka kërkuar që socialistët të heqin nga posti i drejtuesit, Damian Gjiknurin. Ndërsa ka thënë se mes kryeministrit Rama dhe Basha vijon 'flirti' për Reformën Zgjedhore.

Gjoni ka komentuar edhe hapjen e negociatave me Bashkimin Europian duke e krahasuar me një skanim që i bëhet trupit të njeriut tek mjeku. Ai ka thënë se ky proces do të jetë i 'dhimbshëm' por se nga kjo do të mësojmë shumë. Ndër të tjera Gjoni ka deklaruar se në vendin tonë ka politikanë të lartë që 'i shkelin syrin njeri tjetrit' për të mos hapur negociatat pasi i tremben SPAK-ut.

Ndërkohë emisionin '45 minuta' do të keni mundësinë ta ndiqni çdo të enjte dhe të premte në orën 16:00.