Opozita e re-lista e PD, i ftuar deputeti Korab Lita

12 Prill 2019, 08:20

I ftuar në studion e "45 Minuta" në Report Tv me gazetarin Denis Minga, deputeti më ri demokrat i cili u betua sot në Kuvend, Korab Lita i cili më herët ka mbajtur postin e nënkryetarit të Bashkisë së Kamzës, deklaroi se kryetari i Bashkisë së Kamzës Xhelal Mziu nuk duhet të rikandidojë.

"Kamza ka qenë dhe do të mbetet bastion i PD. Topi ngelet tek PD se si do sillet me elektoratin. Nuk e kam me emrin PD është vetë kërkuesja e ligjit të pushtetit lokal në 2015 për kufizim të mandateve elektorale për të ndaluar kandidimin e atyre që kanë më shumë se tre mandate. PD nuk duhet të kandidojë asnjë njeri me tre mandate", tha Lita.

Ai shtoi se ligji elektoral duhet të ndryshojë dhe listat e kandidatëve duhet të jenë të hapura, për shkak se ashtu sikurse në Kamëz vihen njerëz thjesht sepse janë miq të kryetarit.

Korab Lita tha se nuk është përjashtuar nga PD edhe pse ka vendosur të marrë mandatin e deputetit. Ndërsa lidhur me zgjedhjet lokale ai deklaroi se PD nuk ka kohë dhe duhet të marrë nje vendim nëse do marrë pjesë apo jo.

Lita foli edhe për situatën në të cilën ndodhet sot PD, duke e krahasuar me kohën kur drejtohej nga Sali Berisha, duke e quajtur këtë të fundit gjeneral, ndërsa Lulzim Bashën gjeneral që nuk është provuar ende në luftë.