Pa Gjurmë: Humbin djalin në aksident,nusja largohet me vajzat/Gjyshërit:Mbesat kanë gjakun tonë

13 Tetor 2021, 18:20

Ngjarja e 21 shtatorit 2019 që tronditi qytetin e Lezhës, ku ish-kunati Albert Kaca aksidentoi për vdekje 38-vjeçarin Ylli Mena, u rikthye në vëmendje pasditen e datës 5 tetor në emisionin ’Pa Gjurmë’ në Report. Prindërit e viktimës Preng dhe Mrikë Mena dy vite më pas kërkojnë drejtësi. Edhe pse Gjykata në Lezhë la masën e sigurisë ’arrest me burg’, deri në përfundim të hetimeve për këtë ngjarje, Albert Kaca jeton është ende në arrati, që nga momenti kur u largua nga vendi i ngjarjes. Dy të moshuarit nuk kanë pasur kurrë konflikte me familjen Kaca, por bëjnë fajtor Albertin, për të cilin thonë se aksidentoi me dashje djalin e tyre, duke i marrë jetën.Prenga rrëfen për ’Pa Gjurmë’ se është i shokuar ende dhe sot për ngjarjen, pasi sipas tij çifti shkonin mirë dhe duheshin shumë me njëri-tjetrin. Mirditori 70-vjecar me plagë në zemër për të birin, që nuk e ka më, nuk di të thotë se pse ajo martesë përfundoi në divorc me kërkesën e Shpresës e më pas në një tragjedi për Yllin. Prenga e kujton me lot në sy atë ditë të errët për të dhe gjithë familjen Mena. Ishte një miku i tij që e telefonoi dhe i dha lajmin e kobshëm, ndërsa në varrim ish-nusja Shpresa nuk lejoi as vajzat të përcillnin babain në banesën e fundit. Këto të fundit edhe sot e kësaj dite nuk e dinë se si babai I tyre ka ndërruar jetë. Pas ngjarjes së rëndë, u përfol se Albert Kaca u hakmorr ndaj kunatit pasi ky I fundit I kishte lënë të motrën, mirëpo në bazë të dokumenteve, vërtetohet se ishte Shpresa ajo që kërkoi divorcin, ndërsa Ylli Mena tentoi disa herë që të bashkohej përmes seancave të pajtimit. ’Pa Gjurmë’ u lidh dhe me avokatin e Albert Kacës, Aleksandër Ndrejaj, i cili tha se ngjarja ka ndodhur aksidentalisht. Duke shtuar se klienti I tij është penduar që iu largua vendit të ngjarjes. Preng Mena 70 vjeç dhe bashkëshortja e tij Mrikë Mena 68 vjeçe, përpos drejtësisë që kërkojnë nëpër gjykata për djalin e ndjerë, sot në “Pa Gjurmë” kërkojnë me ngulm dhe shumë mall 3 vajzat e Yllit, mbesat e tyre të cilat kanë mbi 3 vite pa i parë. Me lot në sy, por e bindur, Mrika thotë se 3 mbesat e saj, edhe më I vogli I fisit Mena ka për t’I kërkuar, e një ditë do I sjellë në shtëpinë e gjyshërve, në shtëpinë e babait të tyre, që sot prehet në varrezat e Fanit të Mirditës.