E dinte nënën të vdekur prej vitesh, e gjen pas 37-vitesh në një azil

20 Tetor 2021, 17:17 | Përditesimi i fundit: 2021-10-20 19:43:14

E pazakontë ishte historia e zonjës, që humbi kujtesën që prej vitit 2014, pasi u gjet në rrugë me goditje të rënda në kokë, së cilës pak kohë më parë ’Pa Gjurmë’ në Report TV i gjeti familjen. Ifete Sherifi, që jeton në Shtëpinë e të Moshuarve në Poliçan, prej 7 vitesh ishte konsideruar e vdekur nga familjarët, të cilët u befasuan kur panë tek shfaqej në Report Tv, kjo zonjë me flokë të thinjura. Emocioneve të përcjella në studio puntatën e 23 shtatorit, iu shtuan edhe ato që ’Pa Gjurmë’ përcolli këtë të mërkurë nga takimi i nënës me djalin e saj Arian Çikon. Stafi udhëtoi drejt qytetit të Poliçanit, ku jeton 63-vjeçarja duke përcjellë të tjera emocione. Rruga drejt destinacionit final, për Arian Çikon, u duk e gjatë, pasi ai do të takohej me nënën e tij Ifete Sherifin. Për shumë vite me radhë, me mendimin se ajo nuk jetonte më, ishte një shok për të riun nga Tirana, kur mësoi nga ’Pa Gjurmë’ se ajo ishte gjallë dhe ndodhej në një azil. Me plot mall por i përmbajtur, Ariani fshin lotët dhe hyn në dhomë, duke u afruar pranë shtratit ku ndodhej e shtrirë nëna e tij Ifete Sherifi. Reagimi i saj ishte i ftohtë, ndërsa i biri i puth duar e ball. Edhe pse nuk kujton asnjë detaj për djalin, në sytë e saj ka jetë. Këtij takimi i shtohet edhe nusja e Arianit, që e ka shoqëruar në këtë takim plot emocione. Ifetja ka përballë djalin, çaste sfilitëse për 63-vjeçaren, teksa mundohet të kujtoj këtë njëri të shtrenjtë që ka pranë, por të panjohur, pasi ajo nuk kujton asgjë. Sa të gëzueshme, por edhe të trishta janë këto çaste edhe për Arianin, që e gjen nënën të përhumbur, por fatmirësisht gjallë. Ai përlotej vazhdimisht, ndërsa mundohej që përmes fotove t’i risillte në kujtesë të shkuarën nënës së tij. Pak ditë pas këtij takimi, në një lidhje me skype, këtë të mërkurë Arian Çiko ka sërish emocione teksa rrëfen ndjesitë në një nga ditët më të vështirën të jetës së tij. Ifete Sherifi një zonjë e fisnike, që për ironi të fatit, u dënua të ndahej nga i biri dhe të përfundonte në rrugë, e braktisur nga të gjithë familjërët, derisa një ditë dimri u gjet e goditur rëndë në kokë. Ajo u gjet pa ndjenja, në mars të vitit 2014 e gjakosur në një rrugicë të kryeqytetit me dëmtime të rënda në kokë. Plagë te cilat i shkaktuan humbjen e kujtesës dhe e moshuara kishte mbetur një zonjë e paidentifikuar. Falë dëshmive të shumta që mbërritën në Report Tv, ‘Pa Gjurmë’ arriti t’i gjente familjen. Misioni që ’Pa Gjurmë’ në bashkëpunim me Qendrën Polivalente, Poliçan, ku vazhdon të strehohet 63-vjeçarja, u krye me sukses, ai i cili bashkoi më në fund zemrat e nënë e bir.