‘Gruan s’e dashurova kurrë, e tradhtova me disa gra’/Flet i penduar 64-vjeçari shkodran

17 Shkurt 2022, 18:02 | Përditesimi i fundit: 2022-02-18 07:22:05

Historia e rrëfyer këtë të enjte në emisionin ’Pa Gjurmë’ në Report Tv është një histori e rrallë dashurie e një 64-vjeçari nga Shkodra. Me ndjenjën e shembshurisë për bashkëshorten, me të cilën nuk u nda deri ditën kur ajo ndërroi jetë dhe me pendesën e dy fëmijëve që u lindën nga një lidhje jashtëmartesore merr guximin të rrefejë jetën në një studio televizive. 64-vjeçari u martua në vitin 1977 me një vajzë nga Shkodra, me të cilën nuk mundën dot të bëheshin prindër. Ai bie në dashuri me një tjetër vajzë. Kjo histori e re dashurie zgjati plot 4 vite, periudhë gjatë së cilës ata u bënë prindër të 2 fëmijëve një djali dhe një vajze. Djali erdhi në jetë pranverën e vitit 1980 në Tiranë, por për shkak të kësaj marrëdhënie të fshehtë nëna e braktisi sapo e solli në jetë. Ajo rikthehet në Shkodër nga ku kishte ndërprerë lidhjen me babain e fëmijës. Pak kohë më pas çifti rikthehen tek njëri-tjetri, kur në jetë vjen vajza në vitin 1982, e cila 3 muajshe përfundon në jetimoren e Shkodrës. Fati i dy fëmijëve që erdhën në jetë nga kjo lidhje jashtëmartesore nuk u mësua kurrë nga babai i tyre. Ai ra në burg dhe këtu mori fund kjo dashuri e fshehtë. E vetmja grua që mbeti besnike në jetën e tij ishte bashkëshortja, me të cilën ai nuk u divorcua edhe pse nën lëkurë vuajti tradhëtinë e të shoqit. Ndërsa rrëfen këtë histori të pazakontë 64-vjeçari nuk i ndal lotët kur kujton bashkëshorten me ndjenjën e fajit që i shkaktoi dhembje pafund.