Panairi i librit, ja disa nga shkrimtarët e rinj që sfidojnë paragjykimet

19 Nëntor 2018, 15:13 | Përditesimi i fundit: 2018-11-22 09:29:21

Fundjavën që sapo kaloi kryeqyteti gëloi nga moria e njerëzve të cilët vërshuan në edicionin e 21 të Panairit Tirana 2018. Një event që bën bashkë dhjetra shtëpi botuese të cilat sjellin botimet e tyre më të reja apo më të mira për lexuesin shqiptar. Dhe ashtu si çdo vit, vëmendja u fokusua tek emrat e mëdhenj të letërsisë botërore apo shkrimtarët më në zë shqiptarë. Por veç stendave që gëluan nga projektorët, kamerat apo dhe fansat që mezi prisnin librin me autografë, dhjetra shkrimtarë të rinj shqiptarë tentuan të afrohen me lexuesin, disa prej tyre madje edhe për herë të parë. Silda Anagnosti njihet si një zë aktiv në luftën për të drejtat e grave, zgjedhjet e kaluara parlamentare madje e pamë në listën e kandidatëve të Partisë Socialiste për deputete të Tiranës. Por në këtë panair, Silda, nënë e 3 fëmijëve erdhi me një libër me poezi, të titulluar 3 sekonda para fundit, për të cilën ajo është nxitur fort nga vajza e saj e madhe.

“3 sekonda para fundit” është një libër me poezi që i kam shkruar gjatë këtyre viteve të fundit. Personi që më shtyu që ta botoja librin, është vajza ime e madhe Katerina. Ajo gjatë këtyre 2 viteve më është lututr përditë , ndaj është falë saj botimi i këtij libri. Janë poezi të cilat unë i kam shijuar shumë kur i kam shkruar dhe shpresoj që ti shijojnë po aq shumë edhe lexuesit. Titulli lidhet me përkushtimin tim ndaj grave dhe luftës kundër dhunës në familje. Kam një kapitull në këtë libër i cili i kushtohet pikërisht këtyre çështjeve. Në “3 sekonda para fundit” jam përpjekur të imagjinoj se çfarë mendon një grua e dhunuar përpara se jeta e saj të marrë fund.