Përse shqiptarët janë kaq të dhunshmëm? Sociologu Tushi: Na kanë dalë nervat në sipërfaqe

10 Janar 2019, 15:30

Rastet e shumta të raportuara nga media, veçanërisht vitet e fundit, disa prej të cilave kanë marrë dhe jetë njerëzish, vërtetojnë gjithnjë e më shumë se shqiptarët janë gjaknxehtë e të dhunshëm. Shkaqet e një zënke në familje, apo mes të afërmish dhe miqsh, mund të jenë nga më të ndryshmet, që nga më të pabesueshmet e deri tek çështjet e nderit, larjet e hesapeve apo edhe trafiku i drogës. Po përse shoqëria shqiptare është kaq e dhunshme? Shumë sociolgë e psikologë mendojnë se ka të bëjë me natyrën gjaknxehtë e aspak racionale që karakterizon shqiptarët.

Treguesit e dhunës dhe konfliktualitetit janë shumë të larta. Kam përshtypjen që kjo mund të ketë arsyet e veta që mund të jenë kulturore, historike dhe psikologjike që janë të lidhura me natyrën e shqiptarëve dhe të përgjithësi të popujve të Ballkanit që e kanë të vështirë të vetëpërmbahen dhe të bëjnë veprime racionale siç duhet. Jemi një shoqëri që kemi shumë probleme, komunikime të vështira në familje, në jetën sociale, në komunitet, në ambjentet publike e kudo.

Gëzim Tushi, sociolog

Pak kush mund ta besojë por në Shqipëri mund të vritesh edhe për një këngë. Rasti ka ndodhur në Lezhë ku një 26-vjeçar është ekzekutuar me armë zjari vetëm se urdhëroi një këngëtare tallavaje të ndërpriste këngën që atij nuk i pëlqente. Kjo këngë ishte porositur nga një grup djemsh në një tavolinë tjetër të lokalit, çka shërbeu për lindjen e një konflikti, që solli më pas vrasjen. Duket se dominimi përmes dhunës ka nisur të bëhet pjesë dalluese e shoqërisë shqiptare, veçanërisht në vitet e tranzicionit, ku mungesa e institucioneve të forta solli ekstremet e lirisë së individit.