Protesta e 16 marsit nga opozita, i ftuar Endrit Brahimllari, ish-deputet i LSI

18 Mars 2019, 11:17

Ish-deputeti i LSI-së, Endrit Brahimllari i ftuar në emisionin "45 Minuta" të Denis Mingës në Report Tv deklaroi se në datë 16 mars qytetarët do të marrin fatet e tyre në dorë për të larguar qeverinë Rama. Ai tha se pas protestës së të shtunës do të fillojnë përgatitjet për një qeveri tranzitore. I pyetur nëse Pandeli Majko, do të ishte njëri nga emrat që do të pranohej për të drejtuar këtë qeveri nëse arrihet konsensusi politik, Brahimllari u shpreh se 'Ka sinjale për zgjedhje të parakohshme parlamentare përderisa artikulohet. Mund të them se dy tre denoncime të Kryemadhit dy-tre muaj më parë u vërtetuan. Nga 16 marsi fillojnë përgatitjet për një qeveri tranzitore. Brenda PS ka socialistë shumë të ndershëm, mjafton që të ikë Rama. Unë nuk flas në emër të LSI-së. Unë kam thënë në një emision që duhet një kryeministër tjetër jo Rama, u artikulua emri i Majkos dhe thashë se është 100 herë më i mirë se nuk është i lidhur me krimin. Por Ballën, jo, ai është i lidhur si Rama". 

Report Tv publikoi mbrëmjen e djeshme një sondazh të realizuar nga "GPF Inspiring Research", ku 75% e qytetarëve shpreheshin kundër vendimit të opozitës për djegien e mandateve, ndërsa LSI-ja shënonte një rënie të dukshme krahasuar me zgjedhjet e 2017. Por si i komenton Brahimllari shifrat?  "Absolutisht kemi të dhënat tona, dhe nuk i reflektojnë, nuk dua të merrem me paragjykimet e sondazhit, por një e dhënë korrekte ka qenë komunikimi i drejtpërdrejt me qytetarët. Fryma pozitive dhe në rritje në mbarë vendin, tregon që qytetarët janë pro djegies së mandateve. Sondazhi më i mirë është ai që marrim me qytetarët në takimet e drejtpërdrejta. Nëse Rilindja ka dyshime mbi sondazhet ta dërgojë vendin në zgjedhje edhe e shikojmë. Çuditem që nuk na ka nxjerrë 3%. Sondazhi i vërtetë është ai që kemi nga komunikimi i drejtpërdrejt me qytetarët".