Receta e parë : Gulash me pulë dhe kërpudha
Përbërësit:
400 gr fileto pule
300 gr kërpudha
2 kokrra qepë
2-3 karrota
1 lugë gjelle miell
500 ml lëng pule
500 ml qumësht
100 ml pana
3 lugë gjelle vaj ulliri
Majdanoz
Kripë dhe piper i zi
Përgatitja:
1. Fillimisht lajmë, thajmë fileton e pulës dhe e presim atë në kubikë mesatarë dhe i kaurdisim me 1 lugë gjelle vaj ulliri, më pas i lëmë mënjanë.
2. Po kështu ngrohim vajin dhe pasi i kemi pastruar kërpudhat dhe prerë në feta, i kaurdisim ato deri sa të mos ketë lëng në tigan dhe i heqim mënjanë.
3. Në një tenxhere të thellë me 1 lugë gjelle vaj kaurdisim qepën të prerë në fije deri sa të zverdhet pak. Shtojmë mishin e pulës të kaurdisur më parë, kërpudhat dhe i përziejmë së bashku duke i pudrosur me 1 lugë gjelle miell. I trazojmë vazhdimisht që mielli të mos marrë ngjyrë. E shuajmë me lëngun e pulës dhe i lëmë përbërësit të ziejnë për 5 minuta . Më pas shtojmë dhe qumështin e ngrohtë dhe e lëmë të ziejë , pas 3 minutash shtojmë karrotat në kubikë dhe lëmë supën të ziejë për 10 minuta të tjera. E largojmë nga zjarri, shtojmë panën , e trazojmë ngadalë dhe rregullojmë shijen m kripë e piper. Shtojmë barqepe të grirë hollë ose majdanoz të grirë. E vendosim në zjarr sa të valojë dhe menjëherë e largojmë. Gati për tu shërbyer.