Receta e ditës - Krepa të mbushur me spinaq e vezë dhe rizoto me bizele e pancetë / Pjesa e dytë

18 Mars 2019, 09:05

Receta e dytë: Rizoto me bizele dhe pancetë

Përbërësit:

360 gr oriz

100 gr pancetë

250 gr bizele

1 litër lëng perimesh

1 lgj gjalp

2 lgj vaj ulliri

1/2 qepë e kuqe

Kripë

Përgatitja:

Fillimisht presim pançetën në shirita ose kubikë të vegjël dhe e kaurdisim atë me 1 lugë gjelle vaj ulliri deri sa ajo të marrë ngjyrë të kuqerremtë dhe të bëhet krokante. E largojmë dhe e lëmë mënjanë.

Në po atë tigan kaurdisim qepën të prerë në kubikë të vegjël deri sa të zbutet mirë. Shtojmë tek qepa gjysmën e bizeleve dhe i kaurdisim së bashku për 1 minutë, duke shtuar në tigan 1 garuzhde me lëng perimesh, kripë dhe e lëmë qepën e bizelet të ziejnë për 5 minuta.

Në një tigan të thellë vendosim gjysmën e gjalpit , 1 lugë gjelle vaj ulliri dhe sapo gjalpi të shkrijë shtojmë orizin dhe e kaurdisim atë mirë. Sa të fillojë të zverdhet pak shtojmë tek orizi lëng perimesh deri sa e mbulojmë dhe e lëmë të ziejë në temperaturë mesatare jo shumë të lartë.

Ndërkohë kalojmë bizelet në blender dhe i kthejmë në krem. Trazojmë orizin ngadalë dhe e lëmë lëngun e perimeve deri sat ë përthithet komplet nga orizi. Shtojmë kremin e bizeleve dhe e lëmë të ziejë , të përthithet nga orizi duke shtuar përsëri lëng perimesh.  Shtojmë dhe gjysmën e bizeleve dhe i lëmë deri sa të përthithet lëngu. Shtojmë gjysmën e pançetës, e përziejmë dhe në fund shtojmë gjysmën e gjalpit të mbetur. Përziejmë  lehtë dhe servirim rizoton duke vendosur mbi të përsëri pak pançetë krokante.