Receta e ditës - Tortë e ftohte me luleshtydhe dhe salmon i pjekur me mollë e qepë të njoma / Pjesa e parë

14 Shkurt 2019, 16:18

Receta e pare: Tortë e ftohtë me luleshtrydhe

Përbërësit:

700 gr luleshtrydhe

2 lgj lëng limoni

3 lgj sheqer

2 kokrra vezë

300 ml pana ëmbëlsire

100 gr sheqer

400 gr maskarpone

4 gr xhelatinë

400 gr biskota

Përgatitja:

Pastrojmë fillimisht luleshtrydhet, ruajmë 7 copë për dekor dhe pjesën tjetër e presim në copëza të vogla, të cilat i vendosim në një tenxhere ku shtojmë 2-3 lgj lëng limoni dhe 3 lugë sheqer.  E vendosim tenxheren në zjarr dhe i lemë luleshtrydhet të marrin valë për 3 minuta.

Ndërkohë ndajmë të verdhat veç nga të bardhat e vezëve. Rrahim të bardhat e vezëve duke i bërë marengë. Gjithashtu dhe panën e kthejmë në gjendje të ngurtë duke e rrahur me mikser.

Të verdhat e vezëve i rrahim me 100 gr sheqer. Më pas shtojmë tek të verdhat e vezëve maskarponen dhe panën e rrahur. I trazojmë mirë me mikser dhe në fund shtojmë marengën duke e trazuar me një spatul derisa të përftohet një krem homogjen.

Vendosim dy fletë xhelatine të vogla në ujë të ftohtë për t’u zbutur. Sapo të zbutet e vendosim në një xhezve me 1 lugë gjelle ujë dhe e lemë të ngrohet derisa xhelatina të shkrijë plotësisht në lëng. E largojmë nga zjarri, e lemë sa ti bie pak nxehtësia dhe më pas e shtojmë tek kremi i përgatitur.

Presim disa biskota sa është lartësia e tavës së kekut (duhet të jetë një tepsi unazë me hapje) duke i llogaritur që do të vendosen njëra pas tjetrës për të rrethuar tavën (duhet të jenë rreth 22 biskota). E rrethojmë tavën me biskota duke i vendosur ato vertikalisht dhe prerja të jetë e vendosur poshtë. Më pas shtrojmë bazën e tavës me biskota dhe i lagim ato me lëngun me luleshtrydhe. Më pas shtrojmë një shtresë me krem të bardhë, përsëri luleshtrydhe , përsëri një shtresë krem. E vendosim tortën më pas të ftohet për 3 orë në frigorifer.

Më pas hapim tavën dhe largojmë unazën e tavës. Vendosim në mes të tortës disa luleshtrydhe të freskëta dhe e zbukurojmë me pak krem me anë të një xhepi pastiçerie ku bëjmë disa trëndafila rreth e përqark. Në fund lidhim rreth tortës (tek pjesa e biskotave) një fjongo për ta zbukuruar atë në raste festive.