Republika e Re, i ftuar akademiku Artan Fuga / Pjesa e dytë

22 Shkurt 2019, 15:24 | Përditesimi i fundit: 2019-02-22 15:25:06

Akademik Artan Fuga ka qenë sot në studion e emisionit 45 Minuta në Report Tv, me gazetarin Denis Minga, ku foli për vendimin e opozitës për djegien e mandateve dhe për lëvizjen që mund të zgjidhë këtë ngërç politik.

Ai tha se opozita shkoi drejt këtij vendimi pasi nuk ka mundësi që të moderojë qëndrimin e qeverisë dhe kjo vjen për shkak të sistemit i cili gjithmonë favorizon partinë në pushtet.

"Opozita sot ka një të drejtë pasi nuk ka mundësi të moderojë qëndrimin e qeverisë,për arsye se sistemi është i tillë. Ky është problem i sistemit pasi të njëjtën gjë ka ndodhur edhe në pushetin e mëparshëm. Edhe PS në opozitë ka qenë në të njëjtën situatë. Opozita në sallën e kuvendit ka vetëm lirinë e fjalës. Opozita po të shkojë në këtë mënyrë në zgjedhjet lokale do humbasë, për shkak se administrata është e politizuar dhe pala tjetër ka në dorë mundësi për të bërë grupime jo transparente. Problemi është që modeli politik shqiptar e ka prodhuar gjithë kohën këtë problemi. Kryeministri në Shqipëri ka në dorë të gjitha pushtetet"

Fuga tha se zgjidhja do të vijë vetëm nëse dy palët do të ulen në tavolinën e negocimit duke lënë mënjëanë ofendimet të cilat nuk i shërbejnë popullit.