Rritja e krimeve para zgjedhjeve, specialisti i policisë: Luftohet me strategji pozitë-opozitë

6 Maj 2021, 23:24

Para zgjedhjeve, gjithnjë ka rritje të dhunës dhe të krimit. Këtë mendon specialisti i policisë, Fatjon Softa. Eksponentët kriminal përfitojnë nga zhvendosja e vëmendjes së policisë tek zgjedhjet.

'Vetë policia në ruajtjen e mitingjeve, përqendrimi tek kutitë e votimit, mbrojtja e qendrave të votimit, vendosja e ushtrisë në institucionet e rëndësisë së veçantë dhe përqendrimi i policisë në procesin zgjedhor, janë elementë që krimi gjithmonë i përdorë.'- thotë Softa.

Ka kohë që flitet për krim të sofistikuar në Shqipëri dhe me shtrirje ndërkombëtare. Softa e shikon të vështirë përballjen e policisë me të. 

'Pa një mbështetje politike, pa mbështetje të ndryshme është shumë e vështirë që të operosh, sepse ato kanë një bazë ekonomike, kanë llogaritë e tyre, kanë një bazë ku bëjnë pastrimin e parasë dhe lidhjet e tyre. Pra, ato organizohen në sytë tanë, në mesin e jetës së përditshme.'- thotë më tej ai.

Pak javë më parë policia goditi disa grupe kriminale dhe sekuestroi arsenal të madh armatimesh. Operacioni ishte sukses, por a ka akoma baza armësh?

'Ky është një problem për t’u marrë seriozisht. Unë mendoj se nuk është baza e vetme. Shqipëria është pjesë dhe duhet të ushtrohet një kontroll i fortë në territori.'- tha Softa.

Si mund të luftohet krimi i organizuar?

'Bashkëpunim midis opozitës dhe pozitës mbi bazën e një strategjie se si mund të luftohet ajo që ne na shqetëson në mënyrë të përbashkët.' - u shpreh eksperti i policisë.

Policia dhe komuniteti, hallkë kyçe për sukses kundër krimit.

'Nuk është në nivelin e duhur, sepse bashkëpunimi në komunitet do të thotë të punosh me komunitetin.'- tha Softa.

Në vetëm katër muajt e parë të 2021 në të gjithë vendin janë vrarë 20 persona, një pjesë e të cilëve në atentate të mirëfillta mafioze.