Sfida për Tiranën, i ftuar kandidati i BD për kryebashkiak Arben Skënderi

27 Qershor 2019, 13:58

Një Tiranë e ndarë në blloqe të ndryshme, ku çdo qytetarë do të ketë mundësinë të zgjedhë vetë se në cilën zonë dëshiron që të jetojë, në varësi të kërkesave. Ky është koncepti i kandidatit të partisë Bindja Demokratike për Tiranën, Arben Skënderi, nëse triumfon në zgjedhjet e 30 qershorit përballë kryebashkiakut aktual, Erion Veliaj.

I ftuar në studion e emisionit "45 minuta", Skënderi deklaroi se plani i tij është që Tirana të ndahet në disa zona të caktuar, që do të ofrojnë shërbime të ndryshme për kryeqytetin; Tirana historike, e biznesit, e qetësisë, ndërsa tha se nëse do fitojë mandatin, autostrada nga ish-sheshi "Shqiponja" deri tek kthesa e Rinasit, do të jetë një bulevard i madh, ku do të ketë një ndërveprim mes njerëzve dhe bizneseve përgjatë kësaj rruge.

"Tirana historike, do ruajmë në maksimum këto element. T'i kthejmë në zona që frekuentohen nga turistët. Në fund të bulevardit të ri aty do të bëhet  lagjja e biznesit, aty le të bëhen kulla 100 katëshe, do të quhet ndryshe Tirana e inovacionit.  Nga ish-sheshi  "Shqiponja" te kthesa e Rinasit, bizneset më të mëdha janë të përqendruara aty. Nuk do jetë më autostradë, por bulevard i madh me shatërvanë, se duhet të jenë në shërbim dhe të ndërveprojnë me njëra-tjetrën. Tirana e qetësisë. Me vila të thjeshta, jo geto pasanikësh. Mes natyrës dhe gjelbërimit, të frekuentuara nga njerëz të thjeshtë, me çmime modeste", u shpreh Skënderi.