Skandal në Pogradec/Drogojnë dhe shfrytëzojnë 9-vjeçarin, nëna në 'Pa Gjurmë' denoncon trafikantët

15 Korrik 2021, 18:03

Elca Vako një 31-vjeçare nga Pogradeci nënë e tre fëmijëve e ftuar në emisionin ’Pa Gjurmë’ në Report TV rrëfeu me dhembje dramën e djalit 12 vjec, i cili ka rënë pre i lëndëve narkotike. Ajo i drejtohet emisionit ’Pa Gjurmë’ në Report TV nga ku bën apel për ndihmë, për të gjetur një zgjidhje për të birin, që shfrytëzohet edhe nga disa persona si shpërndarës i lëndës narkotike. S.V la shkollën, kur për herë të parë u bë përdorues i drogës në moshën 9-vjeçare, kur u përjashtua edhe nga shkolla. I rritur në një familje me plagë të rënda sociale, i mituri u braktis nga babai biologjik që kur erdhi në jetë. Nëna 18 vjece me të birin përfunduar mes katër rrugëve. Për shkak të rrethanave në të cilat u gjend Elca vendosi të martohet me Nikolla Prrenjasi edhe pse ai kishte probleme të shëndetit mendor, ndërsa solli në jetë edhe dy vajza. Me kalimin e viteve, problemet në familje u thelluan edhe më shumë, kur pas përjashtimit nga shkolla djali u largua edhe nga shtëpia. Nëna rrëfen përjetimet nga frika që ka për të birin, duke fajësuar edhe veten për rrugën që ai ka marr. Për ditë me radhë i biri largohet nga shtëpia pa dhënë asnjë destinacion. Mungesa e një familje solide, por edhe mungesa e vëmendjes nga institucionet ka ndikuar jo pak në sjelljet e një djali tashmë problematik në prag të adoleshencës. 12-vjecari merr drogë edhe në sy të familjarëve, madje nxjerr në rrugë për të lypur edhe dy motrat e vogla 9 dhe 5 vjeçare, ndërsa kjo situatë e pazakontë në familje është kthyer në shqetësim për nënën, që e ka të pamundur ta ketë nën kontroll.