Të ndjekësh diskun fluturues, “Frisbee” loja më e re në qytet

20 Nëntor 2018, 16:58

Ishte pikërisht viti 1968 kur Joel Silver i propozoi këshillit studentor të shkollës së mesme në Kolumbi një lojë krejtësisht të re me një disk fluturues. E sot 50 vjet me vonë, në një prej fushave sportive të Tiranës, shohim që kjo lojë ka filluar të pëlqehet edhe në vendin tonë.

Ky sport, ashtu si të gjitha sportet me disqe, nuk mund të ekzistonte pa praninë e një disku fluturues, ose siç tashmë e njohin të gjithë “Frisbee”. Materiali i tij në fillimet e hershme ka qenë prej metali dhe mund të hidhej  vetëm në distanca të shkurtra. E ndërsa vite me vonë Fred Morrison e modifikoi diskun duke bërë një të tillë me material plastik, gjithçka dukej më e lehtë dhe loja mori një tjetër zhvillim. Emri frisbee erdhi nga studentët e Yale dhe Harvard , pasi kështu e quanin ata lodrën e re. Por si erdhi kjo lojë në Shqipëri dhe si u formua një grup i tillë në vendin tonë , këtë na e tregon Eni. Ajo është bankiere në profesion, por e dashuron këtë lojë, sportet në përgjithësi dhe natyrën. Vite me parë disa të huaj ia mësuan asaj rregullat e Frisbeet, ndërsa sot, është Eni ajo që ia kultivon kënaqësinë për këtë lojë të rinjve të tjerë.

Loja duket e vrullshme. Lojtarët ndahen në 2 skuadra dhe përpiqen që të fitojnë sa më shumë pikë. Energjitë e harxhuara janë të shumta, edhe kënaqësia e marrë po ashtu. Këtë e tregojnë vetë pjesëtarët e lojës, të cilët gjatë jetës së përditshme kryejnë punë të ndryshme dhe këtë lojë  e shohin si një argëtim që i tejkalon muret e mbyllura të zyrës.

Programe të tjera