Të shëtisësh Botën, hobi apo edhe një mënyrë jetese - Të ftuara ekpertja e kroçiereve Delinda Muçollari dhe Sabina Seferi, autore e një libri turistik

18 Janar 2019, 10:38

Të braktisësh gjithçka dhe të nisësh të udhëtosh nëpër botë. Kjo është padyshim një ëndërr për miliona njerëz në mbarë globin. Shumë e kanë bërë këtë, e disa kanë arritur ta shndërrojnë këtë aventurë në një mënyrë për të fituar para. Tendenca ka nisur tashmë edhe në Shqipëri, veçanërisht nga të rinj dhe të reja që kanë nisur të eksplorojnë botën e ta shndërrojnë pasionin e tyre në një mënyrë jetese e madje edhe në profesion.

2 prej tyre, Delinda dhe Sabina ishin të ftuara sot në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, ku ndanë eksperiencat e tyre të veçanta.

E diplomuar për gazetari, Delinda Muçollari vendosi 3 vjet më parë të ndjekë ëndrrën e saj për të shëtitur në Mesdhe, pa e ditur se do të niste një aventurë që do ta çonte në 35 vende të botës duke punuar në një anije krocierë.

Për të udhëtuar mjafton vetëm të duash sepse ka shumë mënyra kur je i ri, njerëzit të thërrasin në fakt që të shkosh. Për mua nisi si një hobi, doja vetëm një eksperiencë disa mujore në Mesdhe dhe përfundoi që u bë puna ime për 3 vite.

Delinda Muçollari

Ndërsa Sabina Seferi, e apasionuar pas spiritualizmit zgjodhi vendet aziatike të cilat shquhen për filozofonë e tyre spirituale. Ajo shfrytëzoi mundësinë duke gjetur një shkollë 1 vjeçare për gjuhën kineze, duke e nisur aventurën e saj në Kinë, e më pas në Korenë e jugut, Malajzi dhe Indonezi.

Unë vij nga një familje e thjeshtë shqiptare kështuqë kur ja kam dalë unë, besoj mund t'ia dalë kushdo. Kam marrë çdo lloj mundësie që më është dhënë për të udhëtuar sepse kur udhëton ti zhvillohesh më tepër sesa kur qëndron brenda zonës tënde të komfortit.

Sabina Seferi