Tolerancë apo harmoni fetare në Shqipëri?

10 Janar 2022, 12:32 | Përditesimi i fundit: 2022-01-10 12:32:24

Udhëheqësit e besimeve fetare nuk vendosin shenjën e barazimit midis këtyre dy termave. Ata përzgjedhin të mos nënvizohet toleranca por haromonia dhe bashkëekzistenca midis besimeve, vlerë për të cilën Shqipëria është referuar si shembull për t’u ndjekur nga vendet më të zhvilluara në botë.

"Jo tolerancë, por të jemi në harmoni të plotë, në dialog të plotë me njëri tjetrin" nënvizoi kryetari i Komitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu.

 “Dua të filloj duke thënë se mua nuk më pëlqen fjala tolerancë. Është pak negative të themi të duroj, të toleroj. Në fakt këtu mund të flasim më shumë se tolerancë,  është një harmoni nder fetare. Ne këtu mburremi për këtë fakt.” u shpreh Imzot George Frendo, Arqipeshkëv Metropolit i Tiranë-Durrës në ikje.

At Gregor Pelushi, përfaqësues i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë u shpreh se:

"Lavdi Zotit ne jetojmë në një vend ku një nga vlerat më të mëdha është harmoia, toleranca,bashkëekzistenca, bashkëjetesa fetare midis komuniteteve"

Edhe Kryegjyshi botëror i bektashinjve, Baba Edmond Brahimaj ndan të njëjtin mendim:

"Ne nuk do të themi tolerancë, por do të themi bashkëjetesë dhe harmoni"

Pikëpyetja e rradhës që kërkon përgjigje nga udhëheqësit e besimeve fetare është ndarja midis harmonisë fetare dhe indiferencës ndaj besimeve e trashëguar kryesisht pas periudhës komuniste.

 

 

"Është një tezë që ekziston në Shqipëri, por unë nuk i bashkohem. Shqiptarët si njerëz e si komb kanë ditur gjithomë ta tolerojnë njëri-tjetrin" tha kryetari i Komitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu.

"Mua nuk më rezulton që nuk janë fetarë shqiptarët. Ata kanë besuar historikisht, këtë e tregon edhe fakti që mes tyre kanë dalë edhe njerëz të mëdhenj të fesë, të cilët ne disa prej tyre i quajmë edhe shenjtorë. “ u shpreh At Gregor Pelushi, përfaqësues i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

“Është një traditë shumë shekullore, jo pasojë e komunizmit që të bëhemi të gjithë krerët e besimeve bashkë” sipas Imzot George Frendo, Arqipeshkëv Metropolit i Tiranë-Durrës në ikje.

"Shqiptarët e kanë në gen këtë paqe, dashuri e bashkëjetesë. Jemi të vetmit në botë që martohemi midis besimeve fetare" vuri në dukje Baba Edmond Brahimaj Kryegji Botëror i Bektashinjve.

Pavarësisht termit, shqiptarët  kanë ditur të zgjedhin gjithmonë të mesmen e artë qofshin myslimanë apo të krishterë. Shprehja e Vaso Pashës, “ Feja e shqiptarit është shqiptaria”  i ka karakterizuar jo thjesht si nacionalistë por si njerëz që udhëheqësit politikë nuk kanë mundur t’ia manipulojnë besimin për qëllimet e tyre siç ka ndodhur në shumë vende ku luftërat kanë marrë një fizionomi pseudo-fetare. Në këtë përfundim kanë arritur edhe drejtuesit e komuniteteve fetare në Shqipëri.

 “Në 2008 kam pasur fatin që në Strasburg të flas për këtë. Më kanë pyetur se pse nuk është problem pluralizmi ndërfetar? Unë u përgjigja se në fakt po. Besimet janë më të lehta të manipulohen nga politikanët. Atëherë bëhet rrezik vërtetë. Ne kemi pasur fatin se politikanët nuk kanë përdorur besimet për qëllime politike.” u shpreh Imzot George Frendo, Arqipeshkëv Metropolit i Tiranë-Durrës në ikje.

"Në përgjithësi politikanët më parë nuk ka qenë tolerante. Ata janë marrë me materien. Ndërsa ne merremi me shpirtin" thotë Baba Edmond Brahimaj Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve.