U nis për të kërkuar shokun,vlonjati humb pa gjurmë/Flet ekskluzivisht dëshmitari

8 Mars 2022, 19:38

Ishte hera e tretë që emigronte drejt Greqisë, kur 33-vjeçari Ëngjëll Hyka humbi gjurmët në moshën 33-vjeçare. Kësaj here jo për të punuar, por për të gjetur shokun e tij Arbenin. Djali nga fshati Frakull i Fierit kishte rrezikuar jo pak jetën, ndërsa kishte përshkruar disa herë në këmbë rrugën drejt shtetit grek. Me Arbenin në qershor të vitit 1991 teksa tentonin të kalonin kufirin, të rinjtë pikasen nga policia dhe dy të rinjtë humbin njëri-tjetrin në mes të pyllit. Ëngjëlli arrin të kthehet pranë familjes, por me kokën pas . Ai dyshonte se policia greke kishte qëlluar mbi Arbenin, ndaj për këtë arsye gjendja e tij mendore u përkeqësua. Ai fajësonte vehten se nuk kishte mundur të zbulonte asgjë për fatin e shokut të tij, ndaj për disa ditë me radhë ai u ngujua në banesë, pasi kishte ndrojtje të përballej me familjen e bashkfshatarit të tij. Pak ditë më vonë në fund të qershorit të vitit 1991, Ëngjëll niset sërish drejt Greqisë në kërkim të Arbenit. “Unë do të iki të gjej Arbenin” Ishin këto fjalët e fundit që Ëngjëlli tha në familje para se të zhdukej. Dy shokët nuk u takuan më, por as nuk mësuan për fatin e njëri-tjetrit. 8 muaj më pas, në shkurt të vitit 1992 për habi të familjarëve Arbeni u kthye në shtëpi, ndërsa Ëngjëlli u zhduk. I fundit që e ka parë djalin nga Fieri është Mynyr Kodheli një tjetër bashkëfshatar i tij. Ky i fundit pretendon se kanë punuar bashkë për afro 10 ditët e para të korrikut 1991 në fshatin Rrapëz, Komuna Perdhika, në Igumenicë. Pasi është kthyer në Shqipëri Mynyri u ka pohuar familjarëve të Ëngjëllit se ai i kishte pohuar largimin e tij drejt Athinës, me dy shokë të ushtrisë, Artur Alikaj dhe Arjan Çobaj. Me këta të fundit familjarët nuk kanë mundur të vihen në kontakt. Pikëpyetje të mëdha ngre sot e kësaj ditë zhdukja e të riut nga Fieri.