Vajzat futbolliste, mes sfidave dhe pasionit

3 Shkurt 2020, 12:34 | Përditesimi i fundit: 2020-02-03 14:01:02

Kur flitet për futboll, njerëzit mbushin stadiumet plot dhe zemrat ngrihen peshë.

Megjithatë, një nga sfidat kryesore të këtij sporti është që stadiumet të mbushen plot edhe kur në fushë janë vajzat futbolliste.

Kjo sfidë bëhet edhe më e thellë kur realiteti prek Shqipërinë, një vend që vetëm vitet e fundit po bën hapa konkretë për të mbështetur vajzat në luftën e tyre për të bërë futboll të vërtetë.

Një nga këto skuadra edhe pikërisht ajo e Tiranës, ku po bëhen përpjekje të pandashme për të patur një skuadër, që thyerjen e rekordeve ta ketë pjesë të historisë.

Një histori suksesi e lidh këtë skuadër me vitet e ndërtimit të saj.

Në 2020, drejtimi i kësaj skuadre i është besuar Petrit Haxhias, një njeriu që jetën e ka kaluar në shërbim të futbollit, këtë herë futbollit të femrave.

Pas një cikli të gjatë të karrierës sime, kthehem në futbollin e vajzave, një projekt i madh që mbështetet edhe nga WEFA e FIFA. Është kënaqësi dhe shoh inteligjencë e disiplinë. Megjithatë edhe në futbollin botëror, edhe këtu vajzat po zhvillojnë futboll të madh.” shprehet trajneri i skuadrës së Tiranës.

Për mjeshtrin e futbollit disiplina është kyçi per qe vajze te jete futbolliste e mire.

“Baza janë vetë individët që bëjnë grupet dhe duke patur dëshirën e pasionin, arrijmë të bëjmë punë të mira."

Për vetë vajzat, ka qenë pasioni ai që ka mbizotëruar mbi vështirësitë.

Erjola Mema, kapitene e skuadrës AS Tirana na tregon se ka nisur që në moshë të vogël të prekë magjinë e fushës së blertë dhe drejt kësaj rruge e shtyu babai i saj.

“Ka qenë dëshirë e imja, por edhe shtysë nga babai pasi ka pas luajtur edhe vetë. Në fillim nisa të luaja me djemtë, pasi nuk kishte shkuadër për vajzat, ndërkohë kam dhjetë vite me Tiranën. Pasioni, grupi na bën të ndihemi mirë, por kushtet në Shqipëri janë pak të vështira.” shprehet kapitenia Erjola Mema.

Të njëjtin rrugëtim si Erjola ka ndjekur edhe Sabina Kasa, e cila thotë se ka nisur fillimisht të luante futboll me djemtë.

Kam nisur që 10 vjeç të luaj futboll. E shoh sikur ka lindur bashkë me mua futbolli. Kam dy vite që luaj me AS Tiranën dhe ndihem shumë mirë.” thotë Sabina.

Vajzat thotë se krahas dëshirës, disiplina është çelësi që do i bëjë ato të kenë sukses.

Ndërkohë vizita jonë në seancën e stërvitjes së tyre mbyllet me premtimin e trajnerit Petrit Haxhia që premton: “Kjo skuadër do dhurojë spektakël”!