Vangjeli: Naivitet kriminal të mendosh se drejtësia e re do të ndryshonte klasën politike në vend

11 Korrik 2022, 20:01

Sipas Vangjelit, kjo lidhet me ndarjen e pushteteve dhe se politika ndryshohet vetëm përmes zgjedhjeve. Vangjeli tha se drejtësia godet individin apo fenomenin, por jo të bëhet pjesë e lëvizjeve politike.

Sipas tij, kjo lidhet me ndarjen e pushteteve dhe se politika ndryshohet vetëm përmes zgjedhjeve. Vangjeli tha se drejtësia godet individin apo fenomenin, por jo të bëhet pjesë e lëvizjeve politike.

“Është kriminale të mendosh se drejtësia e re, qoftë edhe ajo hyjnore, do të ndreqë apo do të ndihmojë në përmirësimin e klasës politike. Sepse bie ndesh me ndarjen e pushteteve. Do ishte më e dëmshme të ndërhynte drejtësia në korrigjimin e klasës politike, sesa një klasë politike e keqe. Drejtësia godet individin, fenomenin. Politika vetërregullohet përmes sistemit të votës dhe kjo është thelbësore. 

Vetëm ata që nuk e duan këtë vend e kanë artikuluar këtë dhe e kanë besuar naivët. Jo, drejtësia dhe politika janë dy pushtete të ndara. Do të godasë për shembull ministra të caktuar dhe kjo mund të sjellë mundësinë e përmbysjes së një qeverie dhe të zgjedhjeve të parakohshme. Por nuk ka gjë më të tmerrshme sesa një drejtësi me prapavijë politike. Në Italinë e 30 viteve më përpara ndodhi një gjë e tillë, shumë më e zbutur se kjo që themi sot. Gjyqtarët heronj u shndërruan në klasë politike dhe s’e bënë Italinë as më të mirë, as më të ndershme. 

Imagjinoni se çfarë mund të ndodhë në një vend të varfër si Shqipëria. Është ende shpejt, por s’është vonë për të parandaluar të ligët” – tha Lorenc Vangjeli.