‘Vëllai më dhunoi për nusen, ajo na shkatërroi’/Përplasja:Je motër mashtruese,gruaja ime…

27 Janar 2025, 18:14 | Përditesimi: 27 Janar 2025, 18:14

Një rrugë është bërë mollë sherri për një motër dhe vëlla ku shpesh ky konflikt ka degjeneruar edhe në dhunë fizike mes tyre. Rasti i sotëm do të denoncohet nga çifti Rrushi me vendbanim në Vlorë të cilët nuk po gjejnë dot zgjidhje për këtë problem tepër madhor që i shqetëson. Bëhet fjalë për një tokë të blerë në vitin 1995 nga çifti Dallëndyshe dhe Nikollaq Rrushi, prindër të 3 djemve të cilët asokohe jetonin në Fier. Ata ndërtuan një shtëpi në Vlorë, në tokën që blenë ndërsa gjithashtu i bënë shtëpi edhe vëllait të Dallëndyshes, Flamur Nazajt, me qëllim për ta ndihmuar. Në çertifikatën e pronësisë rezulton që rruga e shtëpisë së Flamurit ndodhet në krahun tjetër të banesës dhe jo në pjesën e Dallëndyshes ndërkohë që në realitet ka ndodhur e kundërta. Rruga ku duhet të ishte është zënë nga një fqinj ku ka mbjellë ndërsa, rrugën Flamuri e ka bërë në pjesën e motrës së tij, duke i hyrë në pronë. Çifti Rrushi kanë bërë kërkesë për leje në bashki për të kufizuar pronën, por pa rezultat pasi kanë hasur shumë pengesa edhe nga institucionet. Për shkak të dhunës së vazhdueshme nga i vëllai, Dallëndyshja ka bërë denoncime edhe në komisariatin e Vlorës por pa asnjë rezultat, dhe ajo çka e bën edhe më të rëndë është fakti që sipas saj uniformat blu tallen me të dhe nuk kanë marrë asnjë masë. Rrëfimi i 64-vjeçares shkon edhe përtej normales kur tregon se i vëllai përveçse e ka dhunuar fizikisht, ka tentuar edhe ta shtypë me makinë korrikun e vitit të kaluar.

r.k./Shqiptarja.com