Zgjedhja e Presidentit të ri, Mediu: Në raundin e parë nuk priten emra kandidatësh

13 Maj 2022, 19:49

Kryerepublikani Fatmir Mediu tha të premten se opozita duhet të gjejë njëherë emra konsensualë brenda saj sa i përket presidentit të ri. Ai shtoi për ‘Kontrast’ në Report TV se edhe nëse PD nuk do të propozojë një emër, deputetët e saj të mbështesin propozimet e partive të tjera opozitare.

“Nëse ne si opozitë duam të propozojmë figura që kanë mundësi reale të zgjidhen. Duhet të dalim me emra që kanë një impakt në shoqëri dhe kjo do ta vendosë në pozitë Ramën dhe mazhorancën. Ne e kemi propozuar zotin Ismail Kadare në 2007, por nuk ka pranuar. Procesi ka qenë nga më korrektët. Megjithatë unë them që opozita jo në kafe, por të ulet në mënyrë formale dhe të përcaktojë kandidaturat. Edhe nëse nuk mundet PD, mundemi ne partitë e tjera të sigurojmë kandidaturat dhe të marrin mbështetjen e deputetëve” – tha kreu i PR.