Zhduket në Festën e Flamurit nga Vlora 17-vjeçari Saimir Pashaj

1 Dhjetor 2021, 18:49

Një 17-vjecar nga Vlora rezulton i humbur që prej datës 28 nëntor të këtij viti. Ka qenë e papritur zhdukja e të riut për familjarët. Ai doli nga shtëpia në lagjen ’Partizani’ të shtunën e kaluar, për të konsumuar kafenë e mëngjesit, para se të nisej për në punë, aty ku dilte gjithnjë në sheshin 'Omonia' të qytetit të Vlorës. Vonesa e tij alarmoi familjarët të cilët kanë bërë denoncimin në polici, ndërsa më herët Saimiri i kishte shprehur të motrës se donte të largohej drejt qytetit të Sarandës për të kërkuar punë. Bazuar nga kjo e dhënë, familjarët kanë bërë kërkime edhe në këtë qytet, por fatkeqësisht nuk janë gjetur gjurmë të 17-vjeçarit. Ditën që u largua kishte të veshur një pulovër ngjyrë e bardhë, një palë tuta të zeza dhe një xhup të zi. Me vete ka marrë vetëm kartën e identitetit dhe një 5 mijë lekë të vjetra, ndërsa aparatin celular e ka lënë në shtëpi. Në dijeni të familjarëve Saimiri nuk kishte patur konflikte me askënd, ndërsa njihet si një djalë i qetë dhe punëtor. Këtë pasdite do të jemi në kërkim të Saimirit, një nga 6 fëmijët e familjes Pashaj, të cilët kanë kërkuar ndihmën e emisionit 'Pa Gjurmë' për gjetjen e tij.