POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

A u largua Ditmir Bushati nga posti për shkak se kundërshtoi ndarjen e Kosovës?

Ditmir Bushati

Ishte një tallje e radhës e Edi Ramës. Kur njoftoi se nga posti i ministrit të Jashtëm do ta largonte Ditmir Bushatin, Rama tha se ka ardhur koha që Bushati t’i përkushtohet Shkodrës. Bushati me sa duket e parandiente se shefi i tij i deritanishëm do të tallej, andaj para se të merrte fermanin fatal shpërndau një video mbi një aktivitet të tij social në Shkodër.

Momenti i largimit të Bushatit, i cili së paku ka një përvojë në diplomaci, është indikativ: po ndodh në prag të fillimit të një procesi shumë të paqartë për të ardhmen e Kosovës, një proces ku Kosovën e ka futur presidenti i saj – me përkrahjen herë diskrete dhe herë jo aq diskrete edhe nga Edi Rama. Largimi i Bushatit po ndodh në fund të një viti mjaft intensiv në raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë. Intensiv nuk domethënë edhe produktiv.

Ka disa indikacione që tregojnë se Ramës assesi nuk ka mundur t’i pëlqejë refuzimi i Bushatit për të qenë pjesë e debateve për «ndarjen e Kosovës», «shkëmbimin e territoreve», «korrigjimin e kufijve». Kur gjatë verës kryetari i Kosovës filloi një fushatë agresive me konferenca për shtyp, intervista konfuze e premtime megalomane («do ta marrim krejt Luginën e Preshevës»), heshtja e Ramës u vërejt edhe në zyrat e shumë ministrive të Jashtme të vendeve të BE-së. Heshtja interpretohej si miratim i ideve për ndarjen e Kosovës që kanë diskutuar presidentët e Serbisë dhe Kosovës në takime sekrete dhe jo aq sekrete nëpër dynja. Përse nuk fliste Edi Rama lidhur me propozimet për ndarjen e Kosovës? Nuk ishte kjo vetëm pyetje e njerëzve në Prishtinë.

Ndërsa Rama heshtte, në fund të gushtit Ditmir Bushati i dha një intervistë gazetës «Panorama», ku qartë kundërshtonte planet e presidentit të Kosovës – dhe njëkohësisht godiste edhe shefin e tij në Tiranë, Edi Ramën. «Nuk kemi pse shpenzojmë energji me mënyrën se si do të kompensohet Serbia në këmbim të njohjes së Kosovës», thoshte Bushati. Dhe vazhdonte: «Për Shqipërinë dhe aleatët e Kosovës, statusi i Kosovës është çështje e mbyllur dhe pavarësia e saj e pakthyeshme. Prandaj duhet të mbështetemi tek ato parime themelore që sigurojnë paqen dhe stabilitetin demokratik në rajon. Vështruar në këtë prizëm, statusi i Kosovës nuk mund të rihapet as në format dypalësh e as shumëpalësh. E aq më tepër të bëhet objekt krahasimi me raste të tjera të kthyera në ‘konflikte të ngrira’, si pasojë e tolerimit të ‘parimit të rivendosjes’, çka do t’i dhuronte mundësinë për depërtim aktorëve të tretë në Kosovë dhe rajon». Aktorët e tretë është një eufemizëm për Rusinë.

Intervista e Bushatit dhënë «Panoramës» është interesante jo vetëm për shkak të sfidimit të Ramës. Ishte hera e parë pas shumë vitesh që një politikan socialist si Bushati pajtohej me Sali Berishën sa i përket Kosovës. Berisha ka kundërshtuar në vazhdimësi ndarjen e Kosovës. Këtë ai e ka bërë shpesh me gjuhën e tij arkaike, të vrazhdë. Kritikat e Berishës ia humbën orientimin aq shumë kryetarit të Kosovës, saqë në fillim të gushtit ai doli e tha se Berisha e ka strehuar Bin Ladenin. Ishte njëra prej atyre përrallave të kalbura që kryetari i Kosovës i hedh në profilin e tij në Facebook, pastaj kur e sheh marrëzinë që ka bërë dhe kur gazetari ia përkujton, ai si të ishte një robot bërtet: «Po rren, pse po rren, rrenë, shpifje, rrenë». Kush po rren?

Ministri i deritanishëm i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, nuk përflitej për afera korruptive. Me sa duket edhe ai ka rënë viktimë e përpjekjes së dëshpëruar të shefit të tij që përmes arnimeve, zëvendësimeve me zëvendësues, emërimeve folklorike ta shtyjë edhe ca kohë në pushtet. Kur ndërrohen gati të gjithë anëtarët e kabinetit, a ka kuptim që të mbesë aty ai që ka qenë shef i tyre? Ai që e ka pasur obligim të udhëheq si duhet një ekip dhe jo vetëm të harxhojë gati krejt energjinë në llafe të hedhura në mediat sociale. Ndryshimet e sotme në qeverinë socialiste në Tiranë nuk janë shenjë e forcimit, por e dobësimit të Edi Ramës. Janë edhe shenjë se brenda Partisë Socialiste shumica e kanë kuptuar dobësimin dhe për të mos rrezikuar pushtetin, askush s’ka guxim të kundërshtojë. Por, ky nuk është vetëm fenomen shqiptar. Është gjithandej në Ballkan.

Një ndryshim paralajmërues në qeverinë e Edi Ramës ka ndodhur para dy muajsh: Hajrullah Çeku, i cili nuk i takon klasës së dallaveraxhinjve të politikës, i tha lamtumirë kabinetit qeveritar në Tiranë. Me gjasë e dinte se anija ishte futur në ujëra të rrezikshme. Dhe kapiteni s’e mbante më kursin. Po të kishte qëndruar, Rama sot mund ta bënte ministër – sa për efekt folklorik. Por, edhe në shoqërinë shqiptare ka njerëz që më shumë u pëlqen muzika rock se folklori politik/ dialogplus

d.ba./
Komento

Komente

  • Proka: 29/12/2018 11:23

    Nese zot Bushati u largua nga ministria per shkak se mbrojti mosndarjen e Kosoves atehere zot. Rama KM eshte krimineli me i madh Shqiptare se bashku me zot. Thaqi.Kosova mbijetoi 141 vite terrorin serv,e tani ne liri te falim territore shkijeve per te kenaqur interesat Ruse kjo eshte tradheti Kombtare. Nese nuk mundemi Shqiptare te mbetemi mbi dhe,Shqiptare te hyme nen dhe. BRAVO zot. BUSHATI, FISHTA eshte me ty, do ndjehej krenare me veprimin tend te drejte te ceshtjes Komtare.

    Përgjigju
  • Dobraçi: 29/12/2018 01:36

    Ditmir po tani ku do e gjesh mbeshtetjen politike te nxjerresh nga burgu shoket e dobraçit( bajret), hap syte a ditezi se premtove shume por mbajte nje zero, hajde te shtunen ne shkoder se kemi muzik live e na duhet nje valltar meqe ngele pa pune

    Përgjigju