PD-LSI duan shkarkimin e Xhafajt, Basha: Europa ta dijë, kjo qeveri nuk përfaqëson popullin

Opozita protestoi në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ku kërkoi dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ndërkohë që ra në sy pjesëmarrja e vakët.

Kryetari i PD, Lulzim Basha, ajo e LSI, Monika Kryemadhi, aleatët e forcave të tjera dhe mbështetësit kanë marshuar fillimisht në drejtim të Ministrisë së Brendshme për të kërkuar largimin e Fatmir Xhafajt. Aty ka qenë edhe pikënisja e protestës e cila më pas u zhvendos përpara Kryeministrisë. Basha eci në këmbë nga selia blu i shoqëruar nga dhjetëra mbështetës, të cilët iu bashkuan në "Bulevard" edhe kryetarja e LSI, Kryemadhi me simpatizantët e saj.

Që në nisje të protestës, disa mbështetës të opozitës kanë hedhur tymuese dhe flakadanë në drejtim të Kryeministrisë, të cilat u përsëritën edhe në mbyllje të protestës nga kryedemokrati Lulzim Basha. 

Kryetari i PD, Lulzim Basha iu drejtua protestuesve në një fjalim 30 minutësh, duke akuzuar qeverinë si të lidhur me krimin dhe trafikun e drogës. Basha tha se ajo që po ndodh sot në Shqipëri nuk është përplasje mes qeverisë dhe maxhorancës, por mungesa e demokracisë dhe rënia e shtetit të së drejtës.

Ja kjo ditë e uruar që lind nga perëndon,
atë anë e ke ndriçuar e ne pse na harron?
Dritëz e jetës dhe e vërtetës, dritna na, zgjona!

Një shekull e gjysëm më parë kur Shqipëria lëngonte në zgjedhën osmane, Naim Frashëri iu kujtonte shqipatrëve se dielli ynë lind në Perëndim.

Këto fjalë monumentale janë sot më të vërteta se kurrë.

Sot në këtë shesh jemi mbledhur me qindra mijëra për dritën e të vërtetës, për dritën e jetës, për diellin tonë që lind në Perëndim, për atë dritë që na u mohua në gjysëm shekulli komunizëm, për atë dritë që iu mjegullua shumë herë këto tre dekada tranzicioni, për atë dritë që sot kanë bllokuar retë e zeza të krimit, të drogës dhe korrupsionit. 

Por pikërisht atëherë kur është më errët njeriu e kërkon më shumë dritën. Ndaj sot më shumë se kurrë sytë tanë kërkojnë dritë, kërkojnë dritën që vjen nga Perëndimi edhe pse ajo na shkëlqen nga larg.

Sot jemi mbledhur me qindra mijëra në këtë shesh për të treguar se jemi europianë dhe si europianë ne besojmë tek liria, ne besojmë tek demokracia, besojmë tek shteti i së drejtës, si europianë. Ne sot protestojmë për liri, demokraci e drejtësi me dinjitetin dhe forcën e njerëzve të lirë.

Ne jemi këtu për t’i treguar Europës, ne jemi këtu për t’i treguar Perëndimit se qeveria bizantine që sot sundon ndër ne nuk përfaqëson popullin, nuk përfaqëson aspiratën e shqiptarëve. Ne jemi mbledhur në këtë shesh për të qëndruar si europianë përballë qeverisë më antieuropiane që ka sot Europa. Përpjekja jonë nuk është përplasje mes opozitës dhe qeverisë, përpjekja jonë nuk është luftë për pushtet. Përpjekja jonë është përpjekja e popullit kundër sundimtarit shkatërrues.

Përpjekja jonë është betejë mes të mirës dhe të keqes. Është beteja mes njerëzve që duan drejtësi dhe atyre që kanë kapur drejtësinë. Është beteja mes njerëzve që duan siguri dhe rend, dhe aleancës së pushtetit me krimin.

Problemi që ka sot Shqipëria nuk është problem i marrëdhënieve opozitë-qeveri. Problemi që ka sot Shqipëria është mungesa e demokracisë, është rënia e shtetit të së drejtës, është dhunimi i të drejtave të qytetarëve, është shteti i kapur nga krimi dhe korrupsioni.

Sot nga ky shesh i mbushur si  kurrë më parë ne dëshmojmë se ne nuk e pranojmë autokracinë, se ne nuk e pranojmë korrupsionin. Se ne nuk mbyllim sytë para krimit dhe drogës. Ne sot dëshmojmë se demokracinë, përparimin dhe stabilitetin mund ta sjellë dhe garantojë vetëm njerëzit e lirë dhe kurrë jo autokratët e korruptuar.

Kohë më parë, popullit të këtij vendi iu premtuan vende pune. Por të vetmet punë që kjo qeveri hapi janë ato në fushat e drogës.
Kohë më parë, këtij populli iu premtua mirëqenie. Por e vetmja mirëqenie që kjo qeveri krijoi është lluksi për vete dhe për miqtë e saj. 
Kohë më parë këtij populli iu premtua drejtësi. Por e vemtja drejtësi që kjo qeveri solli, është mbrojtja për kriminelët. Ndaj sot shqiptarët po largohen nga vendi i tyre. Me mijëra, çdo vit. Qindra mijëra të tjerë ëndërrojnë të ikin.

Në vitet 90-të shqiptarët u turrën drejt botës, për të prekur sa më parë lirinë dhe Perëndimin. Sot ata po dynden drejt botës, sepse kanë frikë të jetojnë në vendin e tyre. Sepse nuk besojnë më, se në Shqipëri do të ketë liri dhe demokraci perëndimore
Shpresën që nuk e vrau dot as komunizmi, e vrau Rilindja.

Rilindja është një projekt anti-kombëtar, në shërbim të egos pa kufi për pushtet, dhe marrëzisë së një individi.
Rilindja është projekt i një njeriu, urrejtës i lirisë dhe dinjitetit njerëzor, përcmues i atdheut të tij.

Si hakmarrje ndaj atdheut dhe njerëzve të tij, etja për pushtet, megallomania e injorancës, mungesa e dashurisë për vendin dhe njerëzit,e futi “Rilindjen” në hendekun e shkatërrimit të kombit, në rrugën e krimit dhe të drogës, të grabitjes së pasurive të vendit, të zhytjes së vendit në borxhe dhe prapambetje ekonomike.

Projekti i Rilindjes u ngrit mbi katër gjëma anti-kombëtare dhe anti Europiane:
Mbi aleancën me krimin, si burim parash, votash dhe force.
Mbi zëvendësimin e shtetit të së drejtës, Kushtetutës dhe institucioneve, 
me sundimin personal, arrogant e të korruptuar.
Mbi përqëndrimin e të gjitha pasurive të vendit, dhe të gjithë pushtetit ekonomik në pak duar. 
Mbi propagandën, mashtrimet dhe keqinformimin e shfrenuar, për të fshehur realitetin.
 
Rilindja nuk degradoi rrugës. Rilindja ishte që në ngjizje një projekt kriminal, për pasurim dhe pushtet personal, të një individi, dhe një grushti lakejsh rreth tij. 
Ndaj që ditën e parë, Rilindja e plaçkiti atdheun. Ndaj që ditën e pare, Rilindja vandalizoi demokracinë.
Pas 5 vjetësh, Rilindja ka ndërtuar një sistem kriminal politik dhe ekonomik.
Në këtë sistem, pushteti nuk buron nga politika, por nga pazaret.
Pushteti nuk buron nga vota, por nga paraja.

Pushteti nuk buron nga vullneti i njerëzve të lirë, por nga forca e dhunës.
Në këtë sistem, pushteti nuk buron nga vetëdija qytetare por nga mashtrimi dhe gënjeshtra qeveritare. Ndaj pushteti i sotëm nuk është më pushtet i njerëzve, por pushtet i një pakice të zhytur e që zhytet përditet e më shumë në krim.
Një pakice që zhvat përditë e më shumë paratë e shqiptarëve.
Një pakice që prodhon përditë e më shumë propagandë e mashtrim për të mbajtur në këmbë këtë pushtet të padrejtë, kriminal dhe të korruptuar.

Gjithçka që fitohet me anë të ndërgjegjies, mbahet duke e thelluar të keqen.
Prandaj trafiku i drogës sa vjen e rritet, prandaj krimi sa vjen e shtohet, prandaj ministrat e brendshëm janë përherë të lidhur me krimin dhe drogën.
Prandaj korrupsioni sa vjen dhe thellohet, sepse ky pushte i ka rrënjët tek krimi dhe droga.
Ndaj frytet e tij janë, më shumë krim dhe drogë, më shumë varfëri, papunësi dhe dëshpërim për shqiptarët.
Sot nuk duket të më asnjë iluzion se kjo qeveri mund të çlirohet vetë nga krimi, se kjo qeveri do ta luftojë vetë drogën, se kjo qeveri do të përmirësohet.
Sot duhet të jetë e qartë për çdo shqiptar dhe të gjithë botën, se ka vetëm një rrugë, largimi i kësaj qeverie nga njerëzit, nga populli i bashkuar.

Vëllezër dhe motra,
Në këto 30 vite, udhëtimi ynë politik ka qenë plotë ulje dhe ngritje.
Kemi kaluar nga euforia dhe entuziazmi për ndryshimin, tek dëshpërimi i përcëritjes të së keqes në një cikël që vërtitet e vërtitet e nuk mbaron.
Ndaj sot ne nuk kërkojmë thjeshtë ndryshimin e qeverisë por ndarjen e politikës një herë e mirë nga krimi, korrupsioni, nga e keqja.
Ne sot kërkojmë një qeveri që punon për njerëzit, punon për të ardhmen e tyre.
Por asnjë qeveri nuk bëhet vetë e mirë.
Pushtetin e bën të mirë vetëm frika nga populli.
Të përparuara janë vendet ku qeveria e ka frikë popullin, të mjera janë vendet ku populli e ka frikë qeverinë.
Ndryshimi fillon vetëm atëherë kur populli nuk i zë besë pushtetit.

Kur populli sheh çdo pushtet me dyshim.
Asnjë qeveri nuk duhet lënë për mbikqyrje sepse pushteti abuzohet kur pushtetarët nuk japin llogari, kur njerëzit nuk e ngrenë zërin, kur njerëzit nuk ngrihen në këmbë për të drejtat e tyre. 

Ne duhet të çlirohemi nga përpjekja për të gjetur udhëheqës të mëdhenj që premtojnë dëma të mëdha, që rrahin gjoksin si profet. 
Shqipëria ka nevojë për udhëheqës normal, që punojnë për njerëzit, që respektojnë njerëzit, që sillen si europianë, që janë modestë dhe të përulur si europianë dhe nëse nuk sillen si të tillë duhet t’i ndërrojmë sa më parë pa pritur që e keqja të bëhet mal. 

Për këtë duhet të kemi besim tek vota. Njerëzit mendojnë se vota e tyre nuk ka vlerë. Kur njerëzit mendojnë se vota e tyre nuk mund të sjellë ndryshim atëhere vota me të vërtetë nuk ka për të patur vlerë, atëherë vota do të shitet e do të blihet, atëhere vota do të dhunohet. 

Arma jonë e demokracisë është qytetari i lirë dhe votë në dorë por mbi të gjitha ne kemi nevojë për besimin tek vetja, tek forca jonë, tek energjia jonë, tek fuqia jonë. Ne kemi nevojë të besojmë se ne mudn të bëjmë Shqipërinë, kemi nevojë të besojmë se ne mund ta mposhtim të keqen e të ndërtojmë të mirën. 

Nëse 5 vitet e fundit kanë treguar një gjë është kjo; sa herë njerëzit janë bërë bashkë qoftë edhe pak qindra, ata ia kanë dalë. Mendoni se sa të fuqishëm jeni kur bëhemi bashkë me mijëra, me dhjetëra mijë, me qindra mijëra. Atëhere pushteti do të jetë vërtetë i njerëzve dhe të shërbim të njerëzve. 

Vëllezër e motra ne për 5 vjet kemi luftuar krimin në politikë. Kemi luftuar drogën dhe trafiqet, kemi luftuar kapjen e shtetit, të medias dhe ekonomisë. Ka qënë një përpjekje  e mundimshme. Unë dhe ju kemi provuar çdo gjë, talljen, mashtrimin, presionet, dhunën. Kemi provuar braktisjen dhe vetminë ku pushteti bëri gjithçka për të na larguar nga kjo përpjekje por Zoti dhe e vërteta na dhanë kurajon të vazhdojmë. 

Dhe ja ku jemi sot bashkë në këtë demonstrim të jashtëzakonshëm të aspiratës tonë për demokraci, për dinjitet, për vlera europiane, për një jetë më të mirë dhe shpresë për çdo shqiptar.  Ne nuk jemi këtu nga dëshpërimi, ne jemi këtu nga dobësia, ne kemi dalë në këtë shesh si trumfatorë sepse kemi trumfuar mbi frikën, sepse kemi trumfuar mbi gënjeshtrën, mashtrimin dhe propagandën. Sepse kemi triumfuar mbi krimin dhe pushtetin e bërë njësh me të. 

Mes jush sot këtu, unë nuk jam për të kërkuar pushtet për vete. Nuk jam këtu për të zaptuar, nuk jam këtu për të qënë mbi ju. Jam këtu për të marrë kurajo dhe për të ju dhënë kurajo. Për të qënë një nga ju! Për të qënë bashkë me ju.
Çfarë na pret përpara, nuk është më sfida e një njeriu!

Nuk është më udhëtimi i një njeriu!    
Është udhëtimi i të gjithëve ne, është udhëtimi i gjithë shqiptarëve duke e ndjekur dritën që lëshon, diellin që lind në perëndim.
Zoti është treguar zemërgjerë me ne që na ka dhënë një vend në mes të perëndimit. Na ka falur natyrë të mrekullueshme. Na duhet punë, na duhet këmbëngulje dhe do të jemi një vend i begatë, një vend i përparuar, një vend i denjë europian.

Ka një baticë në punën e njerëzve e cila kur kapet çan drejt fatit. Kur kjo mundësi humbet, jeta lëngon në cektina dhe mjerim. Ne e kemi humbur shpesh çastin tonë dhe kemi humbur shumë vjet në cektina dhe mjerim, por tani batica po ngrihet përsëri. Ky është momenti ynë, kjo është vala që po ngrihet, e po ngrihet e po ngrihet…

Le të lëshohemi mbi të në këtë udhëtim drejt të ardhmes europiane për vete dhe fëmijët tanë. Për të sotmen dhe të nesërmen e Shqipërisë sonë.

Lulzim Basha, kryetar i PD

Opozita kërkon në këtë protestë dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, të cilin e akuzon se ka mbrojtur vëllain e tij i dënuar në Itali për trafik droge si dhe pas daljes së audiopërgjimit me protagonist (sipas PD) Albert Veliun i njohur edhe si ‘Babalja’ apo 'dëshmitari X' dhe Agron Xhafajt, vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ku pretendohet se bisedojnë për dërgimin e një sasie hashashi drejt Italisë.

Me anë të kësaj proteste, opozita shqiptare synon që të detyrojë kryeministrin Edi Rama që t’i hapë rrugë një qeverie anti-mafia. Protesta e opozitës pritet të zgjasë rreth 4 orë, ndërsa do po monitorohet nga 1500 punonjës policie.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:02
Pjesëmarrje e vakët nga protestuesit e LSI, Floida Kërpaçi: Policia bllokoi mbështetësit tanë 

LSI shkon në heshtje në protestën e sotme të opozitës. Ndryshe nga PD, fokusin e saj LSI nuk e ka vënë te Fatmir Xhafaj, por te Edi Rama të cilin e akuzon për varfërinë dhe papunësinë e të rinjve.

Sikurse, gazetarja Esiona Konomi raporton se vihet re një pjesëmarrje e vakët e mbështetësve të LSI. 

Lidhur me këtë fakt ka reaguar deputetja e LSI, Floida Kërpaçi e cila ka thënë se policia ka bllokuar mbështetësit e kësaj force politike që të mbërrinin në Tiranë. 

“Mjaft aktivistë të LRI u bllokuan nga policia. U pengua ardhja e të rinjve. Kjo tregon se Edi Rama ka frikë, ka frikë nga qytetarët”

Floida Kërpaçi deputete e LSI

Ora 10:25
VIDEO/Stresi prin protestën e PD: Kam ardhur me 100 çunat e mi për rrëzimin e Ramës

Ndër të parët që ka mbërritur në selinë e PD mëngjesin e sotëm, duke i prirë protestuesit e opozitës, ka qenë reperi Stresi. Këngëtari i njohur i është bashkuar sërish tubimeve së Partisë Demokratike, për kauzën e kësaj të fundit për largimin e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Në një prononcim për Report Tv, Arkimed Lushaj u shpreh se ndodhej në protestë së bashku me 100 mbështetës të tij për largimin e Edi Ramës dhe qeverisë, sipas tij, të korruptuar, komuniste dhe fashiste e cila drejton sot vendin.

Jam që nga '95-a në çdo protestë të PD. Jemi këtu për një kauzë tonën që të gjithë shqiptarët e dinë. Shpresoj dhe zotin është me ne që t'i mposhtim këta komunistët. Sot protestohet jo vetëm për Fatmir Xhafajn, protestohet kundër Edi Ramës, kundër këtij sistemi korruptiv edhe komunist, fashist dhe enverist që janë njerëzit më të poshtur sot për sot. Jam sot këtu me 100 çuna të mi.  

Arkimed Lushaj (Stresi)

Reperi mori pjesë edhe në protestën e kaluar përpara Ministrisë së Brendshëm. Në tubimet e opozitës shfaqet herë pas here edhe babai i tij, Sali Lushaj, ish-truprojë i Sali Berishës. 

Ora 10:23
Policia rrethon edhe Ministrinë e Brendshme/ FOTO

Opozita sot do të protestojë para Kryeministrisë duke kërkuar largimin e Ramës dhe Xhafës. Por përveç rrethimit të Kryeministrisë me forca të shumta policie, ashtu sikur raportoi Report Tv dje, është rrethuar edhe Ministria e Brendshme. Report Tv sjell pamjet nga Ministria e Brendshme, e cila është rrethuar nga efektivët e policisë. Ndërkohë që për ministrin sot është një ditë e zakonshme, pasi është paraqitur në zyrë duke vijuar normalisht punën.


Forcat e policise te Ministria e Brendshme

Ora 10:16
Endrit Braimllari: Rama po shkatërron vendin, duhet rrëzuar një orë e më parë

Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Endrit Braimllari tha në një prononcim për Report Tv se kryeministri Edi Rama duhet rrëzuar një orë e më parë. Ai tha se LSI ka raportuar 24 mijë pjesëmarrës në protestën e opozitës, pa llogaritur mbështetësit e Tiranës, të cilët sipas tij mbajnë peshën kryesore të kësaj proteste. 

Sipas Braimllarit ky është një raportim i strukturave të LSI, pa bërë llogaritë e qytetarëve dhe simpatizantët e Tiranës.

Protesta do jetë masive, shumë herë më e madhe se në 27 janar. Ne do të mblidhemi të gjithë së bashku në 10:30 te hotel Dajti dhe do t’i bashkohemi opozitës së bashkuar. 

Sot Shqipëria është në krizë të thellë, në 27 protestuam për disa të drejta themelore të shqiptarëve, për krimin e organizuar, taksat e larta, të rinjtë dhe të rejat që largohen çdo ditë, ne prisnim që qeveria të reflektonte, që të ndërmerrte reforma, por qeveria nuk ka reflektuar, varfëria është më e madhe, papunësia është edhe më e madhe. Janë 4 protestues të Kukësit të cilët mbahen në burg, kjo qeveri kërkon t’i mbyllë gojën opozitës, por kjo nuk do të ndodhë. 

Sot protestojmë kundër një kryeministri që ka mbjellë krim dhe varfëri, është bërë rrezik kombëtar për shqiptarët, sepse Edi Rama i largoi të rinjtë nga ky vend, futi në krizë Shqipërinë. Krimi i organizuar ka kapur çdo qelizë të qeverisë. Është Edi Rama që po shkatërron vendin dhe duhet rrëzuar një orë e më parë nga vendi që mban. 

Endrit Braimllari, Sekretar i Përgjithshëm i LSI

Ora 09:29
VIDEO/RENEA dhe FNSH pas Kryeministrisë, masa të rrepta sigurie nga policia

Masa të rrepta nga forcat e policisë për mbarëvajtjen e protestës së opozitës. Policia ka kaluar në gatishmëri, ndërsa në terren janë nxjerrë 1500 punonjës policie. RENEA, FNSH, Shqiponja dhe agjentë të SHISH do monitorojnë me efikasitet tubimin e opozitës. 

Nga pamjet duket se policia ndodhet në gjendje të plotë gatishmërie për të ndërhyrë në çdo moment nëse protesta eskalon në akte dhune. Në tarracën e Kryeministrit dhe Kryesisë së Kuvendit janë vendosur disa snajperë. Policia e Shtetit ka kërkuar edhe ndihmën e ekspertëve të huaj për monitorimin e protestës. 

Gjithashtu, në gatishmëri janë edhe dy automjete ujë hedhëse. Opozita prite ttë protestojë për katër orë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. 

Ora 09:26
'Drejtësia me portretin e Ramës, në peshore Xhafaj e Tahiri'/PD shfaq karikaturën 3 metra të lartë

Në Sheshin “Skënderbej” shfaqet statuja e Drejtësisë me portretin e Edi Ramës, që simbolizon kapjen politike të drejtësisë për t’i shërbyer krimit dhe korrupsionit. 

Statujën e Drejtësisë 3 metra të lartë e mbajnë 10 të rinj të maskuar si Edi Rama, Fatmir Xhafaj, Saimir Tahiri, Agron Xhafaj, Moisiu Habilaj për të treguar, sipas PD, se Drejtësia është vënë në shërbim të trafikut të drogës, krimit të organizuar dhe qeverisë së lidhur me të.



Një simbol tjetër i shpërfytyrimit të Drejtësisë nga pushteti është portreti i Ramës që ka zëvendësuar sytë e mbyllur të Drejtësisë së barabartë për të gjithë me syrin që ai i shkel krimit për ta favorizuar dhe mbrojtur atë.

Peshorja e drejtësisë, që duhet të ishte e barabartë, peshon nga mbrojtja e Saimir Tahirit, Fatmir Xhafajt dhe parave të tyre të drogës, ndërsa Kushtetuta, që mbron të drejtat e qytetarëve të zakonshëm, është zhvlerësuar nga drejtësia politike e Edi Ramës.

Ora 09:05
Burime: Kryemadhi s’do mbajë fjalim në protestë, LSI vetëm parulla kundër Ramës

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi nuk do mbajë fjalim në protestën e sotme të opozitës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Ndryshe nga protestat e kaluara kur kryetarja e LSI ka qenë protagoniste dhe është ngjitur në podium, këtë herë ajo ka preferuar të qëndrojë më e tërhequr, duke ia lënë podiumin PD-së dhe kryedemokratit, Lulzim Basha. 

Kryemadhi dhe LSI i bashkohen marshimit vetëm me parulla kundër kryeministrit Edi Rama. Kryetarja e LSI do marshojë nga selia e forcës së saj politike për t’iu bashkuar protestës në Bulevard.

Ora 08:26
‘Pasha po vijmë’/Nisen autobusët e parë drejt Tiranës, pjesëmarrje e ulët nga Vlora dhe Korça

Nisen autobusët e parë nga rrethet në drejtim të Tiranës për të marrë pjesë në protestën e thirrur nga opozita në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Dhjetëra autobusë dhe automjete private janë nisur nga qytete si Vlora, Fieri, Kukësi, Berati, Shkodra, Korça etj.

Në automjetet e protestuesve janë vendosur parulla me mbishkrime “Na prit Pasha”! “Pasha po vijmë”! “Kush është pashai”, duke ironizuar me zhargonin e përdorur nga Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në videopërgjimin e pretenduar të “dëshmitarit X”, Albert Veliu. 



Megjithatë, pavarësisht mobilizimit, sipas shifrave të degëve logale të PD, bie në sy pjesëmarrja e ulët e protestuesve nga Vlora dhe Korça.  

Kukës
Rreth 1000 mijë protestues janë nisur drejt Tiranës në orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune. Kryetari i PD në Kukës, Arif Rexhmati është shprehur se “kuksianët protestojnë kundër qeverisë “Rama” që mban në burg 4 djemtë kuksianë ndërsa trafikanti Xhafaj është i lirë”. “Kuksianet protestojnë edhe për lirinë e kuksianëve, kundër taksës së Rrugës së Kombit”, kundër koncesioneve, kuksianët kanë më shumë motive për të protestuar”, ka thënë kryedemokrati i Kukësit.

Korçë 
Pjesëmarrje e ulët protestuesish drejt Tiranës. Asnjë organizim i mirëfilltë nga opozita. Burime pranë PD bëjnë me dije se qytetarët i janë drejtuar kryeqytetit me mjete të vogla. Pritej një pjesëmarrje masive por sipas tyre presioni nga qeveria nuk ka lejuar organizimin në masë me autobusë. Ndërkohë, burime nga LSI-ja bëjnë me dije se drejt Tiranës janë nisur rreth 500 protestues ku 100 prej tyre janë nga qyteti i Pogradecit dhe pjesa tjetër nga Korça.

Vlora, Rreth 1500 protestues me 10 autobusë
Autobusët u nisën nga zona e Skelës pranë godinës së PD nga zona pranë Sahatit, nga njësia administrative Novoselë si dhe nga Bashkia e Selenicës. Drejt Tiranës janë nisur 1500 protestues me 10 autobusë.

Berat
Nisen protestuesit beratas drejt protestës së paralajmëruar në Tiranë. Dy autobusë me protestues sapo janë nisur nga selia e PD-se në Berat, ndërkohë që janë nisur dhe shumë mjete të vogla. Kryetari i PD-së Gazmend Azizi, konfirmoi se rreth 2 mijë protestues janë nisur nga ky qark, dy autobusë nga Berati, 2 nga Ura Vajgurore, 1 nga njësia administrative Otllak, 1 nga Velabishti dhe 1 nga Poliçani. 

Fier
Nga Fieri në drejtim të Tiranës për të marrë pjesë në protestë janë nisur sipas kryetarit të PD dega Fier, Luan Baçi, rreth 2000 vetë të organizuar ne baze te grup seksioneve te lagjeve ku dhe nisja është bere me mjete personale ndërsa ne qytet janë nisur me tre autobusë. “Pjesëmarrja nga Fieri është gjithëpërfshirëse, qëllimi të rrëzojmë Ramën dhe largimin e Xhafajt”, tha Baçi.

Shkodër
Nga Shkodra po vijnë me dhjetëra makina qe mbajnë parullat me zhargonin e Agron Xhafajt, që njihet në Vlorë me titullin “Pasha”. “Na prit Pasha! Pasha po vijmë! Kush është pashai”. Nga Shkodra pritet të marrin pjesë rreth 3 mijë protestues.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Meta: 26/05/2018 16:54

    Popullin e ka PS me Ramen, mbi 51%,ose 74 deputet,me shume se ju opozita destrutive se bashku.Sovrani te tregoi se nuk kishe as 10mije qytetare te mashtruar,apo te paguar, qe edhe te shane ty edhe te thane ec ti mos na hudh neve perpara, Ti skenove se policia rrahu ate "redaktorin" tuaj,qe pervec gazetareve ishte dalur edhe vete.Mos kerko logari nga Xhafa per te vellane,kur Ju nuk pergjigjeni as per vete, si Salihu as per djalin e vajzen,Mediu me ju as per vete as pe rvrajset ne Gerdec Ju as per vjedhjet ne Kalimash,

    Përgjigju
  • Reforma: 26/05/2018 12:36

    Nga 100 mij lek kane mar protestuesit sot per te dal ne shesh. Tani pyetja lind ku i gjeti basha kto parat?

    Përgjigju
  • ertan: 26/05/2018 12:30

    Ore kjo eshte protest? Behemi me shume ne me cunat kur ikim ne kalceto.

    Përgjigju
  • Lali: 26/05/2018 12:29

    Hajde protest hajde 10 veta ne shesh.

    Përgjigju
  • Ahahah: 26/05/2018 12:28

    Kjo eshte deshmi e qarte qe shqiptaret nuk ju duan o Basha kshu qe lereni kete pune se nuk ju ben pune.

    Përgjigju
  • Albani: 26/05/2018 12:15

    Ku eshte Xhafaj ne vrime te miut!

    Përgjigju
    • shqupist leshi: 26/05/2018 12:27

      Arkimedi po proteston per drogen?.po pasta cte semes do pi dhe do bej video.sa qesharak qe jeni.se demokrat nuk jeni.gjithe lluma e shoqeris eshte aty

  • Vlora: 26/05/2018 11:52

    haaahha ... me shume fansa ka Arkimed Qetesia sesa Lul Mavria

    Përgjigju
  • Maks: 26/05/2018 11:46

    Gjysmat e atyre qe bertasin qe duan shqiperin si europa kane espulse nga europa per ersye sepse i kan kap duke vjedh shpiat e europjaneve dhe si shprrnderes droge ja me keto ben protest pd e lesheli

    Përgjigju
  • Ushtaraku: 26/05/2018 11:21

    Uroj qe mos te kete ndonje vrasje ose perplasje ne kete proteste! kjo PD-ja ska asnje dallim nga PS-ja shpresoj qe vettingu e pastaj SPAKU ti largojne keta Bandit rrugash Pse nuk dilni afer Kufirit Shqiptar ne Qafe-Bote ose kakavije? Pse nuk keni guxim te dilni ne Delvine dhe Sarande kur po e ngritin flamurin e "Verio-Epi*it? por tash ne prage te hapjes se negiocatave??

    Përgjigju
  • altin tani: 26/05/2018 11:13

    paska ardhur dhe arkimedi qe trazonte hashashin e lazaratit me 100 cunat e tij?kuptohet qe rama sot do rrezohet....nga karrigja per te qeshurat qe do beje se kuptohet qe do jete gallate sot me 2000 persona ne proteste e 5000 qe kane shkuar te shohin estraden e radhes se lulzimes

    Përgjigju
  • Vlora: 26/05/2018 11:09

    Po mire kush ma shpjegon: Xhafaj po sulmohet mqs i vellai mendohet se merret me droge. First Lady del kunder qeverise !! Keto paradokse vetem ne Shqiperi mund te ndodhin ! Respekt per ata qe me kuptojne. Te tjeret besoj jane protestues pas Monikes bla bla bla. Presidentit i ka dale Lady nga shinat hahahahaha. .... .. O shqipe me mire jashte kufijve se brenda ngelet injorantet.

    Përgjigju
    • Drejtësia: 26/05/2018 11:44

      Po, është e vertet dhe respekte për ty.Mona me Lulin thonë se kjo protestë do largoj Ramën. Lind pyetja kush do vi në pushtet? Do vinë dyshja më e qelbur e të gjitha kohërave, por kjo nuk ka për të ndodhur më. Se shikojnë veten si jan katandisur, tamam si horrat selfo qorit. Me demek duam pushtet se vëllai Xhafes meret me drogë pale ai kazani Babaleve me shokë një turp i madhë që po i bëjnë shqipëris. Këta duhen qëruar njëher e përgjithmon nga ai parlament mos ti shohë më bota e as populli se lanë namin topa topa me ato veprime idjoteske që bëjnë.

  • Qoqja: 26/05/2018 10:54

    O Radja evropa vetem shkelzeni me argiten te ngjajn ty nga menyra qe ti shkruan po mbaji se ndoshta ja ke hajrin .Shqiperia asht e shqipetareve dhe jo e shquptareve .

    Përgjigju
  • Thanas: 26/05/2018 10:35

    kot mé kot béjné mundimin dhe shkojné né Tírané Krímínelét e PDsé dhe MAFIA e LSIsé. . . . . . . pushtetí fítohet , NUK dhurohet! 10.000 Bandítét qé do protestojné sot nuk pérfaqésojné shumícén e Shqíptaréve . . . . . . .Kríminelét e PD do ikin me 'bishtin ndér shalé' dhe do thyejné qafén andej nga erdhén .

    Përgjigju
  • Saimiri: 26/05/2018 10:16

    NUK MERET PUSHTETI ME 5000 MIJË BANDITË,KRIMINELË DHE ISH HAJDUTË DOGANASH TË Pdsë dhe LesheDHISË hajdutërisë! PUSHTETI Fitohet vetëm me VOTË , JO në TAVOLINË duke KËRCËNUAR me KRIMINELË ORDINERË alla 'BABALE' ! PDja është e ZHYTUR nè KRIM , KOKAINË , TRADHËTI dhe HAJDUTËRI ! Gjithë KOKËPALARËT që do Vijnë nga RRETHET , do ikin si QEN andej nga erdhën , mbas 3-4 ORËVE ESKURSION!

    Përgjigju
  • Gege Kosova: 26/05/2018 09:59

    Zgjidhja e problemit te "Protstes Kombetare"sic e qaujti Bash, Mos vet hallit nese gjithe shqiptaret jane 20-30 mije, sa kjo proteste.Por kerkesa plotesohet,Sepse Xhafaj e zgjidhi ate ceshtje,Nese del inqizimi real,Ai largohet.Por, Ama por!? Nese nuk del rali,Jo vetem Basha,Por edhe ata argatet e lloqit,Salo,Alibeja,Paloka, Nediu, Baba Shehi,Noka e te tjeret, Te lagohen sepse me genjshtrat e tyre eshte shkatuar gjithe kjo tollovi,dem shtetit dhe popullit dhe eshte humbur gjithe kjo kohe e keto hargjime

    Përgjigju
  • Radio Europa.: 26/05/2018 08:14

    Sot dueli ne mes iliro-shqiotarve me Lulzim Bashen,kunder pakicave multi-etnike ne ps dhe multi etnive turkofono aziatike e serbo-vlleho-greke qe perkrabin shkatrrimin total te shqiperis, me ndihmen e organizates narko mafia te ps-s. Vllezer dhe motra Shqiptar zgjonu nga gjumi e agonia dhe ti themi Fund pushtimit te shqiperis nga multi etnit jo shqiptar te ps dhe ta Çlirojm Shqiperin. Urime dhe Gezime Fitorja dbe çlirimi deci itiv. nga sternipi i isa boletinit mitrovice-gjeneve-zvicer.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Raiffeisen Invest lançon fondin e parë dhe të vetëm në treg ESG  “Raiffeisen Solid”

Raiffeisen Invest lançon fondin e parë dhe të vetëm në treg ESG  “Raiffeisen Solid”