Robert Ndrenika kishte shkruar diku në Facebook: “Skamja e zvogëlon vlerën e fjalës së njeriut të zgjuar”.
Reflektim i hidhur, nga një artist i madh. I cili me siguri e ka jetuar edhe vetë varfërinë. I njeh kohët e djeshme të vështira dhe këto kohët e sotme, të pështira. E njeh dhe publikun. Ndaj fjalët që ka shkruar vijnë nga përvoja.
Është edhe ndër të paktët burra që nuk e ka shitur veten. Ndaj fjalët që ka shkruar vijnë edhe nga dinjiteti.
Por, edhe pse e respektueshme dhe e thellë, kjo thënie mbart vetëm një pjesë të të vërtetës. Që nga Sokrati pa sandale, por edhe më pas, historia është e mbushur me njerëz të mëdhenj që folën pikërisht nga skamja. Bota i dëgjoi. Fjala e tyre nuk u zvogëlua nga varfëria, përkundrazi, u rrit mbi të.
Sot paraja dikton ritmin e jetës. Të qënit i zgjuar pa mbështetje materiale apo politike është një sfidë më vete. Shpesh, edhe vetmi e rëndë. Ne veçanërisht, jemi një vend ku dëgjohet më shumë ai që ka, sesa ai që di. Fjala e këtij të fundit humbet. Jo sepse ka më pak vlerë, por sepse nuk ka fuqi ta mbrojë veten. Ai që zhurmon daullen e pushtetit dhe parasë dëgjohet edhe kur është tarallak që s’ka asgjë për të thënë.
Njerëzit janë të prirë t’u besojnë atyre që ofrojnë zgjidhje të menjëhershme, edhe nëse janë të rreme. Sidoqoftë, ata që kanë fjalë me peshë, duhet të flasin. Edhe kur nuk u kërkohet apo nuk i dëgjojnë. Vjen një ditë kur fjalët që u shpërfillën bëhen pasqyrë për të kuptuar.
Ndaj thënia e artistit është e rëndësishme, por jo përfundimtare. Vështirësia ekonomike e minimizon vërtetë ndikimin e njeriut të mençur, por vlera e një fjale të drejtë prapëseprapë nuk zhduket.
Zhduken ata që s’kanë durim ta dëgjojnë.
A është e vërteta është më e fortë se skamja? E thotë historia. Në fund ajo është e pamëshirshme, mban mend të urtët, rrallë të pasurit./Gazeta Dita
Komente










