Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.FESTIVALI MBARËKOMBËTAR I HUMORIT NË TEATRIN “MIGJENI”

Humor, muzikë dhe artistë nga e gjithë treva shqiptare do të bëhen bashkë në teatrin “Migjeni” në Shkodër, në Festivalin Mbarëkombëtar të Humorit, që do të mbahet nga 4-8 dhjetor. Teatri do të ngre siparin nesër në orën 19:00.

2. “HAMLET”/ PJESA SHEKSPIRIANE, PREMIERË TE TEATRI “METROPOL”

“Hamlet” është shfaqja me regji nga Jonida Beqo, që do të vijë premierë në teatrin “Metropol” mbrëmjen e nesërme në orën 19:00. Interpretojnë: Amos Zaharia, Kosovare Krasniqi, Viktor Zhusti, Yllka Mujo, Sokol Angjeli, Armela Demaj etj.

3. “E MARTUAR ME NJË TË PANJOHUR”, PREMIERË NË GJIROKASTËR

“E martuar me një të panjohur” është shfaqja që do të ngjitet në skenë te teatri “Zihni Sako” në Gjirokastër në 4, 5 dhe 6 dhjetor në orën 18:00.

4. “DET I THELLË BLU”/ VIJOJNË SHFAQJET NË TEATRIN KOMBËTAR

“Det i thellë blu” me autor Terence Rattigan dhe regji nga Rovena Lule do të vijojë të shfaqet në skenën e Teatrit Kombëtar pranë ArTurbinës edhe sonte dhe nesër në orën 20:00.

5. “DIJEBËRJA E XHUBLETËS”, BISEDË TE GALERIA E ARTIT TIRANË

Një nga elementët më të rëndësishëm të kulturës sonë, xhubleta, do të jetë në qendër të bisedës me artisten Silvana Nini ditën e nesërme në orën 11:00 në Galerinë e Artit Tiranë (GAT). Artistja do të shpjegojë dije-bërjen e xhubletës nga një sërë procesesh e teknikash tradicionale, të cilat do të rikthehen në vëmendje në kuadër të ekspozitës “Qoftë e Shëndetshme Dora që Krijon”, me qilima të artistëve nga Azerbajxhani dhe artistit shqiptar Xhevahir Kolgjini.

6. “SHUMË PAK VRASËS”, SHFAQJE NË TEATRIN “SKAMPA” NË ELBASAN

 “Shumë pak vrasës” me regji nga Rozi Kostani është shfaqja që do të vijojë të ngjitet në skenën e teatrit “Skampa” në Elbasan mbrëmjen e sotme dhe nesër në orën 19:00.