Ben Andoni: Mungesa e debatit të politikës, ironi zgjedhore

Ben Andoni: Mungesa e debatit të politikës, ironi zgjedhore

Nga një seancë e tensionuar parlamentare

Javët po largohen me shpejtësi dhe zgjedhjet e Majit janë gjithnjë e më afër. Intensifikimi i përpjekjeve të opozitës dhe maxhorancës prej diasporës dhe deri në qytetet e zbrazura në vend tregojnë se data zyrtare e fillimit të fushatës është vetëm konvencion. 

Akuzat nga të dy anët e politikës, kryesisht PS-së dhe PD-së nuk mbarojnë ndaj njëra-tjetrës, ashtu si gjuha e urrejtjes dhe ofendimet e gjithëfarëllojshme. Premtimet për pensionet, për minimumin jetik dhe korrupsionin nuk ndalen. 

Berisha riktheu sërish edhe premtimin për të persekutuarit (!), Rama kërkon mandatin e katërt dhe luan me integrimet evropiane dhe zhvillimin e brendshëm, madje duke u kërkuar shqiptarëve të rikthehen.

I lodhshëm dhe sfilitës për publikun po bëhet dhe sasia e informacionit, që jepet e pakontrolluar nga politika për SPAK-un dhe sidomos burimet e korrupsionit, që paraqesin partitë për njëra-tjetrën. Maxhoranca prej konsumimit të frikshëm në pushtet, opozita prej realitetit konfuz të saj. 

Duket sikur dy partitë kanë struktura paralele me shtetin, ku theksohen informacione që institucionet përkatëse nuk i përcjellin.

Ç’ka është problem edhe më i madh lidhet me përballjen reale të përfaqësuesve të maxhorancës me ata të opozitës. Në pak raste, kur përballen, janë të niveleve të ulëta, por asnjëherë zyrtarë, që përfaqësojnë institucione dhe kanë tagër. Nuk flitet më për ide, për programe por letra-programore, që mëtojnë se janë në rregull. Nuk i gjen debatet në pushtetin lokal në çdo qytet, nuk i gjen dot as në pushtetin qendror.

E para sepse nuk kanë tagër nga kryetarët e tyre respektivë, por e dyta dhe më e rëndësishmja është se nuk përballin dot rezultatet pas premtimeve të pambajtura. Kur kërkojnë të zgjidhen në fillim të japin kontaktin personal të telefonit, të kërkojnë që t’i marrësh kudo e kurdo në çdo orë, por pak javë pasi vinë në pushtet, ata nuk përfaqësojnë më njerëzit që i votuan por kryetarët. Telefoni mbyllet.

Dhe, fjalët që vinë në fushatë janë nga më të çuditshmet, po kaq të pabesueshme sa të pëlqyeshme, kur shprehen nga ata që nuk do t’i realizojnë në masën më të madhe. “Fjalët duhet të ngatërrohen, që në kohën e zgjedhjeve njerëzit të votojnë solemnisht kundër interesave të tyre”, shkruante dikur publicisti dhe shkrimtari amerikan Gore Vidal.

Edhe në këto zgjedhje do kemi monologët e gjata të Ramës dhe Berishës, përcjelljen e militantëve dhe çoroditjen e publikut, që vazhdon të presë ndryshimin dhe një demokraci, që është larg asaj të premtuarës, por jo debatet e strukturuara nga kryetarët dhe duke vazhduar më poshtë.

Rezultati: shqiptarët vazhdojnë të ikin, paçka se tregu i largimit po shënon zbritje, sepse është larguar pjesa më aktive në vend. Ndërsa situata po mbetet e njëllojtë: Populli voton, ata numërojnë dhe qeverisin sëbashku. (Javanews)

A.Q/E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 18 Janar, 08:40

    A duhen bërë publik emrat e politikaneve që kanë përdorur Sky Ecc?



×

Lajmi i fundit

Shqiptari që ka ‘tërbuar’ Anglinë! ‘Daily Mail’: Jeta e të dënuarit për trafik njerëzish, që i kalon ditët duke luajtur golf dhe kryen më shumë krime

Shqiptari që ka ‘tërbuar’ Anglinë! ‘Daily Mail’: Jeta e të dënuarit për trafik njerëzish, që i kalon ditët duke luajtur golf dhe kryen më shumë krime