Shtetet e Bashkuara të Amerikës njohin vetëm datën 30 Qershor si ditë zgjedhjesh në Shqipëri. Zv/ ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Matthew Palmer në një prononcim për 'VOA'-n tha se SHBA pret që zgjedhjet të zhvillohen ditën e diel duke i dërguar një mesazh të qartë opozitës shqiptare dhe Presidentit. Përgjigjja u dha pasi Palmer u pyet në lidhje me dekretin e ri të presidentit Ilir Meta sot për të caktuar 13 Tetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve vendore 2019.

"Ne presim që zgjedhjet të zhvillohen më 30 qershordhe shpresojme që ato të zhvillohen në mënyrë të qetë e transparente. Pas zgjedhjeve, do te kete mundesi qe Gjykata Kushtetuese  te formohet  dhe ne shpresojme qe cdo mosmarrveshje mbi kohen e zgjedhjeve te mund te zgjidhet nepermjet institucioneve shqiptare", tha zoti Palmer.

Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara është në mbështetje të plotë për datën 30 qershor, pasi kjo datë, e përfshirë në dekretin e parë të presidentit Ilir Meta, ishte në mënyrë indirekte e konfirmuar edhe nga vendimi i Kolegjit Zgjedhor që pak ditë më parë konsideroi nul dekretin e dytë të Metes, të 8 qershorit, me të cilin anuloi zgjedhjet e 30 qershorit. Rrjedhimisht duket i pavlefshëm edhe dekreti i tretë i Presidentit, ai i sotmi, me të cilin Meta fikson një datë të dytë për zgjedhjet vendore më 13 tetor. Me deklaratën e Palmer sqarohet megjithatë se nëse Gjykata Kushtetuese që do të krijohet gati me siguri para 13 tetorit, do të duhej të njihte të ligjshëm dekretin e fundit të Presidentit, rrjedhimisht edhe zgjedhjet e 30 qershorit do të duhet të ripërsëriten. 

Sipas burimeve të Shqiptarja.com kjo hipotezë është diskutuar edhe në nivele ambasadorësh të pesë vendeve dhe ka gjetur dakordësi edhe nga vetë kryeministri, i cili insiston për të konsideruar të vlefshme datën 30 qershor, por që ka konfirmuar disponibilitetin e tij për të respektuar çdo verdikt të gjykatës kompetente.