Vettingu/ Shkarkohen gjyqtarët Abdullai e Selimi, Bici e Muçi probleme me pasurinë, Gjykata e Lartë drejt bllokimit

TIRANE- Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra dy gjyqtarë, Shkëlzen Selimin dhe Bledar Abdullain. Komisioni e nisi punën me dhënien e vendimit për gjyqtarin e Tiranës, Bledar Abdullai, i cili u shkarkua nga detyra, pasi bashkëjetuesja nuk justifikon 400 mijë euro. Ndërsa i dyti që u shkarkua sot ishte gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi. Gjatë seancës dëgjimore KPK tha se Selimi u vlerësua vetëm për pastërtinë e figurës dhe jo për pasurinë apo aftësitë profesionale. Sipas KPK Selimi kishte dy kontakte të papërshtatshme të cilat me sa duket i kushtuan detyrën si anëtar i Gjykatës së Lartë. Vetë gjyqtari e quajti procesin të manipuluar e të paragjykuar që në fillim dhe u largua nga seanca dëgjimore.  Selimi nuk mori pjesë as në seancën e sotme të vendimmarrjes. 

Pas Selimit, para Vettingut doli gjyqtari i fundit i Gjykatës së Lartë, Medi Bici. KPK theksoi se Bici ka probleme me pasurinë, pasi ai për secilën prej aseteve deklaron si burim të ardhurat nga puna dhe ndihma e vëllait emigrant në Itali, pa specifikuar kontributin e tij. Sipas raportit të ILDKP-së, Bici rezulton me pasaktësi, deklarim të rremë, fshehje dhe mosjustifikim pasurie. Vendimet për dy anëtarët e fundit Artan Brocin dhe Medi Bicin do të jepen ditën e nesërme.

Pas shkarkimit të Selimit, edhe Gjykata e Lartë do të pësojë fatin e Kushtetueses, e cila u bllokua prej Vettingut. Deri më tani nga Gjykata e Lartë nga nëntë anëtarë (përfshirë edhe kryetarin Zaganjori), sitën e Vettingut e kanë kaluar vetëm tre prej tyre. Edhe kolegji civil nuk është më funksional, ndërsa më herët ka pushuar funksionin edhe kolegji penal dhe ai administrativ. Me kolegjet e rrëzuara, të vetmet çështje që mund të gjykohen janë ato të urgjencës, raste në të cilat kryetari i Gjykatës, Xhezair Zaganjori mund të krijojë kolegje me anëtarë të huazuar mes kolegjeve të tjera, por kjo nuk shmang vështirësinë totale të cdo qytetari për te marrë drejtësi në kohë në 26 mijë dosje që janë në pritje.

Ndërkohë seancat në Vetting kanë vijuar me Gentjan Medjan, gjyqtar pranë Gjykatës Administrative së Shkallës së Parë, Tiranë. Sipas raportit të ILDKP-së, gjyqtari ka sjellë raporte të sakta, pa fshehje dhe deklarime të rrema. Edhe pas hetimit të KPK-së, rezulton se nuk ka pasuri të paluajtshme të padeklaruara dhe pasaktësi në llogaritë bankare. Gjithashtu sot në orën 14:30 është parashikuar seanca dëgjimore me Besnik Muçin, prokuror pranë Prokurorisë për Krimet e Rënda. Dhe në fund në orën 16:00 është seanca dëgjimore me Brunilda Kadin, gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:34
Fillon seanca për Brunilda Kadiun, KPK: S’ka probleme me pasurinë

Ka nisur seanca dëgjimore e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në ngarkim të gjyqtares Brunilda Kadi, gjyqtare pranë gjykatës së Tiranës.

Trupa gjykuese e përbërë nga Lulzim Hamiti, Roland Ilia dhe Firdes Shuli, ka marrë përsipër verifikimin e gjyqtares Kadia. Rivlerësimi për gjyqtaren Kadia është zhvilluar në të tri kriteret, pastërtinë e figurës, aftësitë profesionale dhe verifikimin pasuror.

Gjyqtarja Brunilda Kadi, po hetohet me përparësi nga KPK-ja, pasi ajo është kandidate për në Këshillin e Lartë Gjyqësor. 

KPK ka raportuar në seancë se sipas raportit të ILDKPI-së, deklarimi pasuror i gjyqtares Kadia është i saktë, me burime të ligjshme pasurore, dhe konstaton se Kadia s’ka fshehur të ardhurat.

Konkretisht KPK, ka verifikuar pasurinë e Kadisë, ku rezulton se gjyqtarja ka në pronësi një apartament 124 metra katrorë në Lanabregas me vlerë 63 mijë euro. Gjithashtu rezulton se gjyqtarja Brunilda Kadia ka marrë një kredi me vlerë 85 mijë euro. Por sipas verifikimeve të KPK-së, kredia që Kadia ka marrë është me vlerë 131 mijë euro.

Nga verifikimet ka rezultuar se gjyqtarja ka paguar 58 mijë euro në vitin 2008 për blerjen e dy apartamenteve.

Në vitin 2005, gjyqtarja ka shitur një apartament në Tiranë me sipërfaqe 75 metër katrorë, por që nuk është pasqyruar në deklaratën e pasurisë. Sipas KPK-së, gjyqtarja ka deklaruar të tjera të dhëna tek noterja për sipërfaqen dhe koston e apartamentit të saj. Pronë e Kadias është edhe një makinë e blerë në vitin 2007, me vlerë 700 mijë lekë nga kursimet familjare. KPK vlerëson se ka patur të ardhura për ta blerë këtë makinë. 

Pastërtia e figurës, DSIK: Përshtatshmëri për vijim e detyrës
KPK vlerëson se DSIK ka specifikuar se gjyqtarja Kadi ka përshtatshmëri për vijimin e detyrës. Sa i takon aftësive profesionale, një biznesmen spanjoll denoncoi se kishte marrë një zarf në Madrid me dokumente jo në gjuhën spanjolle, ku mund të ishte dërguar nga gjyqtarja Brunilda Kadi. Ai pretendon shkelje në palën paditese. 

Bëmë verifikimet. Ka pasur proces gjyqësor me palë këtë kompani me gjyqtare znj. Kadi. Njoftimi i shoqërisë nuk është bërë në adresën e duhur në Madrid. Dokumentet që kanë arritur tek shtetasi spanjoll mbajnë firmën e Kadit. Komunikimi nuk është bërë me asnjë autoritet spanjoll siç rregullon Konventa e Hagës.

Raporti i KPK

 

Ora 16:00
Përfundon seanca për Besnik Muçin, vendimi për prokurorin jepet më 1 gusht

Ka përfunduar seanca për prokurorin e Krimeve të Rënda, Besnik Muçi. Seanca dëgjimore pranë KPK-së, për Muçin ka përfunduar ndërkohë që vendimi pritet të jepet më 1 gusht, ora 10:00. Muçi ka kërkuar rikonfirmimin në detyrë.

Ora 14:36
Nis Vettingu për prokurorin Besnik Muçi, KPK: Ka pasuri të padeklaruar

Tiranë- Komisioni i Pavarur i Vettingut ka zhvilluar seanca dëgjimore për prokurorin e Krimeve të Rënda, Besnik Muçi.  Trupa gjykuese përbëhet nga Lulzim Hamitaj, Brunilda Bekteshi, Olsi Komici. Prokurori Muçi është i pranishëm vetë në sallë, pa praninë e një avokati. 

Prokurori ka deklaruar si pasuri: një tokë me sipërfaqe 366 m2 në Pogradec; 2 mijë m2 tokë bujqësore të përfituar sipas ligjit 7501; një shtëpi në Tiranë, të blerë me hua dhe kursimet e punës në emigracion; tokë me sipërfaqje 300 m2 në Shkozë të blerë nga kursimet; 4. 2 mijë m2 tokë bujqësore në Pogradec të blerë nga kursimet e tij; apartament në Tiranë me sipërfaqe 78 m2 të blerë 2016 me vlerën 75 mijë euro, 25 mijë prej të cilave i kishte kursime dhe 15 mijë euro i kishte marrë hua; një automjet me vlerë 6200 euro; kursime nga puna për menaxhimin e dy dyqaneve mobileri në Turqi dhe 15 mijë euro borxh.

Sipas raportit të ILDKP-së, prokurori ka bërë deklarim të saktë pasurie dhe pa fshehje.

Nga ana e saj, KPK ka kryer hetim të thelluar, sipas të cilit ka rezultuar se ishte pronar i një toke me sipërfaqe 366 m2 në Pogradec, të cilën  e ka përfituar si anëtar i familjes bujqësore. Gjithashtu Muçi nuk ka deklaruar një banesë me sipërfaqe 99 m2 mbi këtë truall të regjistruar në ZRPP që në 1996. Vetë prokurori është shprehur se nuk kishte dijeni që kishte një  ndërtesë, të cilën sipas KPK e ka përfituar në mënyrë të paligjshme.

KPK gjithashtu është shprehur se për shtesën e apartamentit ka të dhëna kontadiktore dhe pa saktësi mbi kohën e ndërtimit. Pranë zyrave të noterive, rezultoi se noteri S.R. në 2013 i ka shitur një truall me sipërfaqe 178 m2 me vlerë e 1.3 milionve prindërve të bashkëshortes së prokurorit, shitje e cila nuk është deklaruar.

Prokurori ka filluar të paguajë tatimet mbi qeranë dhe të ardhurat personale vetëm pas plotësimit të formularit të Vettingut. Prokurori ka edhe një rast gjobëvënie por nuk ka pasur përgjime apo hetime.

Një hetim për pastërtinë e figurës ka kryer edhe DSIK, sipas të cilës Muçi rezulton i pastër. Përsa i përket aftësisë profesionale janë konstatuar mangësi dhe parregullsi pa nënshkrime por gjithsesi ndaj Muçit nuk ka pasur masa disiplinore. Ndaj prokurorit ka tre denoncime, por që nuk rezulton të ketë indicie për paaftësi profesionale.

Besnik Muçi është kandidat për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Ora 12:09
Jeton akoma me qera, gjyqtari Gentjan Medja del para Vettingut

Tiranë- Komisioni i Pavarur i Kualifikimit  ka zhvilluar ditën e sotme seancën dëgjimore të Gentjan Medjas, gjyqtar pranë Gjykatës Administrative së Shkallës së Parë, Tiranë. Trupa gjykuese përbëhet nga Roland Alia, Xhensila Pine dhe Firdes Shuli.

Në seancë gjyqtari Medja ka zgjedhur të jetë vetë i pranishëm pa praninë e avokatit.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit  ka zhvilluar ditën e sotme seancën dëgjimore të Gentjan Medja, gjyqtar pranë Gjykatës Administrative së Shkallës së Parë, Tiranë. Trupa gjykuese përbëhet nga Roland Alia, Xhensila Pine dhe Firdes Shuli.

Në seancë gjyqtari Medja ka zgjedhur të jetë vetë i pranishëm pa praninë e avokatit.

Sipas raportit të ILDKP-së, gjyqtari ka sjellë raporte saktësie, pa fshehje dhe deklarime të rrema.

Edhe pas hetimit të pavaruar të KPK-së, rezulton se nuk ka pasuri të paluajtshme të padeklaruara dhe pasaktësi në llogaritë bankare. 
Si pasuri të tij, Medja ka deklaruar një autoveturë tip Benz blerë në vitin 2009 me vlerë 250 mijë lekë të kursyera nga paga për të cilat s’ka dyshime; kursime familjare me vlerë 1.4 milion dhe likujditete me burime të ligjshme. Aktualisht gjyqtari jeton me qera në Tiranë.

Në emër të prindërve të tij është një apartament në Shkodër me sipërfaqe 65 m2 për të cilin gjithashtu nuk ka dyshime, dhe 144 aksione në një shoqëri cigaresh që nuk sjell asnjë të ardhur.

Përsa i përket hetimeve për figurën, DSIK raporton se është i përshtatshëm pasi nuk janë gjetur lidhje të dyshimta. Por sa i përket aftësimit profesional, gjyqtari nuk ka respektuar afatet ligjore të çështjeve, i mungojnë procesverbalet dhe ka parregullsi në njoftimin e palëve.

Parregullsi, të cilat Medja i ka justifikuar me faktin që Gjykata Administrative që në momentin kur u krijua u përball me fluks të lartë dhe për t’i kryer të gjitha proceset ishte fizikisht e pamundur.

Në fund gjyqtari ka kërkuar rikonfirmimin e tij në detyrë, ndërsa seanca për dhënien e vendimit është vendimit është lënë me 1 gusht në orën 9:30.

Ora 11:12
Pas seancës dëgjimore, Medi Bici para kamerave: Kam besim tek KPK por prisja vlerësim tjetër

Pas seancës dëgjimore, gjyqtari i Gjykatës së Lartë Medi Bici ka dhënë një prononcim për mediat. Në deklaratën e tij ai është shprehur se tek KPK-ja ka besim por priste për një vlerësim tjetër duke pasur parasysh karrierën e tij të gjatë.

Medi Bici para mediave:

Çfarë prisni nga Komisioni?

Unë besoj tek Komisioni. Por duhet thënë që prisja vlerësim tjetër duke marrë parasysh karrierën time.

Si e vlerësoni punën e Gjykatës së Lartë?

Gjykata e Lartë gjykon me 22% të kapacitetit, janë 25 mijë çështje, të tjerat mund t’i kalkuloni vetë.

Qytetarët duhet të vazhdojnë të presin për të marrë drejtësi nga Gjykata e Lartë?

Me këtë numër gjyqtarësh vetëm çështjet emergjente mund të shqyrtohen. Merremi vetëm me to.

Ora 10:07
I fundit i Gjykatës së Lartë del para Vettingut, rrezikohet Medi Bici

Tiranë- Medi Bici është anëtari i fundit i Gjykatës së Lartë që do të përballet me procesin e Vettingut.

Në seancën dëgjimore të zhvilluar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Bici ka zgjedhur të jetë prezent duke mos u përfaqësuar nga një avokat.  Trupi gjykues drejtohet nga Xhensila Pine dhe anëtaret Etleda Çiftja dhe Valbona Sanxhaktari. Vendimi për të do të merret në datë 31 korrik në orën 14:45.

Problem për Bicin është pasuria fillestare e tij, ku për secilën prej aseteve ai deklaron si burim të ardhurat nga puna dhe ndihma e vëllezërve emigrantë në Itali, pa specifikuar kontributin e secilit prej tyre.

Sipas raportit të ILDKP-së, Bici rezulton me pasaktësi, deklarim të rremë, fshehje dhe mosjustifikim pasurie.

Bici është mbrojtur duke u shprehur se të gjitha provat e duhura i ka paraqitur të plota, të noterizuara dhe me vulë apustile, kështu që sipas tij, ILDKP përpara se të arrinte në përfundime duhet ta thërriste për të dhënë shpjegime pasi ai ka siguruar edhe 11 prova të reja.

Me kërkesën e Bicit për dorëzimin e dokumenteve të reja, KPK ka vendosur t’i pranojë.

Pas hetimit të bërë nga KPK rezulton se Bici në pronësi të tij ka: një vilë 4 katëshe në Tiranë, me sipërfaqje 430 m2, ndërtuar në vitet ‘93-‘96 si objekt pa leje dhe legalizuar në 2011, për të cilën ka mospërputhje në deklarata për sipërfaqen, katet dhe vlerën e investimit; tokë bujqësore në Manëz me sipërfaqe 2 mijë m2;  autoveturë Craisler me vlerë 10 mijë euro dhe llogari bankare 1.8 mln lekë kursime. 

Bici ka justifikuar pasurinë duke deklaruar se vlera e subjektit është 6 milion lekë ndërtuar me ndihmën e vëllait; gjithashtu prej tij ka marrë ndihmë për shkollimin e fëmijëve me shumën 10 mijë euro, dhurim i cili është pranuar nga vëllai por pa dokumente; makina është blerë nga kursimet dhe nga shitja e makinës së parë, po ashtu edhe llogaritë bankare me vlerë 1.8 mln lekë i ka nga kursimet.

E gjithë çështja është tek shtëpia, ndërtimi i së cilës ka zgjatur ndërtimi 3 vjet. Kur e nisa kisha kursimet e vitit 1993. Që prej vitit 1996 askush nuk vendosi dorë në shtëpi. Deri në vitin 2014 që nisi djali punë kam qenë vetëm unë rrogë në shtëpi. Bashkëshortja ka rritur fëmijët. Kjo është arsyeja që vëllai më ndihmoi për studimet e djalit.

Kam 41 vite punë, nga të cilat 21 vite i kam në minierën e Valiasit. Shtëpia ime është në zonën më të varfër të Tiranës. As nuk kemi udhëtuar. Unë dhe familja ime skemi asnjë vulë jashtë vendit veç vizitave zyrtare. Fëmijët tanë kanë qënë ekselencë në mësime dhe kanë përfituar bursë nga Bashkia pasi ne nuk patëm mundësi që t’i shkollojmë jashtë vendit.

Medi Bici

DSIK ka sjellë një raport pozitiv përsa i përket figurës së gjyqtarit Bici, duke deklaruar se është i pastër; ka aftësi të zbatuese të ligjit dhe ka aftësi arsyetimi ligjor. Hetimi i DSIK ka hedhur poshtë edhe 15 denoncime nga ana e publikut. Nga ana e tij, Boci ka përgëzuar Komisionin për ekspertimin e bërë duke u shprehur më pas se shpreson për një rikonfirmim në detyrë.

Në 7 korrik 2019 më mbaron mandati, kam edhe 11 muaj, ndaj edhe kërkoj rikonfirmimin në detyrë. Kam dhënë 3 dënime me vdekje. Dhjetra të përjetshme, qindra të tjera të rënda. Nuk më është refuzuar asnjëherë viza në ndonjë vend të BE. Kam vizë edhe në SHBA.

Medi Bici

Bici është kandidat për Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Ora 09:33
Vettingu, shkarkohet nga detyra gjykatësi Shkëlzen Selimi

Tiranë- Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi sot gjyqtarin e Lartë, Shkëlzen Selimi. Gjatë seancës dëgjimore KPK tha se Selimi u vlerësua vetëm për pastërtinë e figurës dhe jo për pasurinë apo aftësitë profesionale.

Sipas KPK Selimi kishte dy kontakte të papërshtatshme, të cilat me sa duket i kushtuan detyrën si anëtar i Gjykatës së Lartë. Një kontakt ishte sjellë nga DSIK.

Bëhej fjalë për shtetasin Fero Dervishaj, i cili ishte mik me gjyqtarin dhe rezultonte problematik me policinë dhe drejtësinë. 

Kontakti i dytë i papërshtatshëm ishte sjellë nga ONM-ja, e cila referonte se Shkëlzen Selimi kishte ndihmuar që personi me inicialet A.I. në kërkim nga Italia për trafik kokaine të mos ekstradohej.

Vetë gjyqtari e quajti procesin të manipuluar e të paragjykuar që në fillim dhe u largua nga seanca dëgjimore. Selimi nuk mori pjesë as në seancën e sotme të vendimmarrjes.

Pas largimit të Selimit, duket se edhe Gjykata e Lartë do të ketë të njëjtin fat me gjykatën Kushtetuese duke u bllokuar për shkak të shkarkimit të gjyqtarëve nga Vettingu. 

Ora 09:02
Shkarkohet gjyqtari Bledar Abdullai, KPK: Bashkëjetuesja s’justifikon 400 mijë euro

Tiranë- Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka marrë vendimin për gjyqtarin e Gjykatës së Tiranës, Bledar Abdullai duke e shkarkuar nga detyra. Pas seancës dëgjimore të zhvilluar ditën e enjte, trupa gjykuese është shprehur se Bledar Abdullai ka fshehur pasurinë si dhe ka tejkaluar afatet për gjykimin e çësthjeve në disa raste.

Sipas KPK, prindërit e Bledar Abdullait janë investitor të një fondi tek një bankë e nivelit të dytë, por nuk i justifikojnë të ardhurat. Por problemet më të mëdha për gjyqtarin e Tiranës janë zbuluar tek bashkëjetuesia e tij.

Pas hetimeve të KPK, bashkëjetuesja e gjyqtarit nuk justifikon një shtëpi në Golem; disa llogari në emër të saj konkretisht 90 mijë dollarë, 130 mijë euro; një apartament të blerë në Tiranë, një zyrë dhe një garazh me vlerë totale 187 mijë euro. 

Gjatë seancës dëgjimore, gjyqtari u justifikua se bashkëjetuesja e tij këto para i ka nga bizneset dhe trashëgimi nga familja. 

Gjithashtu KPK ka konstatuar se gjyqtari i Tiranës ka liruar një të burgosur të arrestuar për drogë. Gjyqtari i ka dhënë masën arrest shtëpiak, ndërkohë që apeli i Tiranës e ka rikthyer në burg këtë person. Tjetër shkelje e tij, është tejkalimi i afateve për disa çështje civile, duke i zgjatur ato më shumë se 1 vit e gjysëm pa arsye. 

Edhe në këtë rast gjyqtari është justifikuar se ka ndodhur për shkak të ngarkesës në punë. 

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Proka: 31/07/2018 00:40

    Gjykatesit korrupte i shkaktuan shtetit probleme te pafundshme, paramendoni konfliktet,vrasjet per shkake te pasurise se patundshme,probleme te tilla lindin reakcion zingjiror kriminal qe nuk mbarojne me decenie. Ky eshte kulmi i cmendurise,njeriu normal nuk mund ta kuptoje nje veprim te tille. Mjerim

    Përgjigju
  • populli: 30/07/2018 17:17

    I pari qe duhet te iki nga gjykata e larte eshte Zhezair Zaganjori per pasurite marramendese qe ka . Ai duhet te shkoj me burg dhe ti sekuestrohen te gjitha pasurite

    Përgjigju
  • Anton: 30/07/2018 15:46

    Sekustrim pasurive mongoleve te albanistanit

    Përgjigju
  • niku: 30/07/2018 13:48

    Ky te rruante. sdonte te dinte fare kishe apo jo te drejte mjafton te kishe $

    Përgjigju
  • Kafsha: 30/07/2018 13:04

    Abdullahë, Selimë, Selamë, Bajramë, Bexhetë, Kudretë, Ali, Fiqri, Nezhdetë, Ylmi... Kur do i ndërojmë këta emra?

    Përgjigju
  • Populli: 30/07/2018 10:06

    Edhe nje tjeter krim nga pinoceti shqiptar sali krimineli;ja mese ebushi vendin diktatori qe del e LEH cdo dite per krime dhe shkelje,dhe sa kohe do vazhdoje ky KOLERE???

    Përgjigju
  • Turi: 30/07/2018 09:22

    Ku paske qën mor Edo. Kështu fillohet java me mirsi dhe hajër.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale