Franca është një “rrul” dhe shtyp këdo i del përpara në kualifikueset e “Euro 2020”. Pasi mposhti pak ditë më parë Moldavinë me katër gola të shënuar po kaq herë tundi edhe rrjetën e Islandës duke kryesuar me pikë të plota në dy ndeshje grupin H ku bën pjesë edhe Shqipëria. Në Paris transalpinët mposhtën mes spektaklit Islandën 4-0 dhe me 6 pikë dominojnë grupin H kualifikues. Umtiti në pjesën e parë dhe Giroud, Mbappe e Griezmann në fraksionin e dytë ishin autorët e golave.
Në vend të dytë në grupin tonë është Turqia me po 6 pikë pas dy fitoreve në dy ndeshje. Pasi fitoi në Shkodër ndaj Shqipërisë skuadra e Senol Gynesh shpërtheu ndaj Moldavisë duke fituar 4-0. Dygolësh realizoi Cenk Tosun dhe nga një herë shënuan Ali Kaldirim dhe Ajhan. Në vendin e tretë të grupit H është Shqipëria me 3 pikë që i siguroi në fitoren ndaj Andorras.
Kosova e nisi me një barazim fushatën kualifikuese të “Euro 2020”. Goli i Arbër Zenelit vlejti vetëm për të barazuar në shifrat 1-1 me Bullgarinë. Ndërsa grupin A ku bën pjesë Kosova po e dominon Anglia. “Tre luanët” pasi mposhtën 5-0 Çekinë pak ditë më parë i dhanë dje një “shuplakë” edhe Malit të Zi duke fituar 5-1 në Podgoricë. Ndërkaq në grupin B Portugalia e Ronaldos ka ngecur për të dytën herë radhazi. Luzitanët nuk shkuan më shumë se një barazim 1-1 ndaj Serbisë. Ukraina me vështirësi mundi Luksemburgun dhe kryeson grupin.
Përgatiti Andi Kapxhiu