Për të dytën ditë me radhë, opozita e ktheu në kryefjalë të diskutimeve në komisionet parlamentare hetimin ndaj Vlora Hysenit, tashmë të shkarkuar nga kreu i SHISH dhe lidhjet e saj me Ergys Agasin.

Kreu i Grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi e quajti jo-rastësi vendosjen e saj në krye të Shërbimit Informativ nga kryeministri Edi Rama dhe kërkoi që kreu i qeverisë të shpjegojë përzgjedhjen e Vlora Hysenit në drejtimin e SHISH.

“Vlora Hyseni është marrë si përzgjedhje personale e Edi Ramës për të kënaqur interesat e koordinatorit me krimin e organizuar, Ergys Agasi. Këtu kemi të bëjmë me përgjegjësi shtetërore. Prandaj, Edi Rama duhet të japë shpjegime”, tha Bardhi.

Edhe kryetarja e komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Jorida Tabaku, tha se kjo çështje ka cenuar sigurinë kombëtare. 

“Kjo nuk është një çështje që duhet të na ndajë në të majtë dhe të djathtë. Është një çështje e Shqipërisë, që lidhet me reputacionin dhe emrin e vendit tonë”, u shpreh Tabaku.

Shqetësimin për sigurinë kombëtare e ngriti edhe deputetja Ina Zhupa.

“Është njeriu që kishte sekrete shtetërore, garancia e sigurisë kombëtare, vend anëtar i NATO-s, cenim i drejtpërdrejtë i sigurisë kombëtare”, tha Ina Zhupa.

“Drejtësia që duam është ajo që lemë në punën e saj, ajo që doni është ajo që nuk ka funksionuar dhe që ecën sipas politikës”, iu përgjigj Erion Malaj.

Debate pati edhe në komisionin e ligjeve.

Oerd Bylykbashi: Rend dite sot, në çdo komision, në seance plenare, është skandali i djeshëm. Kjo reforma që i sillni shqiptarëve për t’ia nxirë jetën shqiptarëve, ka për sfond skandalin e djeshëm kreu i shish që arrestohet nga SPAK për lidhje me krimin e organizuar. Ky shtet është i krimbur nga koka te këmbët, ky kuvend diskuton për seksin e engjëjve. Flet për gjërat që do t’ia bëjnë më keq jetën. Ky Kuvend duhet të mblidhet sot. Si ka mundësi që krimi i organizuar të jetë penetruar te SHISH, AKSHI, kadastra, ministritë, sistemi i prokurimit,. Një shtet i rënë. Se mos ia vini fajin vetëm drejtoresha po Agasit, është kryeministri. Ajo është një lungë e sistemit që është i infektuar në të gjitha qelizat e veta, me një emër infeksioni, Edi Rama.

Manja: Veprimtari normale e institucioneve në një shtet demokratik.

Korreshi: Mendovca se kishte ardhur Bajromi për të mbledhur Këshillin e Sigurisë, se ka rënë shteti ka rënë siguresat gjithë. Ne vazhdojmë sikur këtu s’ka ndodhur asgjë, do bëjmë koperativa të tipit lart, apo të mesëm, të tipt bujqësor. Ky kuvend a ka ndonjëherë prioritete, kur bie siguria kombëtare. Sot kush e ruan shtetin tonë. Bajrami dini gjë ku është.

Blushi: Prioritetet në komisionin e ligjeve duhet të jenë respektimi i ligjit dhe kushtetutës. Ky komision është përgjegjës për ti garantuar këto. Jemi në kushtet kur arkitektura e shtetit ka rënë, ku siguria kombëtare ka rënë, s’besoj se ka prioritet më të madh për një Komision Ligjesh sesa të mbajë një qëndrim lidhur me një çështje e cila cenon kushtetutën dhe sigurinë kombëtare të një vendi anëtar të NATO. Sot Shqipëria është pa SHISH, se u faktua që ky shërbim kontrollohej nga krimi, mafia. Është pa polici shteti, se policia është dorëzuar në duart e krimit. Pa ministri mbrojtje, se është dorëzuar në duart e mafies. Edhe pa këshill të sigurimit kombëtar se anëtarët janë përfaqësues të mafies. Në këto kushte s’besoj të ketë prioritet më të madh për këtë komision se mbajtja e një qëndrimi për rikthimin e ligjshmërisë mbrojtjes së republikës se sa një projektligj që forcon axhendën shpopulluese.

Vetë Presidenti Begaj deri më tani nuk ka dhënë asnjë koment nëse do t’i përgjigjet pozitivisht kërkesave publike të opozitës për të mbledhur Këshillin e Sigurimit Kombëtar. Begaj ka folur vetëm me dekret, duke firmosur mbrëmjen e së martës pas propozimit të kryeministrit Rama dekretin për shkarkimin e Vlora Hysenit nga kreu i SHISH.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:46
Arrestimi i kreut të SHISH/ Gjekmarkaj: Qershia mbi tortën e ndyrë të skandaleve, ka rënë sistemi! Bido: S’ndodh më të cënohet siguria kombëtare duke i shitur naftë Serbisë

1790173939_arditbidoagrongjekmarkaj.jpg

Hetimi i SPAK ndaj Vlora Hysenit, tashmë të shkarkuar nga kreu i SHISH dhe lidhjet e saj me Ergys Agasin, është kthyer në objekt diskutimesh në komisionet parlamentare, mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës.

Në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj dhe ai socialist, Ardit Bido, u përfshinë në replika për këtë çështje.

Gjekmarkaj duke folur për këtë çështje, e cilësoi situatën si tronditëse dhe ngriti shqetësime lidhur me sigurinë kombëtare.

Duke u kërkuar deputetëve socialistë që të reflektojnë për situatën, Gjekmarkaj tha se kjo ngjarje ka ndikim edhe në mënyrën e funksionimit të institucioneve të shtetit.

“Ngjarja e djeshme sigurisht është një qershi mbi atë tortë të ndyrë të skandaleve që kanë mbërthyer Shqipërinë prej 14 vitesh. Dhe është vërtet tronditëse nga përmasat. Mendoj që një punonjës drejtësie, një prokuror i përgjegjshëm, sigurisht nuk do ta merrte një vendim të tillë pa pasur qartësinë, fushëpamjen dhe gjithë informacionin që çojnë drejt një vendimi të tillë për të arrestuar drejtuesin e Shërbimit Informativ Kombëtar, që është një nga eksponentët kryesorë të shtetit. Këtu përballë kam zotin Bido, që në mos gaboj nga profesioni është historian, ose të paktën ka menaxhuar historinë nëpërmjet arkivit. Duket si shokuese, por praktikisht të bien zëvendëskryeministrat, ministra, çdo drejtor i rëndësishëm, të bjerë drejtori i përgjithshëm i Policisë, të bjerë SHIK-u, të ka rënë sistemi”, tha mes të tjerash Gjekmarkaj.

Nga ana tjetër, deputeti Ardit Bido iu përgjigj Gjekmarkajt duke thënë se do të jetë vendimmarrja e gjykatave që do të bëjë vlerësimin e plotë të situatës.

Më tej Bido e lidhi diskutimin edhe me çështjen e sigurisë kombëtare dhe kërkoi që ajo të trajtohet përtej këndvështrimeve partiake.

Por Bido, në përgjigjen e tij për Gjekmarkajn tha gjithashtu se sot Shqipëria nuk është më si dikur, kur sipas tij cënohej siguria kombëtare duke i shitur naftë Serbisë së Millosheviçit dhe rasti nuk hetohej.

“Bie dakord që zhvillimet e djeshme duhet të diskutohen, siç po ndodh në çdo komision, sepse kanë vëmendjen e opinionit publik. Nuk duhet mohuar kjo, ashtu siç nuk mohoj që dje kisha ndjesi zhgënjimi dhe habie, sepse institucionet e rëndësisë së veçantë siç është SHISH, vendosja në pikëpyetje e integritetit të tyre nënkupton risk për sigurinë kombëtare. Për këtë duhet të presim zhvillimin e hetimeve, vendimmarrjen e gjykatave për të kuptuar nëse është cenuar siguria kombëtare. Nëse do të rezultojë abuzim i detyrës, është cenim i sigurisë. Ku vjen momenti që dje u ndjeva mirë. Jemi në pikën që nuk do të ndodhë në të ardhmen që të cenohet siguria kombëtare duke i shitur naftë Serbisë së Millosheviçit dhe të mos hetohet kurrë. Që nuk do të ndodhë në të ardhmen që të vriten patriotë që luftonin për pavarësinë e Kosovës nga Shërbimi Informativ dhe të hetohen pas shumë vitesh”, tha mes të tjerash Bido.

Ora 12:38
Arresti shtëpiak i kreut të SHISH, Tabaku në komision: Qeveria i ka dhënë besën krimit, Parlamenti nuk duhej të heshte (VIDEO)

 

Vendosja e drejtueses së SHISH-it, Vlora Hyseni, në arrest shtëpiak dhe kontrollet ndaj ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, duhet të kishin sjellë një reagim të menjëhershëm të Parlamentit, tha deputetja demokrate Jorida Tabaku në hapje të mbledhjes së Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, të cilin ajo e drejton.

Deputetja akuzoi qeverinë se ka lejuar ndikimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në institucione dhe kërkoi përgjegjësi institucionale.

Fjala e Tabakut në Komision

“Nuk besoj se dje ka qenë një ditë e mirë për Shqipërinë. Ne jemi opozitë dhe, ndonëse jemi në kahe të ndryshme, nuk gjetëm asnjë lajm të mirë në marrjen nën hetim të kreut të SHISH-it, Vlora Hyseni.

Ishte një lajm i trishtë për Shqipërinë, për shtetin shqiptar dhe për besimin që kemi te SHISH-i. Pezullimi nga detyra i drejtueses së SHISH-it dhe, njëkohësisht, akuzat e ngritura nga SPAK-u kanë cenuar themelet e shtetit.

Ajo që pamë dje ishte një pasqyrë besnike se kujt i ka dhënë besën qeveria shqiptare. Ata i kanë dhënë besën një pakice, krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Edhe si përfaqësuese e opozitës, edhe si kryetare e komisionit, do të kisha dëshiruar që Parlamenti të ishte ngritur në këmbë dhe ta kishte këtë çështje në majë të gjuhës e në qendër të debatit.

Kjo nuk është një çështje që duhet të na ndajë në të majtë dhe të djathtë. Është një çështje e Shqipërisë, që lidhet me reputacionin dhe emrin e vendit tonë.

Për të thënë të vërtetën, ka pasur akuza të shumta ndaj kreut të SHISH-it për përfshirje dhe bashkëpunim të dyshuar me elementë të krimit të organizuar, të cilët janë nën hetim. Ka akuza për ish-zëvendëskryeministren, ka akuza ndaj AKSHI-t dhe ka akuza ndaj ish-drejtorit të Policisë së Shtetit.

Madje, zoti Bardhi, të cilin e kemi sot këtu, në vitin 2023 i kërkoi Presidentit të Republikës transparencë dhe informacion për zonjën Hyseni, pasi disa vite më parë ajo ishte larguar nga institucioni homolog në Kosovë.

Ne duhet të jemi të pjekur dhe ta duam vendin tonë më shumë sesa partinë. Këtë çështje duhet ta trajtojmë si një çështje të Shqipërisë.

Unë besoj se nuk ka pasqyrë më të qartë dhe dëshmi më besnike për këtë shumicë sesa ajo që SPAK-u na vërtetoi.

Me trishtim i bëj këto komente. Me trishtim e ngre shqetësimin se sot të gjitha strukturat e shtetit kanë rënë dhe janë cenuar, ndërkohë që Shqipëria duhet të ishte në një dinamikë dhe në një proces tjetër.”

 

Ora 12:30
Vlora Hyseni në arrest shtëpiak, Bardhi: Rama ta shpjegojë emërimin e saj në krye të SHISH (VIDEO)

 

Pas vendosjes së shefes së Shërbimit Sekret Vlora Hysenit në arrest shtëpiak.Gazment Bardhi kërkoi nga kryeministri Edi Rama që të japë shpjegime për emërimin e saj në krye të SHISH. 

Duke folur në mbledhjen e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Bardhi e cilësoi të gjithë ngjarjen si dëshmi të depërtimit të krimit në institucionet shtetërore.

Deklarata e plotë e Gazment Bardhit 

"Kjo që ka ndodhur dje nuk është çështje drejtësie, por vërtetim i depërtimit të krimit në institucione. Kemi parë kur krimi ka depërtuar në Kuvend. Kemi bërë një ligj për këtë. Kemi parë kur krimi depërton në institucionet e qeverisë. Dje e pamë. Dmth, dje u verifikua ajo që ne kemi thënë: që Ergys Agasi ka emëruar Vlora Hysenin. Dhe po flisni për prezumimin e pafajësisë. E ka pranuar ajo, ka thënë se kanë punuar. Pra, e ka bërë një nëpunëse shteti atë. Por, në fakt, kjo është komunikuar për t’i dhënë informacione, jo për t’i marrë.

Këtu nis gjithçka. Vlora Hyseni është marrë si përzgjedhje personale e Edi Ramës për të kënaqur interesat e koordinatorit me krimin e organizuar, Ergys Agasi. Këtu kemi të bëjmë me përgjegjësi shtetërore. Prandaj, Edi Rama duhet të japë shpjegime.

Ky njeri është shkarkuar në Kosovë për të njëjtin krim, nxjerrje të informacioneve. Prandaj, duhet të japë shpjegime. Kishte probleme Ergys Agasi, zonja menjëherë ishte hedhur tek Ron Yefet. Ishte hedhur direkt.

Këtu ka përgjegjësi shtetërore dhe duhet të mbajë përgjegjësi Edi Rama, që e ka çuar shërbimin në këtë derexhe.

Ju flisni për standard drejtësie? A ishit ju para gjashtë muajsh që bllokuat arrestimin e Belinda Ballukut? Çfarë standardi flisni ju?! Jam i sigurt se, po të kishte imunitet kjo zonjë, do ta mbronit edhe këtë, siç mbrojtët Belinda Ballukun.

Ergys Agasi ka ngrënë katër ministra të Brendshëm. Dhe Lamallari iku vetëm për faktin se nuk kishte informacion për arrestimin e Agasit. Prandaj e hëngri Edi Rama.

Kjo është përgjegjësi institucionale. Ai njeri ka pushtet sepse ia ka dhënë Edi Rama" tha Bardhi në Komision. 

Ora 10:55
Kreu i SHISH në arrest shtëpiak, Zhupa: Cenim i sigurisë kombëtare, SPAK të ketë guximin të shkojë te Rama! PS: Lëreni drejtësinë të bëjë punën e saj (VIDEO)

 

Deputetja demokrate Ina Zhupa është përplasur me socialistët në Komisomnin e Kulturës për çështjen e drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni ndaj së cilës është caktuar masa arrest në shtëpi dhe pezullim nga detyra. Deputetja e PD tha se rasti cenon drejtpërdrejt sigurinë kombëtare dhe i bëri thirrej SPAK që të shkojë deri te kryeministri Edi Rama. Deputeti socialist Erion Malaj u përgjigj se drejtësia duhet lënë të bëjë punën e saj.

Ina Zhupa: SPAK a ka këllqe dhe forcë të hetojë kreun e organizatës kriminale? Të gjitha janë emërime të drejtpërdrejta të Edi Ramës. Është vullneti i Edi Ramës për arrestimin e tyre. Të gjithë i lëshon në një moment, kur i bëhen më të rëndësishme se vetja. Kur të ketë drejtësia të ketë guximin të shkojë te Rama mund të flasim për drejtësi të pavarur.

Erion Malaj: Drejtësia që duam është ajo që lemë në punën e saj, ajo që doni është ajo që nuk ka funksionuar dhe që ecën sipas politikës.

Zhupa: Uroj këtë fjalim të kishit mbajtur kur u kërkua imuniteti i Belinda Ballukut.

Zhupa: Ti sot ke shefen e SHISH, që e konsideron sikur është kapur sanitarja e Kuvendit. Është njeriu që kishte sekrete shtetërore, garancia e sigurisë kombëtare, vend anëtar i NATO-s, cenim I drejtpërdrejtë I sigurisë kombëtare. Kam frikë mos ndonjëri nga ju del në ato dokumente sekrete se dini më shumë se ç’thoni për sekretet e shtetit shqiptar. Më vjen keq që bëni deklarata publike që mund të përdoren kundër jush. Çështje të sigurisë kombëtare nuk trajtohen me këtë mendjelehtësi. Sot kemi vërtetuar që kemi narkoshtet.

SI.E./E.H/Shqiptarja.com
Sa e vlerësoni këtë artikull?
★ ★ ★ ★ ★

Komente

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Iris: 24/09/2026 02:10

    O.K z.Malaj,drejtesia te beje punen e saj,por me disa akte te deritanishme, keni treguar qe nuk e keni lene te beje punen e saj per disa raste,keni nderhyre.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 22 Shtator, 16:08

    Arrestimet e fundit nga SPAK, a janë provë e pavarësisë nga politika?