TIRANË- Preç Zogaj, një nga pjesëmarrësit e 8 dhjetorit 1990 që solli edhe rrëzimin e regjimit komunist, tregon për Report Tv detajet nga kjo lëvizje studentore, deri tek themelimi i Partisë Demokratike, drejtimi i saj nga Sali Berisha e përplasjet me këtë të fundit. Një lëvizje puro studentore më të madhen në histori e quan Zogaj, ndërsa thekson se solli një kthesë epokale.
Por, si u bë Berisha pjesë e kësaj partie, të cilën e drejtoi për vite me radhë që nga ai moment, duke shijuar edhe postet më të larta të shtetit? Preç Zogaj rrëfen për gazetarin Denis Minga një prej takimeve mes studentëve dhe Sali Berishës, që për këtë të fundit thotë se e kishte ftuar Azem Hajdari.
Njeriu i dy ‘palëve’ e quan Sali Berishën, për të cilin thotë se duke qenë anëtar i partisë së punës ishte si një ‘urë’ lidhëse për të komunikuar me studentët.
“Duke qenë anëtar i partisë së punës, Berisha ka kontaktuar edhe me Ramiz Alinë dhe ka qenë në atë fillim një person i dy palëve. Ai i kishte si me thënë kredencialet në atë periudhë për të diskutuar edhe me studentë, pavarësisht se u konfliktua me disa për çështje të dialogut”, tha Zogaj.
Zogaj tregon se si studentët nisën të largoheshin nga Partia demokratike njëri-pas tjetrit, e arsyeja ishte e qartë: Mosdakordësia me mënyrën se si Berisha kishte uzurpuar partinë dhe po drejtonte me një frymë neokomuniste. Disa thjesht u larguan, ndërsa të tjerë, Zogaj thotë se u përjashtuan në ’92 me dorë të hekurt, një prej tyre edhe vetë ai.
“Po të shohësh takimin e tyre me Ramiz Alinë tregon se ata kanë pjekuri politike dhe njohin më mirë se Ramiz Alia botën e lirë. Ishin shumë të qartë, shumë të vendosur. Në atë grupin e parë, nismëtarë të PD kishte 6 studentë. Përderisa u pranua që kjo mos të jetë vetëm studentore, por të jetë popullore, atëherë do kishte studentë dhe të tjerë. Këtu nis historia e largimit të tyre njëri pas tjetrit. Dhe ata nuk është se ishin të organizuar në një grup, në një bllok që t’i kundërvihej palës tjetër me të cilën nuk ishin dakord. Ata ikën një nga një për pajtueshmëri për mënyrën se si po funksiononte PD. Nuk mund të përdorej dora e hekurit, siç u përdor më vonë. Se ne jemi përjashtuar me arrogancë e dorë të hekurt 2 vjet më vonë, në kuptimin që këta duhej të ikin menjëherë nga sytë këmbët nën britmat e mitingjeve që kishin mbush sallën e thirrur nga Berisha. Këtu jemi akoma në fillim, ata kanë ik se nuk pajtoheshin me mënyrën se si po drejtohej partia. Ata mendonin ndryshe, ata u panë si një grup që ua prishte deri diku planet pjesës tjetër, pjesës tonë. Edhe pse unë kam qenë përkrah tyre, sa kohë ata ikën të gjithë kemi një përgjegjësi. Pastaj patëm edhe ne fatin e atyre. Këta studentë që ishin larguar, ata ishin protagonistët për rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës. Ata nuk është se hoqën dorë nga qëllimi i tyre, por kishin këtë mendim që partia është uzurpuar nga një frymë e vetëm që është edhe neokomuniste. Atij i referoheshin (Berishës). Ai ishte zgjedhur kryetari, ishte zëri më i fuqishëm”, tha Zogaj në Report Tv.
Zogaj, edhe një prej themeluesve të PD, kujton edhe përplasjet me Sali Berishën në kongresin e vitit 1991. Edhe pse e mbështeti Berishën në balotazhin e parë për kryetar të partisë, pas një viti Zogaj thotë se bashkë me një grup kuptoi se PD duhej të drejtohej ndryshe. Kështu, Zogaj dhe grupi i tij propozuan kandidaturën e Neritan Cekës, duke kërkuar një parti më demokratike, me më shumë përfshirje dhe respekt për individët që kishin kontribuar në lëvizje.
“Unë jam një nga protagonistët që konceptuam që në zgjedhjet në kongres ne të dalim me një kandidaturë tjetër. Në kongresin e tetorit 1991, dolëm me kandidaturën e Neritan Cekës. Edhe pse kishim ndikuar që të zgjidhej Berisha për herë të parë në balotazhin me Gramozin, kishim qenë në krahun e tij. Përgjatë një viti arritëm përfundimin se kjo parti duhej drejtuar ndryshe, në mënyrë më demokratike, me gjithëpërfshirje, respekt ndaj gjithë individë që kanë kontribuar ndaj studentëve dhe intelektualëve të njohur. Partia duhet të jetë popullore por në nivelin e vendimmarrjes duhet të jetë elitare. Ne kishim konstatuar veprime, akte që po e shartonin elitarizmin me mediokritet me arrogancë, zgjidhje spontante pragmatiste. Ne e bëmë aktin tonë, nuk fituam në Kongres. Ai është kongresi që Berisha zbret nga llozha dhe vjen të më replikojë mua në foltore. Është fotografia emblemantike e asaj që pritej të ndodhte. Kishte ndërtuar një skenë, ishin një grup njerëzish që ishin përgatit se unë do them një gjë të keqe. Ata ishin mashtruar. Kur mbarova diskutimin duartrokitën ata që ishin në favorin tim, duartrokitjet përfshinë edhe gjithë pjesën që prisnin se do dalë armiku, se ishin përgatitur që do dalë armiku. U përball me mashtrimin e tij, doli për të vendosur gjendjen. Kur doli aty për të replikuar mua mbështetësit shpërthyen Sali Berisha, sepse menduan se nuk e kemi kuptuar ne, por e kuptoi ky. Dmth sekretari i parë i zbulon armiqtë. Kështu ishte tradita”, tha Zogaj në Report Tv.
Preç Zogaj komenton për Report Tv lëvizjen historike studentore të Dhjetorit 1990, duke e cilësuar atë si një ngjarje epokale në historinë e Shqipërisë. Ai e quan një lëvizje puro studentore, e cila më u mbështet nga intelektualë dhe qytetarë të Tiranës.
Zogaj thekson se kjo ishte hera e parë që një bllok i madh studentësh dhe të rinjsh u ngritën kundër regjimit komunist, një akt që i dha një goditje të fortë sistemit. Ai thekson për gazetarin Denis Minga se Shqipëria nuk mund të qëndronte më si "delja e zezë".
Ai gjithashtu shprehet se ka pasur përpjekje për të diskredituar këtë lëvizje, duke i atribuuar bashkëpunimin me regjimin, por thekson se ishte një lëvizje spontane studentore.
“Lëvizja demokratike që filloi më 8 dhjetor dhe vazhdoi edhe disa ditë të tjera, solli thyerje epokale në historinë tonë, kalimin nga komunizmi në pluralizëm. Në thelbin e vet, në fillimin e vet është lëvizje puro studentore. Nisi si lëvizje studentore, është ngjarje e madhe në histori. Merita i takon studentëve, pastaj janë bashkuar intelektualë, qytetarë të Tiranës që e garantuan atë lëvizje. Duhet të kthehemi te dita e parë e lirisë. Studentët i dhanë betejë regjimit si asnjëherë tjetër në gjithë historinë e regjimit. Ka pasur gjatë 45 vjetëve përballje ciklike, çdo 7-8 vjet, pro kanë qenë në grupe të vogla, ose individuale që regjimi i shtypi me lehtësi. Për herë të parë më 8 dhjetor 1990 ishte një bllok i madh njerëzish studentë, të rinj. Ishte mbushur kupa dhe Shqipëria nuk mund të qëndronte si delja e zezë e lindjes ish-komuniste. Të gjitha vendet e tjera kishin ndryshuar, kishte rënë komunizmi. Pastaj janë bërë gjithnjë përpjekje për ta diskredituar këtë lëvizjen duke i faturuar bashkëpunim me regjimin. Është një lëvizje puro studentore, pastaj regjimi ka bërë manovra, por nuk e ka shkaktuar regjimi. Regjimi i e ka shkaktuar se ishte mbushur kupa. Nuk ka regji, është shumë spontante”, tha Zogaj në Report Tv.
Në një intervistë për Report Tv, teksa foli për lëvizjen e dhjetorit 1990, Preç Zogaj tregon edhe si u vendos emri i Partisë Demokratike. Ai theksoi se ishte Elsa Elsa Ballauri, një shkrimtare dhe poete e re, bijë e një familjeje të persekutuar, e cila propozoi emrin "Partia Demokratike".
Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Sali Berisha. Zogaj thotë se Berisha ishte njeriu i dy palëve, pasi duke qenë anëtar i partisë ishte si urë komunikimi me studentët. Për Berishën, thotë se kishte kontaktet me Ramiz Alinë dhe ‘kredencialet’ në atë periudhë për të diskutuar me studentët.
"U pranua nga të gjithë aty, koncepti i krijimit të një partie, u fol për emrin. U dhanë 3 ose 4 propozime. Unë vetë mbaj mend që emrin Partia demokratike u dha nga Elsa Ballauri. Ishte aty, një shkrimtare e re, poete e re, bijë e një familje të persekutuar nga Korça. Tha edhe kjo një emër, dhe emri i saj u duk më i miri. Kishte edhe intelektualë, ishte edhe Berisha, Pashko, Imani, Edmond Budina, Eduard Zaloshnja. Kishte pedagogë, intelektualë e studentë. Berishën e kishte ftuar Azemi. Berisha ka pasur njohje me të gjithë këta, bashkë me Bensik Mustafaj dhe Kujtim Çashkun janë ngjitur për solidaritet. Duke qenë anëtar i partisë së punës, Berisha ka kontaktuar edhe me Ramiz Alinë dhe ka qenë në atë fillim një person i dy palëve. Ai i kishte si me thënë kredencialet në atë periudhë për të diskutuar edhe me studentët, pavarësisht se u konfliktua me disa për çështje të dialogut. Dukej se kishte edhe çështje të tjera që nuk i bënë publike ato studentë që e kundërshtuan dhe kërkuan që ai mos të jetë aty", tha Zogaj në Report Tv.
Preç, po te Fevzo pse shkon e dërdëllit? Pse e lejon që një gazetar sahanlëpirës i familjes Berisha të ndërpresin fjalën vend e pavend? Asgjë s'po na thua o Preç, koha jote perëndoi, ose s'ka lindur kurrë. Politika është zanat i vështirë. Më i vështirë se spiunimi.
Përgjigjusaliu do varur....cfare prisni akoma...
Përgjigju