Gjykata Elbasanit ka lënë në burg 4 nga 7 drejtuesit e Partisë Demokratike në qytetin e Elbasanit të cilët u arrestuan pasi më datë 13 qershor, iu vërsulën eskortës së kryeministrit Rama për t'i bllokuar hyrjen në qytetin e Librazhdit.

Nga ana e Prokurorisë është kërkuar burg për 5 prej tyre por gjykata ka vlerësuar masën e sigurisë 'Arrest me burg' vetëm për:  kryetarin e Degës së PD-së në Librazhd,  Bujar Vreto; kreun e PD-së në Prrenjas, Arjan Kariqin si dhe për dy prej mbështetësve të PD-së, Bujar Kojku, 54 vjeç, nga Librazhdi dhe  Dashamir Boja, 47 vjeç, nga Shtërmeni, Cërrik.

Ndërsa për ish-deputetin e PD-së, Aurel Bylykbashi është dhënë masa e sigurisë 'detyrim paraqitje. Po kështu detyrim paraqitje nga gjykata e Elbasanit është vendosur edhe për sekretarin e PD-së në Librazhd, Erlind Gurra dhe për sekretarin e PD-së në Prrenjas, Leonard Ozuni.

Kujtojmë se në lidhje me këtë ngjarje janë duke u proceduar në gjendje të lirë, edhe 16 persona të tjerë për veprat penale të “Organizimit, pjesëmarrjes në grumbullime, manifestime të paligjshme”, dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit’’ “Pengim i subjekteve zgjedhore”. Sipas policisë, arrestimi dhe procedimi i këtyre personave u bë pasi në datën 13 qershor, rreth orës 18:00 ata u grumbulluan tek kryqëzimi i Përrenjasit në hyrje të qytetit të Librazhdit, duke tentuar që të bllokonin rrugën nacionale Elbasan – Librazhd, për të penguar eskortën e Kryeministrit, ndërsa kanë goditur me sende të forta e lëndë plasëse piroteknike ndaj saj.

Ndërkohë kryeministri Rama pas kësaj ngjarje nga fushata në Librazhd ka thënë se personat që tentuan ti bllokojnë rrugën shkelën ligjin pasi pengimi i fushatës zgjedhore për një subjekt përbën vepër penale dhe dënohet nga 1-5 vite burg.

Nga ana tjetër një reagim ka ardhur edhe nga kreu i PD-së, Lulzim Basha i cili duke iu përgjigjur Ramës ka thënë se opozita nuk trembet dhe nuk heq dorë nga rruga që ka zgjedhur për të penguar zgjedhjet edhe pas fjalëve të kryeministrit.