TIRANË- Qytetarët e vijuan rezistencën kundër ndërtimit të resortit luksoz në Zvërnec për të gjashtën ditë radhazi. Më flamujt shqiptarë dhe me pankarta në duar, 'Revolucion', Shqipëria e shqiptarëve' dhe ‘atdheu nuk është në shitje’ qytetarët marshuan nga sheshi Skënderbej drejt Kryeministrisë. Në kor protestuesit ripërsëritën 5 kërkesat e tyre, me në krye dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, si edhe shfuqizimin e disa ligjeve që, sipas tyre, dëmtojnë natyrën dhe trashëgiminë kulturore.

"Për të gjithë ata që pyesin kush e organizon protestën: Protestën e organizon mllefi i qytetarëve. Qytetarët janë tradhtuar nga politikanët. Këtë protestë e keni organizuar ju, me të gjitha të këqijat që keni bërë", tha një protestuese. 

Ndryshe nga ditët e tjera, sot protesta u shtri edhe në 4 qytete të tjera, në Korçë, Fier, Kukës, Vlorë, Elbasan dhe Durrës. Ndërsa protestohej në sheshin “Adem Jashari” në Vlorë, 500 metra më larg Edi Rama po zhvillonte një tubim me socialistët në kuadër të 35-vjetorit të PS. Por, qytetarët nuk mjaftohen me kaq. Ata synojnë që protestën ta shtrijnë edhe përtej kufijve, duke i bërë thirrje diasporës shqiptare në të gjithë trevat që të bëhen pjesë e kësaj rezistence, ndërsa kryeministrit i dërguan mesazh se nuk ka negociata për tokën shqiptare.

"Zvërneci është pika e kthesës mbarëkombëtare. Thirrja ime qytetare shkon për bashkim qytetar mbarëkombëtar. Thirrja ime qytetare shkon për shqiptarët e Kosovës, për shqiptarët e Preshevës, për shqiptarët e Çamërisë, për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe për shqiptarët e Malit të Zi. Të nderuar qytetarë, sot është dita për rezistencë mbarëkombëtare shqiptare. Kam edhe një përgjigje për Ramën: Për tokën shqiptare nuk ka negociata. Nuk ka pazar. Miqve të tu mund t’u japësh shtëpinë tënde në Surrel, por Shqipëria është atdheu i shqiptarëve. Kërkesa ime e fundit është: Jep dorëheqjen! Rama në burg, Berisha në burg", tha një protestues. 

Mbrojtja e Zvërnecit është kauza që i ka bashkuar në shesh, por gjatë protestës qytetarët ngritën shqetësime që shkojnë përtej kundërshtimit të resortit. Nga emigracioni te mbrojtja e pronës, gjendja e personave me aftësi të kufizuara, largimi i të rinjve, korrupsioni dhe mbrojtja e pasurive natyrore, secili solli arsyet pse iu bashkua kësaj lëvizjeje.

"Jam një prej 2.5 milionë emigrantëve. Në trupin tim rrjedh gjak çamërie. Kjo politikë i detyroi prindërit të më çonin jashtë shtetit. Kam 25 vite jashtë. Synimi është që të na heqin dhe të na zëvendësojnë, por Shqipëria është e jona", tha një protestues. 

"Pse na keni harruar? Sot jam këtu si person me aftësi të kufizuara që përfaqësoj një kategori të harruar. Pse na keni harruar? Nga sot këta të rinj nuk do të dorëzohen derisa ju që na keni marrë frymën për 35 vite të largoheni nga vendimmarrja për jetët tona", tha një tjetër.

"E keni vënë re që atdheu ynë është ndarë në parcela? Po e shet tjetri Shqipërinë si do ai, por Shqipëria është pronë e shqiptarëve. Shqipëria është prona jonë", tha aktori Medi Malkaj.

"Nuk mund të diskutohet bërthama dhe terapia hormonale, ndërkohë që ka njerëz në nevojë që shkojnë në spital dhe nuk marrin minimumin e asistencës", tha një tjetër. 

Një vajzë në pritje të ëmbël tha se kishte dalë në protestë për të ardhmen e fëmijës së saj dhe të vendit.

"Jam këtu për gocën që do të vijë në jetë, për të ardhmen e Shqipërisë. Shqipëria është e shqiptarëve, e fëmijëve që do të vijnë në jetë", u shpreh ajo.

Fjalimet e tyre kujtuan ngjarjen e rënda si Gërdeci apo 21 Janari me autorësinë e Sali Berishës duke u bërë thirrje qytetarëve që të mos i harrojnë. 

“Ne nuk harrojmë Gërdecin, nuk harrojmë 21 Janarin, ne nuk harrojmë reformën në drejtësi, ne nuk harrojmë shokët dhe vëllezërit që na ikin. Ne nuk harrojmë në asnjë moment që më 21 Janar u vranë njerëz dhe Sali Berisha nuk iku”, u shpreh ai.

Mes zërave që morën fjalën në protestë ishte edhe një nënë e moshuar, e mbështjellë me flamurin kuqezi, e cila emocionoi të pranishmit me vargjet e një poezie kushtuar Shqipërisë.

“O atdhe i dashur, o nëna Shqipëri,
Bijtë e bijat që i rrite çfarë po të shkaktojnë ty.
Po të shesin copa-copa pa të pyetur fare,
Qeshin e zgërdhihen si hijena tinzare.
Se kështu u pëlqen me ty të bëjnë pazare.”

Protestës iu bashkua edhe një murgeshë, e cila tha se kishte ardhur jo për t'u dërguar mesazhe emrave të përveçëm të politikës, por për t'u kujtuar të gjithë politikanëve përgjegjësinë që kanë ndaj qytetarëve.

"Nuk jam këtu për t’i dhënë mesazh Ramës apo Berishës, por të gjithë politikanëve. Sot shpresa po lulëzon, sepse shqiptarët më në fund nuk janë më spektatorë", tha ajo.

Me thirjet "Rama në burg, Berisha në burg", në një pikë bashkohen të gjithë, për ta larguar klasën politike që ka qeverisur Shqipërinë në këto 35 vite dhe që, sipas tyre, ka dështuar t'u japë zgjidhje problemeve të vendit.

“Ju nuk na përfaqësoni më, shumica e popullit shqiptar, këtu në shesh dhe ata në diasporë. Jeni të pushuar nga puna. Sovrani ka zbritur në shesh, ndodhet këtu jo vetëm për të anuluar projektin në Zvërnec, por edhe për të shkatërruar projektin e të ardhmes sonë që këta na e kanë uzurpuar”, tha një tjetër protestues.

Pas më shumë se tre orësh në shesh protestuesit vijuan në grupe të marshojnë drejt rrugëve të kryeqytetit, ndërsa njoftuan se nesër paradite do të mblidhen në Vlorë për t’u rikthyer në sheshin Skënderbej në Tiranë pasdite.

KËRKESAT E PROTESTUESVE
1-  Dorëheqjen e qeverisë
2- Shfuqizimin e statusit dhe te kuadrit ligjor për statusin strategjik
3- shfuqizimin e paketës se maleve
4- anulimin e ndryshimeve ne ligjin për zonat e mbrojtura
5- anulimin e ndryshimeve ne ligjin për trashëgimin kulturore shqiptare

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:35
Protestuesit marshojnë drejt ‘Zogut të Zi’, qytetarët dalin nga makina dhe i duartokasin

Protestuesit kanë marshuar drejt “Zogut të Zi”.

Ndërkohë qytetarët që kanë qenë duke lëvizur me makinë në këtë zonë kanë dalë nga makinat i kanë përshëndetur dhe duartrokitur.

Ora 22:29
'Çohuni nga kafja', protestuesit kundër resortit në Zvërnec kërkojnë mbështetjen e qytetarëve (VIDEO)

Si në çdo fundtubimi të mëparshëm kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec, edhe në ditën e 6-të, të rinj të shumtë iu drejtuan kafeneve të Tiranës duke ju kërkuar klientëve të ngrihen e t'I bashkohen protestës.

'Çohuni nga kafja' ishte thirrja e bërë në kor nga grupi i protestuesve.

Ora 22:18
Protestuesit në Tiranë kërkojnë drejtësi për Masakrën e Peshkëpisë: ‘Fredi Beleri – I akuzuari’ për vrasjen e 2 ushtarakëve shqiptarë

1780690769_ËhatsAppImage20260605at22.19.07.jpeg

Protesta në Tiranë kundër ndërtimit të resortit luksoz në Zvërnec, është shoqëruar edhe me thirrje për zbardhjen e shumë ngjarjeve të rënda që kanë tronditur vendin ndër vite.

Protestuesit nuk harruan që të kërkojnë drejtësi edhe për ngjarjen e njohur si masakra e Pëshkëpisë, e ndodhur më 10 prill 1994, ku 2 ushtarakë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë u vranë dhe 3 të tjerë u plagosën nga një formacion paraushtarak i një grupi nacionalist grek, pjesë e së cilës dyshohet fort se ka qenë dhe Fredi Beleri, sot eurodeputet.

Nëpërmjet një pankarte me përmasa të mëdha që u shpalos para Kryeministrisë, protestuesit kërkuan drejtësi për vrasjen e Fatmir Shehut dhe Arsen Gjinit.

“Fredi Beleri – I akuzuari”, thuhet në pankartë.

Sulmi, ndaj një reparti kufitar pranë fshatit Peshkëpi të Dropullit, katër kilometra brenda kufirit shqiptar, solli vrasjen e dy ushtarakëve shqiptarë dhe plagosjen e tre të tjerëve. Ai nisi herët në mëngjesin e 10 prillit 1994 dhe u mor përsipër nga formacioni paraushtarak i një grupi nacionalist grek që kërkonte bashkimin e një pjese të Shqipërisë së Jugut me Greqinë. Pika kufitare e Peshkëpisë kishte në ato kohë 130 rekrutë të rinj dhe të paarmatosur.

Ai formacion paraushtarak, i vetëquajtur Komandoja "Pirro I", e quante veten krah i armatosur i lëvizjes për çlirimin e Vorio Epirit (MAVI). Ajo kishte zgjedhur si moment të duhur për të sulmuar, kohën kur i gjithë reparti kishte rënë në gjumë.

Në ora 02ː40 të mëngjesit, grupi i armatosur, tetë vetë me uniforma të ushtrisë greke dhe me maska, hynë në repart dhe vrasin ushtarin e rojes Arsen Gjini nga Semani. Pastaj dy persona me uniformë dhe maska hynë në korridorin e kazermës. Komandanti i stërvitjes, Fatmir Shehu, u foli të panjohurve, duke u kërkuar të kursenin ushtarët, por ata e qëlluan me armë duke e lënë të vdekur. Ajo njësi plagosi edhe tre ushtarë shqiptarë. I mbyllën 130 ushtarët në një dhomë, ndërsa dy oficerë të tjerë i izoluan në një zyrë tjetër. Flisnin greqisht. “Këto i keni për Vorio Epirin”, kanë thirrur ndërsa gjuanin.

 

Ora 22:15
Protesta për Zvërnecin, protestuesit në kor: Arresto Belindën

 Pas kryeministrisë protestuesit marshuan drejt qendrës dhe më pas drejt 'Stacionit të Trenit'.

"Arresto Belindën, arresto Belindën”, dëgjohen të thërrasin në kor protestuesit.

Ora 22:04
'Shitet Shqipëria për arsye emigrimi’, pankartat më pikante në protestën para Kryeministrisë

Protesta kundër resortit tursitik në Zvërnec u zhvillua edhe këtë premte në Tiranë.

 Me pankarta në duar ata kërkuan edhe në ditën e gjashtë për që qeveria të tërhiqet nga projekti i Zvërnecit.

"Qeverisin, por harrojnë për kë; Shitet Shqipëria për arsye emigrimi; Kjo është rinia më e bukur në botë’, ishin disa nga pankartat që qytetarët mbanin në duar.

Ora 21:48
Qytetarët në Durrës protestë për ndërtimin e resortit në Zvërnec

Tubim për resortin në Zvërnec u organizua edhe në Durrës, ku qytetarët me një flamur të madh të shpalosur marshuan në disa zona të qytetit.

Ata bënin thirrje që të tjerë qytetarë t’i bashkoheshin kauzës së tyre në mbrojtjen e pronës së trashëguar.  

Ora 21:42
Protestuesi para Kryeministrisë: Nuk harrojmë Gërdecin dhe 21 Janarin! Saliu nuk iku edhe pasi vrau njerëz

Protesta kundër projektit për ndërtimin e resortit në Zvërnec vijoi edhe para Kryeministrisë, ku qytetarë dhe aktivistë mbajtën fjalime duke artikuluar kritika ndaj klasës politike dhe institucioneve.

Një nga folësit deklaroi se qytetarët nuk duhet të harrojnë ngjarjet e rënda që autorësinë e Sali Berishës.

“Ne nuk harrojmë Gërdecin, nuk harrojmë 21 Janarin, ne nuk harrojmë reformën në drejtësi, ne nuk harrojmë shokët dhe vëllezërit që na ikin. Ne nuk harrojmë në asnjë moment që më 21 Janar u vranë njerëz dhe Sali Berisha nuk iku”, u shpreh ai.

Më tej, protestuesi iu drejtua kryeministrit Edi Rama, duke paralajmëruar se, sipas tij, qytetarët do të kërkojnë ndryshim politik në zgjedhjet e ardhshme.

Ora 21:36
Murgesha mesazh politikanëve nga protesta për Zvërnecin: Shqiptarët më në fund nuk janë më spektatorë (VIDEO)

Në mesin e fjalimeve me tone të ashpra kundër klasës politike, në protestën për Zvërnecin spikati edhe një murgeshë që solli një mesazh për shpresën dhe solidaritetin. Ajo u shpreh se Shqipëria nuk mund të jetë mirë nëse një pjesë e qytetarëve mbeten pas, ndërsa theksoi se koha e spektatorëve ka marrë fund.

"Jam një qytetare si të gjithë ju dhe të gjithë ne kemi të drejtën të dalim në shesh. Teksa po vija këtu, po mendoja se çfarë do të thosha. Nuk jam këtu për t’i dhënë mesazh Ramës apo Berishës, por të gjithë politikanëve. Kemi ardhur me dy pankarta që dëshiroj t’i ndaj me ju. E para: Sot, në këto ditë, shpresa po lulëzon, sepse shqiptarët më në fund nuk janë më spektatorë. Pankarta e dytë thotë: Nuk jemi mirë, nëse nuk jemi mirë të gjithë. Falënderoj Zotin që prindërit e mi nuk sëmuren, sepse mjafton një sëmundje dhe ne gjendemi përtokë. Mesazhi tjetër që dua të ndaj me ju është se veriu krenohet dhe gëzohet me dy apo tre gjëra që politika ka bërë, si Rruga e Kombit dhe disa fshatra turistikë. Por është turp të kënaqemi vetëm me dy apo tre gjëra në këto ditë. Shqipëria po ndryshon, sepse ne kemi vendosur që Shqipëria të ndryshojë" tha ajo

Ora 21:32
Protesta kundër investimit në Zvërnec, ambasadori Gonzato kalon mes qytetarëve në Bulevardin Dëshmorët e Kombit

1780688064_jytiii.jpeg

Ditën e sotme është zhvilluar protesta e gjashtë qytetare në Tiranë, që kundërshton realizimin e investimit në Zvërnec të Vlorës.

Në një moment gjatë tubimit, në bulevardin Dëshmorët e Kombit është shfaqur mes protestuesve edhe ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato.

Nga pamjet e siguruara, duket se Gonzato ka qenë duke kaluar atje, në momentin që është gjendur mes protestuesve.

Ora 21:12
'Në 35 vite, njëri më maskara se tjetri', protestuesja shpërthen ndaj klasës politike në Shqipëri: Boll më, duam drejtësi!

Nga 21 Janari dhe Gërdeci te inceneratorët dhe betonizimi i bregdetit, një protestuese sulmoi klasën politike të 35 viteve të fundit, duke deklaruar se qytetarët ende nuk kanë marrë drejtësi për skandalet dhe tragjeditë që kanë shoqëruar vendin. Ajo i etiketoi Edi Ramën dhe Sali Berishën si "njëri më maskara se tjetri"

"Ne kësaj politike i kemi dhënë 35 vite mundësi dhe cfarë bënë këto 2 parti të mëdha? Ne sot themi boll sepse ne nuk kemi marrë drejtësi për 21 janarin, për Gërdecin, për Belinda Ballukun, për inceneratorët, ne nuk kemi ilace tek Onkologjiku, ne nuk kemi arsim por vetëm betonizim. Boll më! Boll. Tirana po zhvillohet, dakord por jo cdo metër katror ti duhet ta ndërtosh. Ajo që më dhemb më shumë është bregdeti. Betonizim nga veriu në jug, në Vlorën e zemrës sime e deri tek pika e vogël blu. Boll më. Në 35 vjet njëri më maskara se tjetri keni qenë. Duam drejtësi" tha ajo. 

Ora 21:09
Tension në protestë, pas fyerjeve ndaj Berishës dhe Ramës, protestuesit i heqin mikrofonin qytetarit

Një moment tensioni u shënua gjatë protestës para Kryeministrisë, kur një prej pjesëmarrësve përdori fjalor të rëndë dhe ofendime ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD-së, Sali Berisha. Situata zgjati vetëm pak çaste, pasi protestues të tjerë ndërhynë menjëherë dhe i morën mikrofonin, duke ndërprerë fjalimin dhe bërë të qartë se duan revolucion, por pa ofendime.

Ora 21:08
Protesta kundër 'Zvërnecit', protestuesja: Ftojmë policët me uniformat e zbardhura nga dielli të na bashkohen

1780687256_tirane57.JPG

Qytetarët kanë vijuar për të gjashtën ditë radhazi protestën kundër projektit për ndërtimin e resortit luksoz në Zvërnec. Me flamuj shqiptarë dhe pankarta me mbishkrimet “Revolucion”, “Shqipëria e shqiptarëve” dhe “Atdheu nuk është në shitje”, protestuesit marshuan nga Sheshi Skënderbej drejt Kryeministrisë, ku mbajtën fjalime dhe shprehën kundërshtimin e tyre ndaj projektit.

Mes zërave të protestës ishte edhe ai i një nëne të re, e cila foli për vështirësitë me të cilat përballen qytetarët dhe pasigurinë për të ardhmen.

“Unë jam një nënë e një fëmije 2 vjeç dhe herë pas here e gjej veten vetëm duke menduar të iki apo të qëndroj dhe besoj që ky nuk është vetëm mendimi im, por një gjendje që të gjithë ju e keni ndër vete herë pas here”, u shpreh ajo.

Në fjalën e saj, protestuesja iu drejtua grupeve të ndryshme të shoqërisë, duke ftuar qytetarët t’i bashkohen protestës.

“Ju policëve me uniformat e zbardhura nga uniforma dhe shiu, sepse shteti nuk ka buxhet t’ju blejë uniforma të reja, t’ju shpëtojë jetën me jelek antiplumb, bashkohuni me ne. Ju pensionistët që nuk jua dalin lekët për ilaçe. Ju nënat që nuk keni një park ku të lëshoni fëmijët tuaj për të vrapuar, ju studentët që kërkoni të ardhme dhe mundësi”, tha ajo.

Ora 20:57
'Ku do mbyteni o tradhtarë?', i riu shpërthen me poezi kundër politikës: Kemi për t'ju marrë zvarrë

Me çantën në shpinë dhe mes brohorimave të protestuesve, një djalë i ri, recitoi vargje kundër klasës politike, duke shkaktuar entuziazëm te të pranishmit para Kryeministrisë. Ai iu drejtua specifikisht kryeministrit Rama dhe demokratit Berisha.

"O Edi Rama a dëgjon?
O Sali Berisha a dëgjon?
Shihni si i keni mbledhur sot?
Ku do mbyteni o tradhëtarë?
Kemi për t'ju marrë zvarrë
Popullin siç e keni marrë 
34 vite me rradhë"

Ora 20:55
Zvërneci/ Edhe qytetarët në Elbasan në protestë për ndërtimin e resortit

Qytetarë dhe aktivistë nga Elbasani iu bashkuan këtë të premte protestës së organizuar kundër projektit në zonën e Zvërnecit, duke u bërë pjesë e tubimeve të zhvilluara në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.

Me pankarta në duar dhe thirrje kundër qeverisë, protestuesit kërkuan anulimin e projektit të Zvërnecit, të cilin e konsiderojnë të dëmshëm për mjedisin dhe interesin publik. Gjatë protestës nuk munguan as thirrjet politike, ku pjesëmarrësit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa u dëgjuan edhe slogane të ndryshme kundër klasës politike.

Në fjalën e tyre, qytetarët e pranishëm theksuan se kundërshtojnë jo vetëm projektin e Zvërnecit, por edhe Paketën e Maleve, për të cilën shprehën shqetësimin se mund të ndikojë në mënyrën e administrimit dhe përdorimit të pronave në zonat malore.

Sipas protestuesve, vendimmarrje të tilla duhet të kalojnë përmes konsultimeve më të gjera me komunitetet dhe grupet e interesit, ndërsa kërkuan që qeveria të tërhiqet nga projektet që, sipas tyre, cenojnë interesin publik dhe pasuritë natyrore të vendit.

Protesta u zhvillua në mënyrë paqësore, ndërsa u monitorua nga forcat e policisë së rendit

Ora 20:52
Kukës, qytetarët protestë për resortin në Zvërnec

Në mbështetje të protestës që po zhvillohet në Tiranë kundër projektit të Zvërnecit, një grup të rinjsh u mblodhën pasditen e sotme në sheshin kryesor të qytetit të Kukësit.  ata Ata shprehën solidaritetin me protestuesit që kundërshtojnë zbatimin e projektit.

Tubimi u zhvillua pa incidente ndërsa pjesëmarrësit deklaruan se do të vijojnë të shprehin mbështetjen e tyre edhe në aktivitete të tjera të ngjashme.

Ora 20:46
Protestuesi: Nuk mund të diskutohet terapia hormonale ndërkohë që ka njerëz që në spital nuk marrin minimumin e asistencës

Para kryeministrisë po mbahet për të gjashtën ditë protesta për Zvërnecin. Një nga protestuesit teksa tha se ndodhen këtu për të drejtat e tyre, vuri në dukje edhe terapinë hormonale.

Ai shtoi se nuk mund të diskutohet për këtë çështje teksa ka njerëz në nevojë që shkojnë në spital dhe nuk marrin minimumin e asistencës.  

"Po bëjmë 6 ditë. Ne nuk jemi këtu për të luftuar për gardhin, për ato metra më shumë apo pak por erdhëm këtu për t’i dhënë bukurinë kytyre njerëzve të Zotit që kanë ardhur këtu për të drejtën e tyre. Ky vend ka zot, ka djem dhe vajza që të marrin gjak në vetull. Dinjiteti ynë nuk blihet as shitet, as përdhoset.

Nuk mund të diskutohet bërthama dhe terapia hormonale, ndërkohë që ka njerëz në nevojë që shkojnë në spital dhe nuk marrin minimumin e asistencës. Goca dhe çuna Shqipëria është e juaja e ka bekuar Zoti”, tha ai.

Ora 20:31
Protestuesi para kryeministrisë: Stop racizmit, mos guxoni të shkelni mbi fëmijët tanë

Protestuesi i radhës tha gjatë fjalës së tij teksa mbante krah vetes dy fëmijë u shpreh se ata që ta që tentojnë të prekin yjet e vegjël, a shkelur mbi gjakun tonë

“Kur të tentosh të prekësh këta yje të vegjël, ke shkel mbi gjakun tonë. Stop racizmi dhe mos guxoni të shkelni fëmijët tanë”, tha protestuesi krah dy fëmijëve.

Ora 20:22
Zvërneci, qyetarët në Fier protestë kundër ndërtimit të resortit

 Edhe këtë të premte qytetarët në  Fier protestuan kundër resortit në Zvërnec.

Me flamuj dhe pankarta në duar, qytetarët marshuan në sheshin qendror.

Ora 20:15
Flakdanë në mes të turmës, protestuesi: Po helmoni fëmijët dhe gratë (VIDEO)

Protestuesit ndezën flakdanë në mes të turmës para kryeministrisë. Por, disa të rinj organizatorë të protestës bënë thirrje që të fiken. 

“Po helmoni fëmijët dhe gratë, kontrolloni emocionet”, tha protestuesi.

Ora 20:05
'Gjyqtarin Kalaja e vrau sistemi jo Elvis Shkambi', Protestuesja: Belinda në burg

Para Kryeministrisë po mbahet protesta për Zvërnecin. Në fjalën e saj një nga protestueset tha se gjyqtarin Astrit Kalaja e vrau sistemi jo Elvis Shkambi. Ajo i bëri thirrje SPAK-ut për arrestimin e Belinda Ballukut.

“Gjyqtarin Kalaja e vrau sistemi jo Elvis Shkambi, se shqiptarëve i janë marrë pronat. Rama në burg, Belinda në Burg, i kërkojmë SPAK-ut menjëherë burg. Shqiptarë kudo që jeni zgjohuni. Shqipëria është e jona. Rama koha jote ka mbaruar”, tha ajo.

Ora 19:55
Me plis në kokë, protestuesi: Synimi është që të na heqin dhe të na zëvendësojnë, por Shqipëria është e jona

Protestës para kryeministrisë i është bashkangjitur edhe një emigrant.

“Jam një prej 2.5 mln emigrantëve. Në trupin tim rrjedh gjak çamërie.Shikoni 2.5 emigrantë janë jashtë shtetit. Secili prej tyre paguan 12 mijë euro taksa të shteteve të huaja. Kjo politikë i detyroi prindërit të më çonin jashtë shtetit.

Kam 25 vite jashtë. Synimi është që të na heqin dhe të na zëvendësojnë, por Shqipëria është e jona”, tha ai.

Ora 19:50
Protesta për Zvërnecin/ Nënë Lokja me flamurin kuqezi emocionon protestuesit me vargjet e saj: Po të shesin copa-copa moj Shqipni' (VIDEO)

Pjesë e protestës kundër investimit në Zvërnec ishte edhe një nënëloke e mbështjellë me flamurin kuqezi që me duart që i dridheshin lexoi vargjet e një poezie të shkruar prej saj të titulluar “Zëri i Atdheut” ku ajo flet për nënat ‘qyqare’ shqitare që i kanë bijtë rrugëve të botës në emigracion

“O atdhe i dashur, o nëna Shqipëri

Bijtë e bijat që i rrite ccfarë po të shkaktojnë ty

Po të shesin copa copa pa të pytur fare

Qeshin e zgërdhihen si hijena tinzare

Se kështu u pëlqen me ty të bëjnë pazare

Cohu shqiptar atdheun  ta shpëtojmë

Nga këlyshët e komunizmit që akoma sundojnë

Janë me të etur për pushtet se etërit e vet"

Ora 19:47
Protestë kundër resortit në Zvërnec edhe në Vlorë, qytetarët në kor: Çohuni nga kafja

Protesta kundër resortit në Zvërnec u zhvillua edhe në Vlorë. Qytetarët ishin mbledhur në sheshin Adem Jashati, vetëm 500 metra larg sheshit të Flamurit ku Rama po zhvillon takimin me socialistët në kuadër të 35-vjetorit të PS. Protestuesit po marshojnë drejt zonës së Skelës, për në bulevardin Ismail Qemali.|

Ata dëgjohen të thonë edhe 'Çohuni nga kafja' teksa në duar mbajnë edhe një pankartë të tillë: 'Çohuni nga kafja vlonjat'.

 

Ora 19:39
Me dorën te barku, protestuesja: Jam këtu për gocën që do të vij në jetë, për të ardhmen e Shqipërisë (VIDEO)

Protestës para kryeministrisë iu bashkua edhe një vajzë që është në pritje të ëmbël. Ajo tha se në këtë tubim ndodhet për të ardhmen e vajzës së saj që do të vij në jetë.

“Jam krenare sot. Jam këtu për gocën që do të vij në jetë, për të ardhmen e Shqipërisë. Malet e bukura nuk ia lejomë t’ia shesim Amerikës. Shqipëria është e shqiptarëve, e fëmijëve që do të vijnë në jetë. Anullo projektin”, tha ajo.

Ora 19:31
'Pse na keni harruar?', I riu me aftësi të kufizuara kritika ndaj qeverisë në protestë: Na keni marrë frymën për 35 vite

1780680770_Capture.JPG

Mes qytetarëve që folën në protestën para Kryeministrisë ishte edhe një i ri me aftësi të kufizuara, i cili nga karrigia me rrota mbajti një fjalim me tone të forta kundër qeverisë Rama 

"Ai na tha jemi grek. Jo! Ai na quajti se jemi nga Irani. Jo! Ai na tha ‘jeni të futur’. Jo! A jemi shqiptarë? Serbisht ka folur Rama. Greqisht ka folur Rama. Shqip flasim ne. Kët vendosim ne. Unë sot në protestë kam ardhur për ata tre fëmijë që humbën jetën falë kësaj qeverie dhe patronazhistave. Ata na shkelin me rrota. 3 fëmijë vdiqën si shkak i këtij shteti që mbjell vdekje.

Ai mori një mesazh nga zoti vetë, përzuri rininë dhe sheshi sot është plot të rinj plot shpresë dhe ëndrra. Ndaloji po deshe o qeveritari me i kapur dhe më i korruptuar në rruzullin tokësor. Sot jam si person me aftësi të kufizuara, që përfaqësoj një kategori më të harruar në historinë shqiptare. Ti ke marrë një nisëm të sponsorizuar për terapitë hormonale. Nuk jam kundër, le të vazhdojë, por paralelisht ti ti personat me aftësi të kufizuara i ke lënë me 13 mijë lekë të reja për shoqërues. A do më shërbente djali yt për një orë me këtë shumë? Jo!  Pse na keni harruar, nga sot këta të rinj s’do të dorëzohen derisa ti të largoheni ju që na keni marrë frymë 35 vite të largoheni nga vendimmarrja për jetët tona" tha i riu

Ora 19:29
'Populli si dragoi', konspiracionisti Alfred Çako në protestë për Zvërnecin: Kur zgjohet, është më i rrezikshëm për diktatorët (VIDEO)

Protestës së qytetarëve para Kryeministrisë për Zvërnecin iu bashkua edhe konspiracionisti Alfred Çako.

“Sot e shoh në çfarë gjendje ndodhet Shqipëria, populli është si dragoi, duket sikur fle, por kur duket sikur fle, ai është më i rrezikshëm se kurrë për të gjithë diktatorët”, tha ai, ndërsa përsëriti thirrjen për dorëheqjen e tij.

Ai theksoi se shteti do vihet në shina dhe në ekuilibër, kur të ketë president të dalë nga populli, kur të ketë këshillin presidencial, ku kryeministri të mos ketë mundësi të jetë më shumë se dy herë kryeministër.

“Unë kam qenë në moshë tuaj kur kam qenë student i dhjetorit dhe kemi qenë të parët që kemi thirrur: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”. Nuk ishim kaq të zgjuar si ju sot. Sot e shoh në çfarë gjendje ndodhet Shqipëria, populli është si dragoi, duket sikur fle, por kur duket sikur fle, ai është më i rrezikshëm se kurrë për të gjithë diktatorët.

Qeveritarët këtu i kanë mbyllur sytë dhe veshët. Dua t’i them Edi Ramës se ka dy rrugë për t’u larguar, ose të largohet nga marrëveshja me popullin që ka dalë në këtë shesh të madh… rrugë të dytë nuk ka. Largohu dhe pastaj vendi ka nevojë për një kontratë të re sociale.

Kur shteti të vihet në ekuilibër, kur të ketë president të dalë nga populli, kur të ketë këshillin presidencial, ku kryeministri të mos ketë mundësi të jetë më shumë se dy herë kryeministër. Ky vend duhet vënë në shina dhe, mbi të gjitha, të jetë diktatura e popullit.

Sot këtu vendoset fati i 15 viteve të pakta, i atyre që do të drejtojnë Shqipërinë, duhet të jemi të kujdesshëm sepse këtu kanë sy e veshë të gjithë ata që janë të interesuar për Shqipërinë, si miqtë ashtu edhe armiqtë, ne gardhin duhet ta mbajmë me të dyja palët. Edi Rama dorëhiqu! Të ndryshojë kodi zgjedhor”, tha ai.

Ora 19:19
Humbet sërish një vajzë në mes të turmës para Kryeministrisë! Protestuesit e dorëzojnë në Polici

Një tjetër vajzë humbi mes turmës para kryeminstrisë.

Vajza me emrin Vjosa që për herë të fundit u pa afër zonës së Piramidës, u gjet pas disa çastesh.

Protestuesit i kanë dorëzuar fëmijën Policisë.

Ora 19:10
'Shqipëria nuk është në shitje', Aktori Medi Malkaj flet nga protesta: Atdheu është pronë e shqiptarëve

Aktori Medi Malkaj ishte mes të pranishmëve në protestën e zhvilluar para Kryeministrisë, ku mbajti edhe një fjalim para qytetarëve të shumtë të mbledhur para Kryeministrisë, duke denoncuar 'rrugeçërit dhe qelbësirat' që kanë shkelur popullin me këmbë.

"Duhet të qëndrojmë në këmbë. Të kalojnë ata dhe të fshijmë ne këpucët në kurrizin e qelbësirave. E keni vënë re që atdheu ynë është ndarë në parcela? Po e shet tjetri Shqipërinë si do ai, por Shqipëria është pronë e shqiptarëve. Shqipëria është prona jonë, duhet të kujdesemi për të dhe të mos shikojmë rrugeçërit e qelbësirat që kanë shkelur me këmbë një popull të tërë. Ne do bëjmë si duam ne" tha ai

Ora 19:06
Fëmija humbet në mes të turmës, protestuesit e bashkojnë me prindërit

Një fëmijë i humbi nga sytë prindërve në turmën para kryeministrisë. 

"Ka humbur një fëmijë në turmë", tha protestuesja.

Fatmirësisht ai u gjet pas disa minutash.

"U gjet u gjet", tha më vonë një tjetër.

Ora 18:59
'Jemi këtu se po festojmë një dasmë të madhe', protestuesi thirrje perëndimorëve: I thoni ndonjë fjalë këtij zotërisë tonë

Protestuesi i bëri thirrje Perëndimorëve që t'i thonë ndonjë fjalë kryeministrit Rama për çështjen në Zvërnec.

“Jemi këtu se po festojmë një dasmë të madhe. Kam një thirrje të madhe për perëndimorët. Kur njëri na prish dasmën e pyesim si e do me të mirë apo me të keq . Pastaj e nxjerrim me shqelma nga dasma. I them këtyre Perëndimorëve t’i thonë ndonjë fjalë këtij zotërisë tonë", tha ai.

Ora 18:48
Protesta për Zvërnecin/ Protestuesja kërkon anulimin e ligjit për investitorët strategjikë dhe Paketës së Maleve: Rama të japë dorëheqjen

Një nga protestueset që mori fjalën para Kryeministrisë ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Rama duke thënë se qeveria që ai drejton nuk përfaqëson dëshirën e popullit. Ajo gjithashtu kërkoi anulimin e një sërë ndryshimesh ligjore, që sipas saj po dëmtojnë pasuritë natyrore dhe pronën publike. Ajo u shpreh se duhet të anulohen ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, duke sjellë si shembull Nartën, ndërsa kërkoi edhe shfuqizimin e ligjit për investitorët strategjikë dhe Paketës së Maleve. Sipas protestueses, këto ligje po favorizojnë interesa të caktuara në dëm të qytetarëve dhe pasurive të vendit.

“Kini kujdes se do tentojnë ta na quajnë të përccarë. Nuk jemi të përqarë, jemi një trup i vetëm që kemi një kërkesë: Rama ik. Nga një protestë e cila nisi nga indinjata kur sheh se si shteti është i pafuqishëm përballë kriminelit që tërheq zvarrë qytetarin është kthyer në një protestë mbarë popullore të të gjithë njerëzve që kërkojnë një Shqipëri tjetër, që është e jona: Shqipëria e shqiptarëve, jo e pushtetarëve! Nga këto 6 ditë proteste, ne kemi shumë arsye për të protestuar dhe duhet të bërtasim më fort për të gjithë shokët që ikën në emigrim dhe të punojnë në rrugët e botës. Protesta nuk ka një grup që e drejton, por ka kërkesa të qarta që janë artikuluar. Kërkohet dorëheqja e menjëhershme e kryeministrit Rama dhe e gjithë qqeverisë që nuk përfaqëson më dëshirat e popullit.  Duam të anullojmë ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura që i hap rrugë shkatërrimit të tyre sicc ka ndodhur me shkatërrimin e Nartës. Narta është e jona. Kërkojmë anulimin e ligjit për investitorët strategjikë që po grabit pronën publike dhe po ua jep këtyre njerëzve që janë të pushtetit. Shqipëria është e jona. Kërkojmë anulimin e Paketës së Maleve që i grabit malet tona dhe ua jep biznesmenëve.” tha një protestuese

Ora 18:47
Protestë edhe në Korçë kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec

1780678150_korce.JPG

Edhe qytetarët e Korçës i janë bashkuar protestës kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec.

Ora 18:43
Protestuesi: Nuk jemi këtu vetëm për Zvërnecin! Zgjohuni se keni gjak shqiptari

Në fjalën e tij, një nga protestuesit tha se ky tubim nuk bëhet vetëm për Zvërnecin.

“Ne nuk jemi këtu vetëm për Zvërnecin. Zgjohuni se keni gjak shqiptari.  Studentët që hodhën poshtë komunizmin ishin pa bukë në bark, ju jeni me AMG. Mos lejoni asnjë parti apo aktivistë këtu kjo është protestë e popullit”, tha protestuesi.

Ora 18:38
'Nuk ndalemi', njoftimi i protestueses para Kryeministrisë: Të shtunën mblidhemi në Vlorë dhe Tiranë

Teksa protesta për Zvërnecin po vijon para Kryeministrisë, një nga protestuesit ka njoftuar organizimin e dy tubimeve të tjera gjatë ditës së nesërme. Duke iu drejtuar të pranishmëve dhe mediave, ajo tha se protesta e parë do të zhvillohet në Vlorë në orën 11:00, ndërsa në mbrëmje, në orën 18:00, qytetarët do të mblidhen sërish në sheshin “Skënderbej” në Tiranë. 

"Jemi një grup i vetëm që kemi një kërkesë shumë të thjeshtë: “Rama ik’ . Shqipëria është e e shqiptarëve jo e pushtetarëve" tha ajo.

Ora 18:38
Protestuesja para Kryeministrisë:Në fillim na thanë se jemi grekë e rusë, por këtu ka vetëm shqiptarë të mirë

Ka nisur protesta për Zvërnecin para Kryeministrisë. Në ditën e gjashtë një protestuese tha se në këtë protestë ka vetëm shqiptarë dhe njerëz të mirë.

“Pushteti ka tentuar ta deligjtimojë protestën. Në fillim na thanë s ejemi grekë, pastaj rusë, qoftë edhe iranianë. Pushtetit që i ka ardhur fundi nuk e ka kuptuar që këtu ka vetëm shqiptarë të mirë. Kjo është vetëm e qytetarëve dhe e njerëzve të mirë. Ne jemi protesta, ju jeni protesta. Shqipëria është e jona.

Po protestohet kudo ku ka shqiptarëve. Shqipëria e shqiptarëve jo e pushtetarëve. Për 35 vjet na kanë mashtruar se mund të kemi një Shqipëri tjetër”, tha një protestuese.

Ora 18:31
'Zvërneci' Me pankarta kundër keqqeverisjes, protestuesit mbërrijnë para Kryeministrisë, kërkojnë dorëheqjen e qeverisë Rama

1780677175_proteste.jpeg

Me flamuj kuqezi në duar dhe pankarta kundër projektit në Zvërnec, protestuesit kanë mbërritur para godinës së Kryeministrisë, pas marshimit të nisur nga sheshi “Skënderbej”.

Të mbledhur përballë selisë së qeverisë, ata po artikulojnë kërkesat e tyre, duke kërkuar mes të tjerash dorëheqjen e kryeministrit Rama.

Protesta kundër planit për ndërtimin e resortit luksoz në Zvërnec po zhvillohet për të gjashtën ditë radhazi, ndërsa pjesëmarrësit vijojnë të kundërshtojnë edhe ndryshimet ligjore që, sipas tyre, prekin zonat e mbrojtura dhe pasuritë natyrore të vendit.