Ministria e Financave: Rriten me 11.6 mld lekë të ardhurat në 7 muaj! Përveç fitimeve të bizneseve, tatimet e tjera janë në rritje

Afro 117 milionë euro (11.6 mld lekë), më shumë para ka mbledhur arka e shtetit në 7 muaj më raport me janar-korrikun e vitit të kaluar. Ministria e Financave raporton se të ardhurat gjatë kësaj periudhe janë rritur me 8.2%, dhe në total janë mbledhur 402 miliardë e 514 milionë lekë.

Bumi turistik, shtimi i konsumit dhe rritja e pagave kryesisht të administratës, kanë ndikuar në rritjen e të hyrave në buxhet.

Sipas të dhënave nga tatimet janë mbledhur 130.3 miliardë lekë, duke tejkaluar me 12.9 miliardë lekë shifrat e vitit të kaluar, por edhe planifikimet e këtij viti. Rritja e pagave ka pasur rolin kryesor pasi nga tatimi mbi pagat janë arkëtuar 38.1 miliardë lekë, duke kapërcyer planin dhe duke u rritur me 15.3% krahasuar me shtatë-mujorin e 2023-shit.

Rritja e pagave ka sjellë automatikisht më shumë para në arkën e shtetit nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, të cilat në 7 muaj arritën në 92 miliardë lekë ose 9.6 miliardë lekë më shumë se vjet.

Si rezultat i shtimit të konsumit janë rritur me 23.7% të ardhurat nga TVSH-ja në 7-mujor kanë arritur në 32.7 miliardë lekë. I vetmi tregues me rënie është fitimi i bizneseve, pasi të ardhurat nga tatimi mbi fitimin arritën në 36.1 miliardë lekë rreth 2.2 miliardë lekë më pak se vjet.

Ndërsa nga doganat në këto 7 muaj janë mbledhur 131.2 miliardë lekë, ku vetëm nga TVSH-ja janë arkëtuar 89.5 miliardë lekë, afro 6.6 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Po ashtu janë mbledhur 34.9 miliardë lekë nga akciza, ndërsa në rritje janë edhe të ardhurat nga renta minerare, apo taksat doganore. Rritja e të ardhurave doganore ishte e pritshme për shkak edhe të volumit të lartë të importeve krahasuar me vjet.

Sa i takon shpenzimeve, ato arritën në 347.5 miliardë lekë në periudhën 7- mujore ose 20.5 miliardë lekë më shumë se vjet. Edhe tek shpenzimet ndikim ka dhënë rritja e rrogave për administratën në 1 korrik, që ka shtuar edhe kostot në buxhet.

M.Q./I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s'do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Protesta për vrasjen e Pogradecit, më e madhe se protestat e PD para bashkisë apo shtëpisë Berishës

Spahiu: Protesta për vrasjen e Pogradecit, më e madhe se protestat e PD para bashkisë apo shtëpisë Berishës