Minxhozi: Në partinë-kishë nuk ka vend për gjykatat britanike

Minxhozi: Në partinë-kishë nuk ka vend për gjykatat britanike

Sali Berisha

Nuk ka mjaftuar as vendimi i  Komisionit Special të Apelimeve të Emigracionit (Siac) në Londër, një gjykatë e mirëfilltë që merret apelimet e personave të huaj të arrestuar, deportuar apo ndaluar për të hyrë në tokën britanike, që Sali Berisha të bindet se nuk fiton dot me gjyqe as kundër Amerikës, as kundër Britanisë së Madhe. Në stilin e njohur të hedhjes poshtë të gjithçkaje që nuk i shkon për shtat, Berisha e ka komentuar vendimin në fjalë siç do të komentonte vendimin e një gjykatë shqiptare nga ato të plepave. Edhe gjykatat britanike, faktikisht ndër më seriozet në botë, janë sipas të tij të shitura e të blera, tendencioze dhe të njëanshme. S’dimë a të qajmë a të qeshim. Ndoshta të dyja!

Tani efekti surprizë e orëve të para pas vendimit kaloi, Berisha mbajti fjalimin e radhës kundër perëndimorëve që e ndalojnë të udhëtojë me gjykata dhe populli i pakët i Rrugicës mund të rimarrë frymë i qetë. Udhëheqësi na tha që gjykata e ka dënuar pa prova, ja kanë me inat. Shtrëngoni radhët!

Berisha ndodhet në fazën ku është në gjendje të justifikojë çdo gjë i vjen kundër. E ka bërë prej vitesh, por tani, kur e ndjen se po shkon drejt fundit të karrierës, ky tharm papërgjegjshmërie është bërë më i dukshëm në sjelljet e tij.

Kjo është një dramë personale që nëse do të mbetej në sinoret e hallit individual të Sali Berishës, nuk do të kishte degëzime të rrezikshme politike për të gjithë spektrin opozitar. Por nuk po ndodh kështu.

Berisha po akumulon mbështetje e pushtet brenda partisë, në emër të kësaj përçartjeje. Ai po e kthen partinë në një kishë të tijën, në një sekt që ndjek nga pas verbërisht dhe pa u menduar gjatë liderin. Teksa i sheh të mbrojnë me zjarr dhe patos hallet vetjake të Berishës, dhëndrit apo edhe fëmijëve të tij nëpër studiot televizive, e jo të flasin me seriozitet dhe preokupim për zgripin ku ndodhet sot opozita shqiptare, të vjen të pyesësh se përse e gjithë kjo aradhë burrash e grash plot spaleta, tituj e karriera personale, e zvogëlon veten kaq shumë para syve të shqiptarëve, sa të vetësakrifikohet për fatin personal të liderit të vetër?! Përse ky bashkim i verbër kauze me një njeri që s’mund t’u ofrojë më veçse opozitën e përjteshme?!

Momente si ky vetëm sa e bëjnë më të dukshëm nervin e zbuluar të PD dhe të gjithë opozitës: konsumi i pakthyeshëm i kryetarëve që mbyt me peshën e tij edhe vetë partitë që drejtojnë. Njëri i mbyllur në katin e tetë për shkak të hetimeve për korrupsion, por edhe i ndaluar që të shkelë në dy vendet më simbolike të Perëndimit, kurse tjetri që ngjitet maleve e hekurave, duke dhënë spektakle që nuk frikësojnë qeverinë por përqeshin në vetvete kauzën opozitare me banalitetin e tyre.

Kjo fanfarë shefash dikur hijerëndë e të frikshëm, shkon sot e hallakatur në zgjedhje, ndërkohë që servilët që i rrethojnë as shohin, as dëgjojnë, as mendojnë. I kanë sytë te copa e letrës që kryetarët do të mbushin me emra në prag të fushatës, aty ku mandatet e reja të parlamentarit prodhohen si me magji nga dora e shefit, apo ku kushedi merr formë edhe ndonjë emër i mundshëm pasardhësi. Si dikur Luli.

Berisha flet përçart kundër gjykatave britanike, kundër qeverisë konservatore gjithashtu por edhe kundër Blinkenit, Bajdenit dhe të tjerëve në SHBA, pasi e di se magjia e copës së letrës që ka në dorë i mban lidhur taboret e besnikëve në prag të zgjedhjeve. Aq i duhet, të mbajë lidhur me zinxhirë partinë dhe ata që mbushin rreshtin e parë të duartrokitësve. Të tjerat nuk vlejnë. As pushteti që e di se nuk e fiton dot më, as përballja me Ramën që e di se nuk është më për moshën dhe takatin e tij, as raporti me amerikanët e të tjerët që ka marrë teposhtën, as hetime e Spak që mund ta gozhdojnë me sot me nesër, as e ardhmja e PD të cilën e ka hedhur në Lanë që ditën që zgjodhi Lulzim Bashën 11 vjet më parë.

Sali Berisha e ka zbritur luftën e tij politike në konturet e rrugicës së vogël ku jeton. I mjaftojnë pak klakerë që i duartrokasin fjalimet çdo natë, i mjafton dhe fakti që ka vulën e PD ne xhep. Punë e madhe se ka dhe vulën “non grata” në xhepin tjetër…

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria luan ndaj Kroacisë sfida e dytë në Euro 2024, kush fiton?



×

Lajmi i fundit

Alimehmeti: Duhet një grup i ri dhe përfaqësues i ri për opozitën për zgjedhjet e 2025-ës

Alimehmeti: Duhet një grup i ri dhe përfaqësues i ri për opozitën për zgjedhjet e 2025-ës