Moisiu: Të mos e bëjmë
kushtetutën një leckë

Moisiu: Të mos e bëjmë<br />kushtetutën një leckë
Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, deklaroi dje për "Zëri i Amerikës" se heqja e imunitetit të zyrtarëve dhe ndryshimet në Kushtetutë duhen bërë me kujdes.

Zoti Moisiu! Cili është në thelb shqetësimi juaj mbi nismat e fundit për ndryshimet e Kushtetutës lidhur me imunitetet e zyrtarëve të lartë shtetërorë. Ju jeni kundër heqjes së imuniteteve apo po analizoni çështje të tjera të këtij procesi?
Përkundrazi, ne nuk jemi kundër heqjes së imunitetit. Kjo doli qartë edhe nga diskutimet e pjesëmarrësve të forumit, por ne jemi kundër kësaj procedure që po ndiqet. Nëse duhet ndërhyrë në Kushtetutë, atëherë duhet të ndërhyjmë për të gjitha problemet, jo të na bëhet Kushtetuta si një leckë, një pjesë sot, një pjesë nesër e një pjesë pasnesër. Kemi përvoja shumë negative si ajo e vitit 2008, për të cilën ne po paguajmë kosto si qytetarë ende sot. Nëse vazhdojmë kështu sipas oreksit të politikës të ditës të fusim duart në Kushtetutë, kjo nuk është e drejtë. Këtë nuk e bën asnjë vend. Nëse duhet ta bëjmë këtë punë, duhet ta bëjmë ashtu si duhet bërë. Nëse bindemi se duhet ndërhyrë, atëherë duhet të krijohet një komision, të bëhet një punë e madhe, të thithen mendime nga shoqëria civile, nga konstitucionalistët, nga specialistët kryesorë dhe pastaj të arrihet në konkluzione se çfarë duhet bërë dhe çfarë jo. Ne për këtë jemi.

Zoti Moisiu! Ndërkohë që po diskutohet heqja e imunitetit për zyrtarë të lartë, apo kufizimi i imuniteteve për gjyqtarët në Shqipëri, bota e krimit vazhdon të sofistikohet dhe gjyqtarë dhe njerëz të drejtësisë ndeshen me krimin e organizuar. Si mendoni se mund të zgjidhet kjo mospërputhje në debatin për imunitetet e tyre?
Ligji për krimet e rënda është miratuar që në vitin 2002, dhe siç e dini Gjykata e Krimeve të Rënda është organizuar më 2003. Kam qenë në krye të shtetit atëherë dhe jam marrë me këtë problem, sipas detyrimeve kushtetuese që kisha. Mund t'u them që ende në atë ligj figuron që këta anëtarë dhe Gjykatës së Krimeve të Rënda duhet të kenë makina të blinduara, duhet të kenë truproje dhe akoma kjo punë nuk është zbatuar.

Zoti Moisiu! Prokurorja e përgjithshme, Ina Rama, ka thënë që imuniteti i zyrtarëve i pengon prokurorët që të hetojnë për korrupsionin. Cili është mendimi juaj lidhur me punën e drejtësisë apo me mungesën e vullnetit të politikanëve shqiptarë për të luftuar më mirë korrupsionin edhe pa qenë nevoja për të prekur imunitetet e zyrtarëve?
Në fakt edhe kur është hequr imuniteti politikanëve nga parlamenti dhe prokuroria ka bërë atë punë që ka bërë, kur ka vajtur në gjyqësor, këto gjëra janë sfumuar. Ende janë edhe 2 procese të njohur, por ende janë "pending". Dihet që kam bërë një libër "Midis Nanos dhe Berishës" dhe në parathënie kam theksuar: "Rilindasit tanë shkrinë jetën dhe pasurinë e tyre për të bërë Shqipërinë, ndërsa sot, më vjen keq që po shkrihet Shqipëria për t'u pasuruar politikanët"

(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria skualifikohet nga Euro 2024, a ju pëlqeu loja e Kombëtares



×

Lajmi i fundit

Operacion në zhvillim e sipër, SPAK 20 masa sigurie në lidhje me inceneratorin e Tiranës! Masa për kompanitë guackë, dyshohet edhe për 2 të lidhur me median

Operacion në zhvillim e sipër, SPAK 20 masa sigurie në lidhje me inceneratorin e Tiranës! Masa për kompanitë guackë, dyshohet edhe për 2 të lidhur me median