Me urdhër të ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, Ikballe Huduti shpallet non grata në Shqipëri, për 15 vite.

Motivi i këtij vendimi, bazohet në informacionet e grumbulluara, sipas së cilave, veprimtaria e saj vlerësohet si kërcënim për vendin, sigurinë kombëtare, si dhe rendin e sigurinë publike.  

Urdhri i Ministrit të Brendshëm i është dërguar për zbatim Policisë së Shtetit dhe strukturave të Drejtorisë së Kufirit.

Gjatë ditës së sotme, kryeministri Edi Rama foli për përfshirjen e saj në protestat në Tiranë, duke postuar një foto të saj, me ish-presidentin e Iranit Mahmud Ahmedinexhad, të cilin e cilëson “kryeshërbëtorin famëkeq të ajatollahëve”

Ikballe Huduti njihet për lidhjet e saj me regjimin iranian të ajatollahëve, si dhe ka bërë thirrje publike kundër rendit kushtetues në Shqipëri.

"Shikojini vetë dy fotot. Është i njëjti personazh i ardhur me karvanin e “diasporës” së shtirur, që në emër të Allahut predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë, kërkon hakmarrje ndaj Amerikës për vëllaun e vrarë, kasapin e regjimit të Teheranit, gjeneralin famëkeq Kasem Sulejmani. Dhe po, personazhi në krah të saj është Ahmedinexhadi dora vetë, kryeshërbëtori famëkeq i ajatollahëve të errësirës", shkruante kryeministri.

Në vitin 2020, Huduti u arrestua në Kosovë pasi bëri thirrje për hakmarrje ndaj SHBA-ve për vrasjen e gjeneralit iranian.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:44
U shpall ‘person i padëshiruar’ në Shqipëri, reagon Ikballe Huduti: Më mirë një vdekje dinjitoze, sesa një jetë me poshtërime

Ikballe Huduti Berisha ka reaguar në rrjete sociale pasi u shpall ‘person i padëshiruar’ për 15 vite në Shqipëri me urdhër të ministrit të Brendshëm Besfort Lamallari.

Ajo shkruan se shpirtin dhe jetën ia ka dhënë atij që ia ka falur, duke iu referuar Zotit ndërsa shton se poshtërimeve që i janë bërë nga zullumqarët në këtë vend, u ka ardhur fundi, qofshin pushtetarë apo fetarë.

Reagimi i Ikballe Huduti Berisha

Një përgjigjje jo për Ministrin Llamallari por për një vëlla të shqetësuar që më dërgoji këtë lajm në ëhat's app.

Paqe për ty Vëlla.

Po e di, vëlla i nderuar, e lexova këtë shkrim. S'kam çfarë të humb, sepse moti i kam humbur ato gjëra që zullumqarët mendojnë se unë kam vuajtur për to.

Krejt çka kam humbur është frika ndaj zullumqarëve, asgjë tjetër, sepse edhe shpirtin, edhe jetën, edhe zemrën time moti ia kam falur Dikujt që m'i ka falur.

Kam "humbur" nga kjo botë e "bukur" çdo të mirë, që nga dita kur e ngrita zërin kundër padrejtësisë në emër të lirisë humane dhe njerëzillëkut. U shkurorëzova nga kjo botë që nga dita kur e lexova poemën "Qerbelaja" të Naim Frashërit.

Jeta ime nuk do të kishte vlerë në këtë vend të shqiptarisë nëse unë nuk e kryej misionin tim, që ngjason me misionin e shehidëve të Qerbelasë.

Mjaft më me poshtërimet që më janë bërë nga zullumqarët e vendit tim, qoftë nga pushtetarët apo fetarët.

Më e mirë për mua është një vdekje me vlera dinjitoze sesa një jetë me poshtërime.

Të kam në dua, vëlla, edhe ju më keni në dua në këtë ditë të Ashuras. Kam nevojë për lutjet e secilit që dëgjon për padrejtësitë që më bëhen në këtë jetë. See less