Kur në vitin 2021 Sali Berisha u shpall 'non grata' nga Departamenti Amerikan i Shtetit për korrupsion madhor, minimin e demokracisë dhe shantazhimin e drejtësisë, reagimi i tij dhe i rrethit politik përreth ishte i parashikueshëm dhe i dyfishtë. Së pari, u ngrit flamuri i sovranitetit: “ne jemi vend sovran”, dhe, së dyti, u përsërit si refren në media e sheshe ideja se “nuk është Amerika ajo që të sjell në pushtet, por vota”.

Vitet kaluan, administratat në SHBA u ndërruan, por një gjë mbeti e pandryshuar: non grata e Berishës. As lobimet e kushtueshme, as qindra mijëra dollarë të paguara për të zhbërë vendimin, nuk sollën asnjë rezultat, sepse Amerika nuk ndryshoi qëndrim.

Ndërkohë, ndryshoi Berisha dhe njerëzit rreth tij. Ata që dje betoheshin për sovranitet, sot përshëndesin rrëmbimin gjatë natës të diktatorit grotesk të Venezuelës, Nicolás Maduro, dhe ushqejnë shpresa banale për “zbarkime marinsash” edhe mbi Surrel. Sovraniteti, mesa duket, vlen vetëm kur u u intereson.

Këtu qëndron edhe thelbi i kontradiktës dhe absurditetit të tyre, sepse kur një superfuqi ndërhyn brutalisht në sovranitetin territorial të një vendi tjetër, duke shkelur ligje dhe konventa ndërkombëtare, kjo nuk përbën më problem për vetëshpallurit sovranistë, mjafton që ngjarja t’i ushqejë fantazitë e tyre surrealiste politike. 

Pikërisht, për këtë arsye, këto qëndrime nuk janë as preokupuese, as të besueshme, sepse nuk ka koherencë politike aty ku nuk ka parime. Çdo zhvillim në arenën ndërkombëtare shitet si “fitore”, duke i gënjyer dhe duke u tallur me ata që u venë nga pas.

Mjafton të krahasosh akuzat e SHBA-ve ndaj Maduros me arsyetimin e shpalljes non grata të Berishës, pavarësisht se bëhet fjalë për realitete të ndryshme dhe kontekste të largëta, dhe e sheh se logjika është e njëjtë: mbrojtja e interesit amerikan në rajon, qoftë në Amerikën Latine, qoftë në Ballkan. Në këtë prizëm, ai që ngjan më shumë me Maduron nuk është Rama, por Berisha.

Dallimi është se Berisha nuk përbënte rrezik të ngjashëm, kështu që u mjaftuan vetëm ta nxirrnin nga loja politike, ta izolonin dhe ta linin në një opozitë të përjetshme, përmes dizenjimit non grata. Dhe këtë e bënë pa tanke, pa marinsa, pa spektakël, por vetëm me një vulë politike që, deri më sot, ka rezultuar e pakthyeshme./Tema